Si e shpëtuam "të vranë o
Miti të vranë’ nga censura

Si e shpëtuam "të vranë o<br />Miti të vranë’ nga censura
TIRANE - Roli i gruas që qan burrin e vrarë te filmi “Tokë e përgjakur”, me fjalët që kanë mbetur si batuta më popullore: “Të vranë o Miti të vranë, oiii!”, mund të mos kishte ekzistuar kurrë. Ka qenë shkrimtari Dritëro Agolli që ka ndërhyrë në vitin 1976 për të ndalur censurën për rolin më të ndjerë që e ka interpretuar aktorja Margarita Xhepa. Historinë e rolit e mësojmë nga goja e aktores së madhe, e cila rrëfen sesi sillej me veprat kinematografike dhe teatrale komisioni i censurës me përfaqësues të Komitetit Qendror, para shfaqjes ose ngjitjes në skenë të një premiere në vitet ‘70.

Qëllonte që censura ishte e dhimbshme, sepse zakonisht ndërhyrja ose prerjet e pjesëve, që nuk përputheshin me kërkesat e Realizmit Socialist, bëheshin gjatë provave gjenerale. Aktorja Margarita Xhepa rrëfen në intervistën për “Shqiptarja.com” emocionet dhe pasionin që e shoqëronte gjatë përgatitjes së roleve të saj. Duke biseduar me të, ndërsa reciton pjesë të ndryshme rolesh, e ndjen se ajo i ruan në kujtesë si gjërat më të çmuara të jetës së saj. Të habit sesi ende i mban mend përmendësh rolet që ka luajtur në kinema dhe ato që ka ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar.

Me një sinqeritet që rrallë e ndesh te aktorët e tjerë, aktorja Margarita Xhepa nis dhe i interpreton aty për aty rolet e saj më të dashur, ndërkohë që jemi duke biseduar me të në tavolinë. Duke e dëgjuar me admirim merr rrugë intervista, ku zbulojmë sesi ka mbijetuar dhe u kthye në një batutë shumë popullore roli i gruas së Mitit te filmi “Tokë e përgjakur”. Si ngriheshin komisionet nga Komiteti Qendror për të ndërprerë filmat. Pse i dërguari i Partisë, Anastas Kondo donte ta hiqte nga filmi rolin e gruas që vajtonte ngjethshëm burrin e saj të vrarë. Çfarë i tha Dritëro Agolli dhe si e bindi që të mos pritej nga filmi roli i gruas së Mitit.
 
Zonja Margarita, a mund të na thoni si ishte kjo puna e komisionit që censuronte filmat dhe dramat në vitet ‘70?
-Për filmat, para se të dilnin para spektatorit, kishte një komision nga Komiteti Qendror që jepet viston, të drejtën, për t’u shfaqur. Në rast se nuk dilte heroi pozitiv me temperament të fortë, në rast se nuk trajtohej një temë në dobi të politikës së kohës, gjithmonë kishte ndërprerje, shkurtime, heqje pjesësh. Dhe jan shumë filma që janë ndërprerë ose që u hiqeshin pjesët.
 
Kush merrte pjesë zakonisht në këtë komision?
-Ishin tre veta, përfaqësues të politikës, që shërbenin si komision që përfaqësonte Komitetin Qendror që jepnin mendimet e tyre; bën apo nuk bën filmi, është trajtuar si duhej tema apo është trajtuar keq. Kështu edhe unë kujtoj një moment nga “Toka e përgjakur”. Rrija me gjak të ngrirë prapa derës, duke u lutur me shpirt që të aprovohej roli. Jo vetëm unë, por edhe regjisorë apo aktorë të tjerë rrinin plot frikë, a do të aprovohej roli apo pjesët e xhiruara.
 
Pse e kishe marrë me kaq pasion personazhin e gruas së Mitit te filmi “Tokë e përgjakur”?
-Ishin shqetësimet, ishin ngjarjet që janë të vërteta, që kanë ndodhur, sepse jeta siç thotë një poet “është më dhimbshme po të mos ndjesh kurrë dhimbje”. Kështu që filmi kishte një pjesë të jetës së popullit tim, një pjesë që e kisha ndjerë dhe dëgjuar të jetuar. E përjetova këtë dhimbje të madhe të kësaj gruaje, të kësaj fshatareje që punonte me sinqeritet për të mbajtur familjen e saj, që i vrasin burrin për një vijë uji, për një copë tokë, dhe ajo nis vajin: “Të vranë o Miti, për një copë tokë, për një vijë uji, oii! Të vranë, o Miti, të vranë!. Të vrau beu, të vrau katili”. Ishte një protestë që unë e kisha bërë me vetëdije, sepse kjo ka ndodhur tek populli im.

