VLORË - Policia e Vlorës prej ditësh vijon hetimet për gjetjen e personave të cilët fshehën Delin Hajdarajn, autorin e vrasjes së trefishtë ndodhur në 28 korrik të vitit 2013. Policia e Vlorës nuk është ndalur me super aksionin e ndërmarrë tri ditë më parë, ku u arrit të vihej nën pranga 26-vjeçari, i cili arriti t’u shpëtonte prangave të policisë për katër vjet.
 
Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije për Shqiptarja.com se jo vetëm arrestimi i autorit mbyll hetimet, por edhe zbulimi i personave të cilët ndihmuan në fshehjen për katër vite të Delin Hajdarajt, i cili qëlloi me breshëri automatiku pasditen e 28 korrikut 2013, duke marrë tri jetë të pafajshme.
 
Edhe pse mund të cilësohet si një ndër aksionet më të suksesshëm të policisë së Vlorës zbulimi dhe arrestimi i autorit të dënuar me burgim të përjetshëm, ende nuk janë zbuluar personat të cilët e ndihmonin të lëvizte pa rënë në policisë. Fakti që gjatë dëshmisë në polici autori Hajdaraj nuk ka dhënë asnjë emër e bën disi të vështirë identifikimin dhe marrjen në pyetje të personave, qofshin shokë apo të afërm që ndihmuan vrasësin e trefishte të fshihej për katër vite.
 
Gjithashtu policia e Vlorës vazhdon edhe kërkimet edhe për zbulimin e pronarëve të banesave ku Hajdaraj jetonte me qira.

Gjatë dëshmisë së tij, autori është shprehur se nuk njeh asnjë person apo pronar pasi edhe pagesën e bënte nëpërmjet personave te tretë.
 
Sipas hetimeve, Hajdaraj lëvizte në mënyrë të kontrolluar, çka do të thotë lëvizte natën dhe nuk para ulej apo frekuentonte baret apo dyqanet që kishte afër banesave të tij me qëllim për t’iu shmangur identifikimit.

Të pyetur nga Shqiptarja.com, shitës dyqanesh dhe lokalesh janë shprehur se “fytyrën e pamë vetëm kur doli në televizor dhe veç aty morëm vesh që ky person banonte ne lagjen tonë. Nuk e kishim vënë re më përpara, ndoshta dhe për faktin se asnjëherë nuk ka frekuentuar lokalin apo dyqanin e lagjes”.
 
Një burim nga grupi hetimor u shpreh se 26-vjeçari ra në gjurmë të policisë pasi sipas informacioneve ky person lëvizte gjithmonë natën dhe nuk dilte në rrugë kryesore për të ecur.

Sipas burimit të grupit hetimor dhe sipas zbulimit nga agjentët e terrenit dukej që Hajdaraj ruhej dhe kjo krijoi dyshime te agjentët e terrenit, të cilët pas të dhënave dhënë në drejtorinë e policisë së Vlorës menjëherë nisën hetimet dhe mbajtjen nën kontroll.
 
Gjatë vëzhgimit u vu re se autori sistemohej në banesa të ndryshme çka rriti dyshimet e policisë së Vlorës. Mbikëqyrja prej një muaji solli identifikimin si autori i vrasjes më 2013. Mënyra si lëvizte dhe rrezikshmëria bëri të kërkohej ndihmë nga forcat speciale të Tiranës, arritën të vinin nën pranga 26-vjeçarin i cili ishte shpallur në kërkim prej katër vitesh.

d.i./Shqiptarja.com