Si i shkroi Naum Veqilharxhi 
abetaret e para të gjuhës shqipe

Si i shkroi Naum Veqilharxhi <br />abetaret e para të gjuhës shqipe<br>
Ata libra të vegjël paralajmëruan dy abetaret e Kostandin Kristoforidhit më 1866 e 1967 dhe Allfabetaren e gluhësë shqip, që u hartua nga Jani Vretoja, Sami Frashëri, Pashko Vasa e Koto Hoxhi dhe u botua në Stamboll më 1879...

Ëvetarët e Naum Veqilharxhit njihen si të parat abetare të gjuhës shqipe. Ata libra të vegjël paralajmëruan dy abetaret e Kostandin Kristoforidhit më 1866 e 1967 dhe Allfabetaren e gluhësë shqip, që u hartua nga Jani Vretoja, Sami Frashëri, Pashko Vasa e Koto Hoxhi dhe u botua në Stamboll më 1879. Me këto merr udhë pastaj historia e abetareve të gjuhës shqipe.

Por cilësimi i abetares së Naum Veqilharxhit si abetarja e abetareve nuk buron vetëm nga vendi i saj i parë në vargun e abetareve të gjuhës shqipe. Naumi, “ky burrë i ndezur nga dashuria për kombin” (G. Bariciu), ishte i vetëdijshëm se ç’do të thoshte t’u jepje shqiptarëve një abetare. Shkronjat e gjuhës amtare për popullin shqiptar ishin si zjarri që i dha Prometeu gjinisë njerëzore. Dhe vërtet ato zgjuan vetëdijen se jemi një komb më vete, ndezën zjarrin e dëshirës për një jetë në liri dhe dëshira për liri ndezi zjarrin e luftës për përlindjen e Shqipërisë. 

Abetarja e Naumit është Abetarja e Shqiptarisë ose e Shqiptarizmit, është abetarja e dashurisë dhe e krenarisë për Shqiptarësinë. Në kohën e vet ajo ishte një O moj Shqypni në prozë. Kjo abetare nuk ishte vetëm fryti i përsiatjeve shkencore për t’i ndërtuar gjuhës shqipe një alfabet të sajin, për të cilin Naumi tërtherti (flijoi) kaqe gjëmë kohë aty e njëzet vjet; në atë libër të vogël ushtojnë thirrje të mëdha që dalin, po ta themi me një shprehje të Kostaq Cipos, si "nga shpellat e kraharorit" të poetit.

Le të dëgjojmë zërin e Naumit: Po fort për të çuditurë është që si ne shqipëtarët të jemi mbetur kaqe të ndarë e të pangjajm farëvet të tjera pa pasurë fare të kënduar e të shkruar mbë gjuhë tënë? Si ka duruar kjo dora e shqipëtarëve të jetë mbetur ndënë të përqeshmit e botës huaj? Kjo pyetje drithëruese e Naumit rikumbon me shungullimë në vargjet trandëse të Pashko Vasës:
Po sot, Shqypni, po m’thuej, si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe!
Shkon bota sipri, me kamb e shklet, 
e nji fjal t’ambël kurrkush s’ia flet.


Ëvetari i Naumit është abetarja e krenarisë për të qenët shqiptar dhe e optimizmit për të ardhmen e këtij populli me aftësi të mëdha e me veti të çmuara. Le të dëgjojmë përsëri zërin e abetares së tij: ...është e ditur që frymët e shqipëtarëvet, veç që mëndjën e kanë të hollë e të mprehtë nga të lerturit e tyre, që mund pa frikë të them, se jo vetëm arijnë, po edhe shkojnë shumë farë njerëzve të tjerë, po edhe më tepër janë gjithë sedrë edhe dondermjës (nderdashës), pa andaj yshqenj shpëresa të mëdha e të ndriçme që jo vetëm të hedhëm nga vetea jonë të përqeshurit që kishim pasur nga të huajtë që s’patmë pasur as të shkruame as ëve tona të veçme, po me pak kohë hyjmë mbë radhë të botësë mpsuara e të qyteçmtuara, që hem të rëfejmë se dora jonë s’ësht’ e fjeçme (e fjetur), edhe të nderojmë veten tënë, se vetëm të mpsuarit e gjuhës ti nderon njerinë. S’bënet më e bukur gjë, kur çdo vënt e gjuhë ka të shkruamet e vet ...