Nuk ishte puna se e dëgjova dhe e lexova thjesht si skenar. Unë e kam ndjerë, e kam jetuar, i kam parë me sytë e mi dramat e popullit tim si Margaritë, se ç’do të thotë të ngelesh fëmijë pa baba, grua pa burrë. Kjo ishte thjesht jetë, por drama kishte edhe një skenar të bukur që kishte marrë jetë. Kështu edhe djali im në film rritet pastaj. Unë jam gruaja që e rris jetim dhe skenari rrëfen se pastaj vjen “reforma agrare që i jep tokën atij që i takon”, që “të mirat që i bie Partia”. Ky proces në film kalon shumë shpejt, ku kalojnë 20 vjet. Ishte pak skematik filmi, të them të drejtën. Megjithatë ai film është pëlqyer shumë. Pra, kur më shohin mua në atë rol, del dikush nga komisioni dhe thotë: “-Hiqeni, hiqeni, ky vaj të ngre leshrat përpjetë. Nuk do t’i sjellim njerëzit në kinema që të qajnë”.
 
Po kush ishin këta anëtarë të komisionit?
-Po tani kush ishin...Tre veta ishin. Ishte dhe mes tyre poeti ynë i famshëm Dritëro Agolli, dhe ai thotë që “nuk ka asgjë të keqe, shoku Filani...”
 
Po pra, po shoku “Filani” si quhej?
-Po ja, Anastas Kondo...Nuk ka asgjë të keqe pse po ia them emrin, se ai atë detyrë kishte. Mirëpo Dritëro Agolli filloi t’i argumentonte: “Kjo që po ndodh në film është pjesë e jetës, se kjo grua, nuk është se po qan djalin që i la kufirin vetëm dhe i iku në shtëpi. Kjo grua po mallkon, po thotë “të varu beu”, “të vrau katili”. Ky është një fakt historik i popullit tonë. Gruaja e Mitit mallkon se i vranë burrin me pa të drejtë, se kjo ishte toka e saj dhe e vranë për një vijë uji, e lanë aty të vdekur. Kështu që kjo skenë duhet të mbetet si pjesë e jetës”, tha Agolli duke shtuar se “Jeta ka lot, shoku Kondo, ka gëzime, ka vrasje, dhe nëse kjo është pjesë e jetës, jeta duhet të mbetet”. Dhe kjo pjesë mbeti. Faleminderit Dritëro Agollit, atij mendjehollit që hodhi edhe vetë në letërsi ngjarjet e jetës, vajet, dashuritë, gëzimet, lotët dhe ndaj e ndjeu rolin tim. Kështu që Anastas Kondo u bind dhe personazhi mbeti.  
 
Ju dëgjova që thatë se një rol i mirë realizohet, kur bëhen sa më pak dubla. Sa kohë iu desh të realizonit filmin “Tokë e përgjakur”?
-”Tokën e përgjakur” nuk e kemi realizuar me shumë vështirësi, sepse ne kemi pasur në këtë film dy djem shumë punëtorë të talentuar, Ibrahim Muçon dhe Kristaq Mitron, që e donin shumë artin dhe kanë bërë filma shumë të mirë. Unë kam realizuar katër filma me këta regjisorë, siç është “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një vajzë e një djalë”, “Apasionata”
 
“Të vranë o Miti, të vranë, oii” ka mbetur edhe si batutë. Zakonisht kjo ndodh në kinema me realizimet më të bukura. Çfarë ke dëgjuar nga njerëzit për këtë rol?
-Jo vetëm mua, por të gjithë artistët i ngacmonte publiku me batutat e filmave, kur pëlqeheshin. Për shembull, dikush më thoshte: “Moj e Kozmait”, batutë nga filmi “Pylli i lirisë”. “Ku e ke Vlashin?”, “-Ah, Vlash të keqen nëna”. Kemi plot batuta të bukura. Kujtoj një moment që një vajzë me gjyshen e  vet, i thotë: -Ja, o nëna, ajo “Të vranë, o Miti...!”. “-Ëëë, ëë të vranë o Miti”, -thotë nëna. “E vranë vërtetë, -i thashë dhe ajo duke qeshur erdhi dhe më përqafoi. Ka dhe gjëra të tjera të bukura. Gjatë xhirimit, ne artistët e shohim edhe kamerën që xhiron, sepse nuk na pëlqen të përsëritet teknikisht disa herë roli, se të ikën spontaniteti, domethënë ajo që është për herë të parë, siç i themi ne.

