TIRANË- Në të njëjtën ditë kur ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi denoncoi me emër dhe mbiemër gjyqtarë që lirojnë kriminelë që Policia kap, Gjykata e shkallës së parë në Tiranë, dha një tjetër vendim të diskutueshëm. Jehon Breçani, djali i ish-zëvendësdrejtorit të Policisë Tiranë Erzen Breçani, është liruar nga burgu dhe është lënë në masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’, ndonëse është autori i një aksidenti të rëndë, ku për pasojë një e re mbeti pa njërën këmbë pasi u përplas teksa ishte në trotuar.

Report Tv mëson se ai ishte në spital, për shkak të plagëve të marra nga aksidenti, por më pas gjykata e shkallës së parë ndërroi masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” nisur nga gjendja shëndetësore e tij. Prokuroria ka ankimuar vendimin. 

Si ndodhi ngjarja? 23-vjeçarja, Xhesina Gega ka qenë duke ecur në trotuar kur 19-vjeçari ka humbur drejtimin e makinës luksoze tip "Benz", që i jepte me shpejtësi dhe ka përplasur të renë, duke i këputur njërën këmbë dhe duke i shkaktuar plagë të rënda në trup dhe fytyrë. Përplasja ka qenë e fortë dhe identifikimi i 23-vjeçares është bërë me shumë vështirësi për shkak të plagëve të marra. Jehon Breçani ka humbur kontrollin e makinës dhe është përplasur fillimisht me murin,  më pas me një pemë që e ka thyer dhe më pas ka goditur 23-vjeçaren që ndodhej në trotuar. I riu i është nënshtuar testit të alkoolit, por nuk rezultoi të ishte nën efektin e pijeve alkoolike dhe shkak i aksidentit dyshohet se është shpejtësia e lartë. 19 vjeçari Jehon Breçani është djali i Erzen Breçanit, ish-zëvendësdrejtor i Policisë së Tiranës.

Ankimi i Prokurorisë ndaj vendimit për lirimin e Jehon Breçanit