Ëvetari i Naumit është abetarja e njësisë kombëtare, abetarja që na mëson se gjithë ai popull që flet gjuhën shqipe, është populli shqiptar një dhe i pandarë, se ai vend ku jeton ky popull, është vëndlermi (atdheu) i shqiptarëve, Shqipëria, një dhe e pandarë. Librin e tij Naumi ia kushton Gjithë Shqipërisë, edhe mb’emër: Gjithë shqiptarëve t’erdhur e që gjenden mbrend’ e jashtë Manastirit, gjithë Korçësë, vëndlermit tim Bythkuqit e gjithë Kolonjës, Përmetit, Beratit me gjithë Arbërinë, Vlorës e Myzeqesë, Çamëri, Himarë dhe gjithë Gjinokastrës, Rëzës edhe Lunxhërisë, Zagora edhe Lajthisë (Leskoviku – E. Lafe) e gjithë anës Tepelenit, Elbasan e gjithë Gregërisë, e gjith’ atyreve që mbajnë nga rënja e Shqipërisë të hequr e të përndarë. Naumi shpreh kështu atë vetëdije të njësisë kombëtare që poeti popullor e ka skalitur në vargjet lakonike:
 Pse lëfton a derëzi?
S’ë për mua dhe për ti,
po për tërë Shqipëri!

dhe që Pashko Vasa i ka dhënë trajtën e një himni kombëtar:
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
gjithkund lshon dielli vap edhe rrezë, 
asht tok e jona ...


Ëvetari i Naumit na mëson se gjuha shqipe në një farë kuptimi është vetë atdheu. Një popull në robëri, që të dalë në dritën e lirisë, duhet së pari të çlirojë gjuhën e tij, ta lëvrojë e ta zhvillojë dhe të mblidhet rreth saj ashtu si rreth flamurit që prin në një betejë. Me një gjykim të shëndoshë për gjendjen e gjuhës shqipe në kohën e vet dhe me një pjekuri shkencore që të lë mbresë, Naumi vë gurët e këndit në programin gjuhësor të Rilindjes.

Le të dëgjojmë fjalën e tij të thjeshtë e të qartë: Gjuha jonë shqipea sikundër e dini, se nga shumë të sjellat e të kthyerat e kohës, edhe më fort që s’ka pasur dritat e të mpsuarit, ka marrë shumë fjalë e kuvise (shprehje) të huaja ... e para e punës ish që si të munt të nxjer fjal’ e kuviset e huaj e mbë vënt të tyre të dërthtonj (të formoj) të tjera nga vetime gjuhësë, edhe me gjithë që hë për hë munt edhe të mos tringëllojnë ëmblë mbë të dëgjuarit e veshëve, po kam shpëresë se koha do t’i ëmblësonjë.

Naumi është kështu një nismëtar i madh për pastrimin e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja të panevojshme dhe për pasurimin e saj me fjalë të gurrës popullore ose të formuara rishtas. Ai vetë dha shembullin në këtë fushë aq të vështirë: E ashtu sa që munda nxora e ndërtova të tjera mbë vënt të tyre (të fjalëve të huaja), save që s’u a gjeta sesinë i lashë ashtu me shpëresë që jy o djem! do të mundohi e do të vihi jo vetëm ta qëroni po dhe sa të mundni ta shtoni. Nga Ëvetarja e Naumit kanë marrë rrugën fjalë si fatkeq, fatkeqëri (fatkeqësi), fatmirë, fletore, lesim (lehtësim), nismëtor, i paçmuar etj.

Edhe ato fjalë që nuk kanë arritur deri sot, i kanë bërë gjuhës shqipe një shërbim të madh, se kanë hapur rrugën për të formuar fjalë të tjera më të qëlluara. Naumi është i pari që krijon me vetëdije një varg termash gjuhësorë. Bashkë me librin ai krijoi edhe emërtimin ëve (për shkronjë) dhe ëvetar (për abetare, fjalë për fjalë shkronjëtore, libri i shkronjave). Termi i tij zëtore është forma e parë e termit të sotëm zanore; fjalët e zëshme dhe e pazëshme (me kuptimin zanore e bashkëtingëllore) i ka krijuar Naumi. Ai përdor i pari termat fjalë e huaj, gjuhë e huaj.

Naumi është edhe një vëzhgues i hollë i ligjërimit popullor dhe mbledhës i vëmendshëm i fjalës shqipe. Ai gjen rastin të sqarojë lexuesit e tij të rinj se parpleqtë tanë qytet i thoshin politisë që i themi ne sot sheher edhe kasaba ... mund të thotë njeri se qytet i thoshin kalasë, po s’besohet të jetë ashtu, se unë sikur e di mirë që kalasë i thoshin murnime dhe forcomje. Në një vend tjetër ai sqaron se fjalën gërbjë me kuptimin e fjalëve të huaja ‘kullë’, ‘pirg’ e ka gjetur “mbë një vënt të shkruar”.  Te Naumi shohim kështu një shtysë të parë për atë vepër madhore që do të hartonte K. Kristoforidhi duke qëmtuar fjalët e gojës së popullit dhe të veprave të shkruara.

Programi i Naumit për pasurimin dhe për pastërtinë e gjuhës krijoi një traditë të pandërprerë në gjuhësinë shqiptare. Ai ishte një mësues i madh për brezat e mëpastajmë. Në fillim të këtij shekulli intelektuali largpamës dhe atdhetari i shquar Luigj Gurakuqi duket sikur ka pasur përpara Ëvetarin e Naumit kur shkruan se çfarë duhej bërë për gjuhën shqipe në Shqipërinë e ardhshme të pavarur. Termat (ose skajet, siç i quan ai) me burim prej latinishtes e prej greqishtes, që janë të përgjithshëm edhe ndër gjuhët e tjera, kemi për t’i marrë edhe ne.

Por fjalët e termat e tjerë të nevojshëm “kena për t’i trajtue vetë, tue i ba me rrjedhë prej rraje shqype, por, edhe në trajtim t’tyne kena për t’marrë mbrapa ato methudha mbas të cilave kjenë përba fjalët e prejardhuna, që ndodhen ç’kur n’gjuhën tonë. Këto fjalë e këta skaje për t’parën herë mund t’duken si t’vështirshmë e mund t’mos pëlqehen aq fort, por me kohë përdorimi i përditshmë ka për t’iu ndrrue pak ka pak ftyrën e ka për t’iau fitue kombsin shqype sikur iau fitoj edhe sa e sa tjerëve.” (“Vargënimi n’gjuhë shqype”, Napoli, 1906, f. 14)

Më 1979 Eqrem Çabej shtronte para Asamblesë së Akademisë së Shkencave detyrën që të organizohet një punë e re e gjithanshme, sistematike e me afat të gjatë për pasurimin dhe pastrimin e gjuhës shqipe. Ai ka shkruar me këtë rast: “Shumë nga fjalët që do të vendoset të përdoren e të hyjnë në gjuhë, edhe neve në fillim do të na duken pakëz si çudi. Porse brezat që do të vijnë, do t’i përdorin vetiu; shumë fjalë vendi që janë farkuar prej paraardhësve tanë e prej brezit tonë, kanë hyrë në përdorim, janë për ne sot të natyrshme e janë bërë pronë e qëndrueshme e gjuhës.”  (Për pastërtinë e gjuhës, në revistën “Gjuha jonë” 1981, , nr. 1, f. 47).

Shihet qartë se si ai motiv shkencor i pastrimit dhe pasurimit të gjuhës ka shtegtuar nëpër gjuhësinë shqiptare nga fletët e Ëvetarit të Naum Veqilharxhit dhe ka krijuar një traditë. Fryt i kësaj tradite është gjuha e sotme letrare shqipe, e çliruar nga barra e barbarizmave prej gjuhëve fqinje, e pasuruar me mijëra fjalë të reja të krijuara sipas rregullave e natyrës së saj, e shtuar me mijëra fjalë e shprehje frazeologjike nga visari i pashtershëm i ligjërimit popullor nga Jugu në Veri. Duke përkujtuar sot Naumin, le të bëhemi më të vetëdijshëm për detyrat dhe përgjegjësinë tonë.

Nga ato pak faqe të Ëvetarëve të Naumit shkrepin plot shkëndija që do të bëhen më vonë pishtarë ndriçues. Gjuha shqipe është për Naumin një dhe e pandarë. Visaret e dialekteve të saj duhet të bashkohen për t’i shërbyer pasurimit e pastrimit të gjuhës. Te Naumi dëshmohet për herë të parë ndajfolja gegërisht. Ai gjen rastin t’u këshillojë lexuesve të tij toskë që në vend të fjalëve të huaja pishmanepsem (tq.) ose metanoi (gr.) të përdorin fjalën pënohem (pendohem), të cilën e cilëson si fjalë gegërisht. Dhe kjo fjalë nuk është i vetmi gegizëm në veprën e tij. Këtë hap, që koha e dëshmoi aq të frytshëm, e çmuan dhe e hodhën edhe autorët e Allfabetares së Stambollit. Në shenjë nderimi për paraardhësin, në ballinën e librit të tyre ata vunë atë strofë të mirënjohur me katër vargje të Naumit:
As njeri me mënt të vet
Të mos mburet se deç gjet
Se padashm të madhit Zot
Fletë drurit s’bie dot.


Por autorët e Allfabetares, megjithëse shënuan poshtë këtyre vargjeve emrin e Naumit, u bënë atyre një redaktim domethënës, duke shtuar elementet gege. Ja si tingëllon tani strofa e Naumit:
Kurrëkush me mënt të vet
mos mburretë se ndiç gjet.
Pa dashun’ i madhi Zot,
fletë pema s’lëshon dot. 


Ëvetari i Naumit është edhe abetarja e aritmetikës në gjuhën shqipe. Me sa dimë, ai është i pari që boton një tabelë shumëzimi për shqiptarët, është i pari që i mëson bashkëvendësit të njehsojnë shqip: dy herë dy bëjnë katër. Në kohën e Naumit, po edhe më pas, shqiptarët i bënin veprimet aritmetike në gjuhën e shkollave ku kishin mësuar, d.m.th. greqisht a turqisht. Naumi donte t’u mësonte shqiptarëve që këto veprime t’i bënin shqip. 

 Përtej anës gjuhësore Ëvetari i Naumit është abetarja e guximit intelektual dhe qytetar, e këmbënguljes dhe e vetëflijimit për qëllime të larta. Naumi e di mirë se ç’vështirësi të hatashme e presin, po ai nuk tërhiqet dhe atë guxim që i jep krahë, përpiqet t’ua shtjerë në zemër edhe të tjerëve. Ëvetari i tij është edhe abetarja e guximit: 
Çdo e nisur q’ësht’ e rëndë 
S’ka njeri që nuk’ e di
  Po kushdo kur do të vihet
  Çdo t’i mbinjë po që s’lihet
  S’i shpëton gjëset ati.


Ëvetari i Naumit është abetarja e misionit të intelektualit, e përkushtimit dhe e detyrës qytetare për t’i shërbyer me vetëmohim atdheut, popullit, vegjëlisë. Naumi shqetësohet thellë që djemëria shqiptare për të marrë dritat e të mpsuarit duhej të shkonte në shkollat e vendeve të huaja dhe të hiqte mundim të mkotë me gjuhët e atyre vendeve. Po kush e bënte atë? Vetëm kamësit, e djemt e skamësve mbeteshin e mbetenë ... nd’erësirë të të pampsuarit”. Naumi e ndiente thellë se, pa dalë nga errësira, nuk mund të dilet nga robëria dhe prandaj i hyri kësaj së nisure pa kujtuar fare mundim a të lodhur, se e dinja e e njihnja që s’e bënj për ndo një të mburm që të rëfenj ndë sy të njerëzve, po vetëm që të bënj e të rëfenj tëtirën (borxhin) që kesh’ e kam për Ventlermin tem e për gjuhën time e të babës. Në një prej faqeve të para të Ëvetarit nga flakëza e një qiriri të vizatuar duket sikur dalin fjalët:
digjem tretem mb’erë 
të punonj të tjerë.


Ndoshta ka qenë kjo flakëz e qiririt të Naumit që i dha letërsisë shqipe Fjalët e qiririt të Naimit, atë himn të poetit misionar që vetëflijohet për t’u dhënë njerëzve pakëz dritë. 

Naum Veqilharxhi është pa dyshim një nga njerëzit më të mençur, më të ditur e më të guximshëm që ka nxjerrë populli shqiptar. Ai i bën nder kulturës sonë kombëtare. Ëvetaret e Naumit dëshmojnë se vlera e një vepre nuk qëndron aq në vëllimin e saj sesa në rrugën që hap e në idetë që përçon. Ai ka qenë i vetëdijshëm për këtë kur u thoshte djelmëve nismëtorë shqiptarë: “mos i vështroni të vogëlmit e ti, koha do t’i dëftenjë të mathtë e të rëndit e ti”.

Dhe koha i dha të drejtë. Rizbulimi i Ëvetarit të dytë të Naumit po sjell edhe një rizbulim të përmasave të vërteta të vlerës së veprës e të shembullit të tij. Por vepra e Naumit nuk i takon vetëm historisë, së shkuarës. Ashtu si rrënjët e thella që ushqejnë kurorat e drurëve të lartë, edhe ajo vazhdon të ushqejë vetëdijen e detyrave që kemi ndaj gjuhës sonë letrare të njësishme dhe ndaj vlerave të tjera shpirtërore kombëtare. Prandaj Naum Veqilharxhi, ashtu siç i shkruanin atdhetarët korçarë të kohës, “do të mbetet i pavdekshëm deri në fund të shekujve”.

Si i shkroi Naum Veqilharxhi abetaret e para të gjuhës shqipe
Si i shkroi Naum Veqilharxhi abetaret e para të gjuhës shqipe

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ PSG vijon ‘traditën’, Dortmund e mposht 1-0 në gjysmëfinalen e parë

Champions League/ PSG vijon ‘traditën’, Dortmund e mposht 1-0 në gjysmëfinalen e parë