Duhet vërtetësi në rol, sepse kamera e filmit nuk do shumë teknikë. Ajo që del më para në kamerë është roli më i mirë, sepse ruhet sinqeriteti. Tek “Tokë e përgjakur” ndodhi që në kamera nuk kishin vënë shumë metra film dhe unë i kisha porositur: “Kijeni kujdes këtë rast se edhe kur na vdes një njeri i dashur, ne qajmë, qajmë, por edhe lodhemi”. Aty pata një moment interesant që duhej të qaja për vdekjen e burrit. Dëgjova që po mbaronte kaseta dhe unë vazhdova të qaja për të mos ta prishur atë gjendje emocionale duke ndërhyrë me fjalë të tjera: “të vranëëë”, “të lanë jetim, o biiir, dhe unë jam rritur vetë jetime”, “si do ta përballoj jetën unë shkreta”...

Dhe kur hyri kaseta që të punoj, unë fillova të qaj me fjalët e filmit, “Të vrau beu, të vrau katili, ooi”, “Të vrau për një copë tokë, ooi”. Por nuk harroj që atë ditë ndodhi edhe një çast humoristik. Vijnë dy fshatarë në momentin që unë po qaja dhe thonë: “Kush e vrau, moj kush e vrau? I thanë, rri more se është film, po pusho. “Çfarë të pushojë, more?! Ajo po qan me të vërtetë, ju thoni film!”, -tha fshatari. U afruan tek ne njerëzit. Ne po xhironim në Ibë të Tiranës në atë kohë.
 
Ka ndonjë rol tjetër që është rrezikuar të hiqej dhe pastaj e ke fituar?
-Ka pasur edhe në teatër që janë hequr. P.sh, unë kam pasur një peng të madh. Ka pasur role nga dramaturgjia nga autorë të mëdhenj që janë censuruar, siç është dramaturgu amerikan Tenesi Uilliams, që u vu në skenë me një rol madhështor. Për këtë rol punova me regjisorin Mihallaq Luarasi. Ai e bëri gati për ta ngjitur në skenë dhe unë punova me shumë dashuri dhe pasion me të, se ishte vërtetë një pjesë e bukur. Kjo dramë është bërë dhe film, “Lëkura e gjarprit”, me Marlon Brandonë. Pra, këtë rol peng e kam, sepse arritëm dhe në provën gjenerale, dhe megjithëse punuam shumë me të, drama u ndalua.

Personazhi që luaja unë quhej Ledi. Roli kërkonte punë dhe talent, por kërkonte edhe përshtatshmëri. Dhe ky rol ishte i përshtatshëm edhe për natyrën time si aktore, edhe për statusin tim në atë kohë, sepse kësaj gruaje i mungonte kryesorja, i mungonte dashuria. Kështu që këtë dashuri Ledi e gjeti te shërbëtori që e mori në punë. Ky rol është fantastik, sepse Tenesi Uilliamsi ishte nga ata që dinë të gërmojnë të fshehtat e artit dhe kishte bërë një gjetje të bukur psikologjike.

Personazhi im bën një krahasim të vetes me një fik që ka në kopsht, i cili edhe pse kishte vite që ishte tharë, një pranverë lulëzoi dhe çeli fryte. Ndalimi i dramës erdhi se ata të komisionit e cilësuan si një dramë të mbështetur te Frojdi, sepse Ledi ishte më e madhe në moshë se ai djali. Megjithatë në thelb, kjo nuk kishte ndonjë gjë, por atëherë po, sepse sot martohen pa problem me diferencë moshe. Por ata kështu e menduan dhe e censuruan. Më ka mbetur peng se ky rol nuk u ngjit kurrë në skenë....

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.07.2013
 
Rdaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë