E quaj veten me fat dhe si shumë të tjerë ndjehem krenar që e jetova dhe e përjetova kohën e lavdishme të Luftës Nacionalçlirimtare, u bëra dëshmitar i saj dhe dashur pa dashur, bashkë me shokët e mi vërsnikë dhamë ndihmesën tonë modeste. Ishim brezi që kalonim nga fëmijëria në adoleshencë, por kjo nuk na pengoi të organizoheshim e të radhiteshim në grupet e pionierëve antifashistë, të ishim anëtarë të Debatikut që bëri emër në histori. Të udhëhequr nga shokë të rinisë komuniste, ne do të mbruheshim me idealet e luftës për çlirim, do të merrnim mësimet e para të rezistencës antifashiste, do të provonim të kryenim detyrat e para revolucionare në përshtatje me mundësitë tona. Nuk mund të harroj nga ajo kohë entuziazmin dhe bindjen për drejtësinë e kauzës së lirisë, që na trimëronin dhe na ndërgjegjësonin për çdo sakrificë deri dhe me jetën tonë të njomë. Një situatë e tillë sot duket e pabesueshme, ndoshta për ndonjë absurde, por kjo është e vërteta, një e vërtetë që historia e ka kthyer tanimë në vlerë të madhe kombëtare.
Bazat ilegale dhe kodet e konspiracionit
Kur rri e kujtoj atë kohë, nuk më del nga mendja atmosfera heroike që zotëronte, gatishmëria e njerëzve për të luftuar e sakrifikuar. Lufta në qytet kishte ligjet e veta, ajo vepronte në fshehtësi dhe zbatonte me rreptësi kodet e konspiracionit. Pas dukjes së zakonshme të qytetit, vepronin në fshehtësi bazat ilegale, që organizonin e drejtonin aksionet luftarake, që përhapnin idetë e lirisë dhe bënin thirrje për solidaritet dhe bashkim. Ato i drejtonin ca burra e gra të rinj relativisht në moshë, shumë prej tyre të panjohur nga opinioni, por që pëshpëritej nën zë emri i tyre i përbashkët: komunist. Një emër që e dëgjonim për herë të parë dhe që mbeti brenda nesh jo vetëm nga fjalët e mençura e të guximshme që thonin, por akoma më shumë nga aktet dhe aksionet që zhvillonin kundër fashistëve dhe tradhtarëve.
S’ka dyshim që forca kryesore e Luftës Nacionalçlirimtare ishte rinia e qytetit, e cila u organizua relativisht herët, që në prill të vitit 1942. Lajmin për këtë ngjarje të rëndësishme e mora vesh nga shoku im i ngushtë Tomor Dizdari, të cilin e kisha dhe udhëheqës të grupit. Në pyjet e fshatit Mbyet ishte bërë mbledhja themeluese e organizatës së rinisë komuniste, duke krijuar celulën e saj të parë për Fierin, në praninë e të deleguarit të Qendrës, Qemal Stafa. Sekretar politik i saj ishte zgjedhur Rauf Nallbani, emrin e të cilit e mësova shumë vonë.
Detyrat që u ngarkonin debatikasve
Pas kësaj ngjarjeje, ne debatikasveve do të na ngarkonin detyra nga më të ndryshmet. Kështu, për herë të parë, ne morëm pjesë në demonstratën antifashiste e organizuar në Fier më 28 nëntor 1942. Ajo nisi në kinemanë e qytetit, ku u hodhën parulla antifashiste dhe u kënduan këngë revolucionare, për të vijuar jashtë në rrugë me përleshje e arrestime. Ishte një sukses i madh kjo që ngjau. S’qe e pakët të kacafyteshe me fashistët dhe të vije jetën në rrezik.
Disa muaj më vonë, më 23 janar 1943, u zhvillua demonstrata e dytë me rastin e varrimit të trupit të dëshmorit Shinasi Deshnica, i vrarë në Tiranë nga fashistët. Atë ditë i gjithë Fieri u ngrit në këmbë për të shprehur urrejtjen kundër pushtuesve e tradhtarëve. Mbaj mend që në atmosferën e ndezur, foli mësuesi im Qazim Shehu, që s’ishte komunist por që njihej si nacionalist patriot dhe veç tij, u ngrit e foli dhe e reja komuniste Izmini Kokobobo. Fjala e saj bëri përshtypje të thellë jo vetëm për idetë e guximshme antifashiste, por ishte hera e parë që fliste publikisht një vajzë e re.
Viti 1943 e ngriti në një nivel më të lartë rezistencën antifashiste të rinisë fierake, ku do të binte në sy veçanërisht pjesëmarrja dhe aktivizimi i vajzave. Ajo që të bën përshtypje është fakti që ato vinin nga të gjitha shtresat e shoqërisë, nga familje të varfra e të pasura, vajza të shkollave dhe vajza shtëpiake, por të gjitha të ndërgjegjshme e të vendosura për detyrat që u ngarkonte lufta për çlirim. Ato do të merrnin pjesë në mbledhjet ilegale, do ta zgjeronin e dendësonin propagandën antifashiste. Veç kësaj, në këtë kohë, do të ngriheshin kurset ilegale të vajzave, siç qenë kurset sanitare, ato të përdorimit të armëve, të rrobaqepësisë, të leximeve revolucionare etj.
Edhe ne debatikasit do të tregoheshim akoma më aktivë. Tani nuk mjaftonin vetëm parullat që shkruanim nëpër mure, shpërndarja e trakteve, detyrat si korrierë, ndjekja nga prapa e lëvizjeve të spiunëve, leximi i literaturës revolucionare, mësimi i këngëve partizane etj. Por u rrit besimi tek ne të vegjlit, kur disa prej nesh na ngarkonin me detyra për të shkuar në disa nga bazat ilegale. Kështu ne do të shkonim në shtëpinë e Muçajve, Qereshnikëve, Bufit, Sotajve, Sukut etj. Për herë të parë do të shikoja nga afër në këto baza gjithë emocion e kureshtje, bile me adhurim të pa treguar, ilegalët, të fshehur nëpër dhoma të maskuara apo dhe në bodrume e tavane, tek bënin mbledhje, takime, shtypnin trakte etj. Dhe, ç’është më e rëndësishme, gjenin rast të bisedonin me ne dhe para se të largoheshim na jepnin ndonjë porosi modeste. Në këto baza do të ndeshja për të parën herë disa nga kuadrot drejtuese të Luftës për Fierin, myzeqarë e mallakastriotë, si Sokrat Bufi, Bilbil Klosi, Jorgji Sota, Rafael Petro, Asaf Deshnica e ndonjë tjetër. Po ajo që do të më bënte përshtypje të veçantë qe fakti se bashkë me ta, nën ato çati, jetonin dhe punonin në fshehtësi dhe disa nga vajzat ilegale si Shpresa Hoxha, Ylvije Shehu, Izmini Kokobobo, Liri Bozo, Afërdita Avari, Manushaqe Qadhimi e ndonjë tjetër që s’e njihja fare. Sado të rralla qenë këto kontakte, ato më kanë mbetur në mendje e në zemër si ngjarje tepër mbresëlënëse dhe ato vetë si qenie gati të çuditshme, serioze e fjalëpakë, me ca sy që shkëlqenin nga guximi dhe besimi, të shkathëta, thua se ishin gati në çdo kohë të shkonin e të ndesheshin me pushtuesit dhe tradhtarët. Por nuk mund të lë pa përmendur dhe një fakt tjetër, dëshirën e fshehtë, që më digjte nga brenda, që të zbuloja në mes atyre ilegalëve të bazave se cilët ishin atentatorët, që me aktet e tyre heroike kishin zgjuar dhe forcuar ndërgjegjen e luftës kundër pushtuesve në qytetin tonë. Por zbulimi e identifikimi i tyre ishte tepër i vështirë dhe sekret.
Si i mësova emrat e atentatorëve
Vetëm vonë, shumë vonë, do të merrja vesh emrat e atentatorëve si Rakip Kryeziu, Rauf Nallbani, Mark Dashi, Kasem Tebeshina e ndonjë tjetër. Kurse pas disa muajsh, duke shpërndarë trakte në një rrugicë, shoku im i ngushtë Tomos Dizdari më tregoi se ai që po kalonte para nesh, një burrë i ri me mustaqe dhe kasketë, ishte Rakip Kryeziu, atentatori trim, komandanti i njësitit gueril të qytetit. Kuptohet se sa fort më rrahu zemra kur e vështrova për një çast kalimtar për herë të parë dhe të fundit dhe merret me mend se çfarë dhimbje të madhe përjetova , kur një ditë papritur mora vesh lajmin e kobshëm se ai ish vrarë duke u ndeshur burrërisht me armiqtë.
Nga koha e paharruar e luftës, akoma më rri zgjuar kujtimi i lokalit ku takohej rinia revolucionare e qytetit. Ishte një ndërtesë e rëndomtë, në një nga rrugët e ngushta të pazarit, berberhania e patriotit Qazim Dizdari, djemtë e të cilit qenë të organizuar dhe aktivë në Lëvizjen NAçl. Më i njohur nga ata ishte Didini, një djalë tepër i shkathët, i zgjuar, trim, gjithë sy e veshë, shumë komunikues e i dashur me njerëzit. Tomorri ishte vëllai i tij më i vogël dhe miku im më besnik, që më krijoi mundësinë të hyja e të dilja në lokal si në shtëpinë time. Atje unë shkoja në ditë e orë të caktuara, sipas rregullave e porosive të dhëna. S’më hiqen nga mendja gjithë sa shikoja e dëgjoja atje. Shumica që frekuentonin lokalin vinin gjoja për t’u qethur a për t’u rruar, por në fakt merrnin kontaktet që lidheshin me detyrat e luftës, shkëmbenin mendime nën zë ose njiheshin me njëri tjetrin. Çdo veprim e bisedë këtu bëhej me kujdes e më takt, nën një vigjilencë të vazhdueshme, por kishte raste që bëheshin shakara ose disa gjeste rinore për të larguar dyshimet e spiunëve. Unë rrija e dëgjoja tërë vëmendje e kureshtje, por sa trimërohesha aq edhe druhesha nga rreziqet e papritura.
Miku që bëra personazh tek “Tomka dhe shokët e tij”
Në lokalin e Dizdarajve unë shkoja ngaherë me gëzim, jo aq për të takuar Tomorrin, se sa për të marrë ndonjë detyrë a çuar ndonjë porosi dhe ç’është më e rëndësishme të përjetoja atmosferën e luftës që sillnin shokët nga më të ndryshmit si studentë, shegertë, të papunë etj. Akoma më interesante ishte për mua, kur merrja vesh aty të rejat e ditës, se ç’ndodhte me shokët e shoqet e luftës. Kush kish dalë partizan e kush kish ishte plagosur apo vrarë diku në betejë, cili fshat ishte djegur nga fashistët, ç’njësi partizane e re ish krijuar apo kush ishte arrestuar apo cilat shtëpi qenë kontrolluar e bastisur. Aty do të dëgjoja lajmin e kobshëm të vrasjes së Janaq Kilicës, që e mbanin si Qemal Stafa i Myzeqesë. Një ditë tjetër erdhi fjala se fashistët kishin djegur në qytetin tonë shtëpinë e madhe të tregtarit patriot Taq Bozo, që i kish gjithë fëmijët partizanë. Bile para se t’i vinin zjarrin shtëpisë fashistët kishin grabitur pianon e së bijës, Lirisë, dhe e kishin hedhur në një nga kanalet e Qenasit, ku ne pastaj shkuam e pamë të baltosur e të dëmtuar.
S’ka dyshim që nga lokali i Dizdarajve ruaj kujtimin më të shtrenjtë të kohës së luftës. Miqësinë e papërsëritshme, më fisnike e më të pastër të jetës sime. Lidhjen vëllazërore, të mbrujtur me idealet e luftës çlirimtare, miqësinë me Tomorrin. Sado që kishim 2-3 vjet diferencë nga njëri tjetri, ai u bë heroi im jo vetëm se e kishim drejtuesin e grupit, por se kish cilësi të mrekullueshme që e dallonin nga ne: patriot i flakët, i mençur e trim pa fjalë, njeri i sakrificës, i gatshëm për të dhënë dhe jetën për shokun. Mund të duket e çuditshme, por kur rri mendoj dhe sot, them se në rrënjët e formimit tim të hershëm ka luajtur rol dhe shëmbëlltyra e tij. Sepse fjala e tij, veprimet e tij kishin një magji që sot s’i merr dot me mend. Ishte magjia e atmosferës së luftës për çlirim, magjia e ëndrrës për një botë të re. Gjithë ç’ofronte epopeja e luftës do t’i merrja prej tij: qëllimet dhe idealet e shenjta të lirisë, traktet e para, parullën luftarake “Vdekje fashizmit, Liri popullit”, këngët e para partizane, nderimin me grusht, pa përmendur sa e sa mësime dhe praktika të asaj epoke të papërsëritshme.
Nën drejtimin e tij grupi ynë debatikas do të kryente detyra jo pak të rëndësishme që kërkonin besim e guxim. Por aksioni ynë me i çmuar, aksioni i provës sonë, do të ishte ai i porosisë që na dhanë shokët e Partisë, helmimi i qenit roje të kampit ushtarak gjerman te fusha e vjetër e sportit. Një aksion plot rreziqe e përgjegjësi, të cilit ia dolëm mbanë në radhë të parë falë aftësive dhe guximit të Tomorrit. Prej kësaj ngjarjeje unë kam marrë shkas e kam shkruar skenarin e filmit të njohur nga publiku i gjerë “Tomka dhe shokët e tij”. Sigurisht, filmi është një vepër artistike dhe jo dokumentare, por ai ka frymën dhe shpirtin e Tomorrit, që unë e kam quajtur Tomka.
Ngjarja që na ka mbledhur sot më jep rast të kujtoj dhe njëherë Tomorrin. Është Tomorri ai që do të më tregonte në fshehtësi organizimin dhe realizimin e aktit heroik të 68 vajzave fierake, që dolën partizane atë ditë shtatori të vitit 1943. Ai kish lidhje organizative me drejtuesit e këtij aksioni dhe kish dhënë kontributin e tij modest në suksesin e tij. Mbaj mend se kur më tregonte disa hollësi, i shkëlqenin sytë dhe fjalët i shqiptonte me zë të ulët. Prej tij më ka mbetur në kujtesë fjalët: atë që bënë vajzat tona nuk ka ngjarë deri tani as në Vlorë, as në Berat, qoftë dhe në Tiranë.
Disa muaj më vonë pas kësaj ngjarjeje të bujshme, në dimrin e vitit 1944, Tomorri doli partizan. Më tregoi për këtë tërë emocion një natë përpara se të ikte. U radhit në një nga batalionet e Grupit të III-të të Mallakastrës. Ishte vetëm 15 vjeç, por kish zemrën e madhe të një burri dhe barte e përjetonte gjithë ëndrrat e bukura të brezit tonë.
Beteja e fundit ku Tomorri mori pjesë ishte ajo e natës së 2 shkurtit të vitit 1944, kur batalioni i tij sulmoi depot ushtarake të një reparti gjerman në periferi të Fierit. Partizani i vogël do të ndeshej ballazi me nazifashistët deri sa do të vinte një moment të binte i plagosur rëndë. Ishte një fat fluturak që pas betejës, duke gdhirë, një bari i rastit do ta diktonte, do ta merrte në krahë për ta shpëtuar, mirëpo nuk qe e thënë, sepse një nga patrullat e armikut e vuri re, u sul e i kapi të dy dhe i pushkatoi menjëherë.
Një vdekje e dhimbshme, por burrërore, sepse ndonëse ishte i vogël nuk kërkoi kurrsesi mëshirë. E priti fundin me dinjitet ashtu siç ishte betuar para flamurit kuqezi dhe kështu na erdhi dhe lajmi ne shokëve për të cilin derdhëm lot në heshtje dhe me kujtimin e tij në zemrat tona të vogla.
Tomorri kish dhënë jetën për Liri, për ëndrrën e aspiratën më të shenjtë të popullit të tij.
Dhe ishte një koincidencë kuptimplotë, por dhe e çuditshme që duke menduar më vonë duke lexuar emrat e 68 vajzave që dolën partizane, më rezultonte se 15 prej tyre e kishin emrin Liri, bile njëra nga ato do të ishte Heroina e Popullit Liri Gero. Kjo tregonte se sa të shtrenjtë e kish populli i qytetit tonë Lirinë, sa me emrin e saj kish pagëzuar me dhjetëra e dhjetëra vajza.
E paharruara Gjinovefa Suku
Dhe për ta mbyllur këtë fjalë përkujtimore dua të evokoj një kujtim timin nga mëngjesi i parë i çlirimit të Fierit, më 13 shtator 1944. Isha në shtëpi dhe prisja me padurim orën e çlirimit. Kështu sapo dëgjova batarenë e krismave të armëve, kuptova se partizanët kishin hyrë në qytet. Dhe dola menjëherë në rrugën përpara portës së shtëpisë. Nga larg shoh që po vinte në drejtimin tim një skuadër partizane. Duke u afruar shoh se në krye të tyre ishte një partizane, me një bukuri që s’e kisha ndeshur kurrë. Një amazonë e vërtetë, veshur me rroba ushtarake, me yll të kuq në ballë, me armën krahaqafë. Ajo kaloi para syve të mi duke nderuar me grusht e duke shqiptuar fjalët: Vdekje fashizmit, ndërsa unë u përgjigja Liri popullit, me një zë të ngazëllyer, të paprovuar ndonjëherë.
Më vonë mora vesh se ajo ishte Gjinovefa Suku, e bija e Llazar Sukut, njërit prej revolucionarëve veteranë të qytetit tonë dhe komandantit të një prej çetave të para partizane të Myzeqesë.
Pamja e Gjinovefës nuk m’u shua kurrë nga kujtesa, bile me kalimin e viteve do të mendoja dhe akoma mendoj se bukuria e saj e rrallë, që më vetëtiti mëngjesin e parë të çlirimit, ishte dhe mbetet imazhi i vërtetë i lirisë, për të cilën kishin luftuar 68 shoqet e saj dhe kishin dhënë jetën Tomorri dhe mijëra luftëtarë partizanë.
Shkrimi u publikua sot (22.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)