'Si më bënë agjent të CIA-s dhe UDB-s që 14 vjeç', mësuesi rrëfen historinë në 'Esencë': Takimi im me Hysni Kapon, Ramiz Alinë dhe Enver Hoxhën

TIRANE- Emisioni "Esencë" në Report Tv  solli mbrëmjen e 31 majit historinë e Sadik Prethit, mësuesit dibran që sakrifikonte 8 orë rrugë natën për të shkuar te nxënësit, edhe pse nuk i dhanë arsim!

Edhe pse nuk i dhanë arsim, ia doli të bëhet mësues.

Djaloshi që kur dilte në mal me dele, i harronte se lexonte librat, ndërkohë delet humbisnin. Mësuesi që bënte mbi 8 orë rrugë natën, për të shkuar në mëngjes te nxënësit. Vajza e njohu kur ajo u bë 7 vjeçe, sepse nuk ishte në shtëpi.

Më poshtë një pjesë e rrëfimit të mësuesit të sakrificave dhe etjes për arsim, Sadik Prethi për emisionin Esencë në ekranin e Report Tv. Ndërsa bashkangjitur është video e intervistës në studio.

Eljan Tanini: -Si ishte jeta e një djali gati adoleshent në  Luzni të  Dibrës?

Sadik Prethi: -Faleminderit për intervistën. Esencë është  një  fjalë  shumë  e rrallë, do të  thotë  të  thuash fjalën, thelbin. Ëndrrat ë mia ishin shumë të mëdha për arsimim, për shkollë. Kam qenë nxënës shumë i mirë, kam qenë edhe sekretar i rinise së shkollës. Fjala më dëgjohej njësoj si mësuesit. Në provimin e fundvitit më dolën 3 pesa, në gjuhë, matematikë dhe në hartim

Kur e pashë shpalljen u alarmova, drejtori i shkollës më tha se nuk ka mundësi. Madje kur erdhi drejtori për të parë shpalljen vuri një vizore që të shihej më qartë emri. Më qetësoi duke më thënë se është gabim njerëzor.

Unë mundësi për ndihmë nga motra e vëllezër nuk kisha. Ne jemi 7 fëmijë, 2 motra e pesë vëllezër. Unë  vajta e u ankova te shefi i arsimit i asaj kohe, isha fëmija më i shkolluar i shtëpisë.

Vajta, u nisa te Komiteti Ekzekutiv, te zyrat e arsimit, i gjeta me të pyetur. Trokita, flas me një burrë dhe i them ankesën time për 3 pesa në provimet e mia.

Ai nuk më besoi për faktin se mësuesi po e ulte nxënësin. E shënoi emrin, unë vija nga Shkolla e Luznisë. Më tha: -Nëse është kështu siç thua ti, kjo punë është shumë e lehtë. Do japësh riprovim, do të vi atje me një komision. Mos lëviz për disa ditë nga fshati.

Pas pak ditësh ai erdhi në shkollë, bashkë me disa njerëz të tjerë që unë nuk i njihja. Më tha direkt sapo më pa: -Unë e mbajta fjalën, tani do të bëjmë bashkë edhe një kontratë tjetër. Ti tani do të përgjigjesh pa u përgatitur.

Unë nuk e kisha fare problem dhe as emocion. Unë shikoja ëndrra sikur isha mësuesi i klasës, ky ishte pasioni im i madh. Mora tezën, i dhashë përgjigjet. Të gjithë ishin dakord me çdo gjë, i kalova të gjitha shumë mirë. 

Në fund fare, mësuesi më tha të gjeja fjalinë kryesore dhe fjalinë e varur. Unë i gjeta të gjitha. Komisioni më vuri 3 dhjeta, edhe mësuesi që më kundërshtoi ishte dakord. Sipas këtij mësuesi ishte një porosi nga sipër.  Unë kam pasur një farefis timin të larguar në Amerikë, ndërsa Organizata Bazë e Partisë ma kishin bërë mua atë sikur të ishte xhaxhai im. Pasi mora dëftesën dhe dublikatin e dëftesës shkoj te sekretari i parë në Peshkopi.

Ai kishte mësuar se në Dibër fëmijët hanin të parët nëpër dasma, kështu që unë vajta në fillim te ai. I thashë dua të vazhdoj shkollën. Sa pa mbiemrin Prethi, më tha: -Qënke në shërbim të CIA-s!

Unë i thashë që si fillim, kam qenë në shërbim të UDB-s. Pasi e dija pak a shumë se çfarë ishte CIA dhe UDB! Më dha një këshillë: -Shko në kooperativë dhe mba me vete 3 vegla, që kur të prishet njëra të kesh tjetrën dhe mos ta ngresh kokën.

Nisa të qaj te shkallët e Komitetit me duart në kokë, aty më ndalon një grua. Nuk e dija që ishte Tefta Cami. Më pyeti 3 herë, 3 herë nuk e besonte historinë time.

Tefta Cami më mori përdore, më çoi te ai, ajo u habit për bisedën që ndodhi atje mes meje dhe tij dhe ndër të tjera i bërtiti me të madhe: -Nuk ke faj ti, faj kanë ata të qendrës që të kanë sjellë ty këtu, se nuk ka djem e vajza Dibra.

Tefta Cami shpesh herë shikonte shumë gjëra që nuk shkonin, ishte shumë dashamirëse në komunikimin e parë. Tefta Cami më tha se do të më çonte në një shkollë të re ushtarake, ndërkohë unë  e kisha ndarë mendjen, desha të bëhesha mësues.

Në fund unë nuk pranova, ajo atë mundësi kishte. Unë nuk desha të bëhesha oficer. Delen me qingj e shita për të marrë lekët, për të ardhur në Tiranë.

Baba e dinte, madje kishte porositur edhe nënën që unë mos të dilja me dele e dhi në mal dhe libër në dorë. Delen me dy qingja e shita për 5 mijë lekë, mi dha lekët një person direkt në dorë. 

Më pas vajta te halla, ajo kishte një han. Atje takoj Dalipin, kushuririn e parë. Halla më dha bukë gruri dhe marmalatë për rrugën që do të bëja. E kisha vendosur që në atë moshë se duhet të takoja Enver Hoxhën për këtë punë. Prindërit e mi më thonin: -O bir, po i thua burgut hapu. Unë isha tepër i fiksuar pas profesionit të arsimit dhe arsimtarit.

Shoferi i autobusit nuk më mori para, u nisa për në Tiranë. Kisha veshur një këmishë të bardhë me mëngë të shkurtra. Hëngra bukën e hallës dhe rashë në gjumë te një lulishte pas Operas! Natën filluan të më dridheshin buzët, më kërcisnin dhëmbët sepse ishte freskët. Kur zgjohem, pashë një polic që më fishkëlleu

Polici më mori me vete në biçikletë, më çoi në rajon. Më qerasën me pilaf, mish dhe një  fletë gazete Zëri i Popullit mbi pjatën me pilaf. Do të zgjohesha të nesërmen, nisem në Kalivaç te vëllai. Ndërkohë 5000 L i kisha ende në xhep. Duke shkuar për te vëllai më dalin përpara 3 qen të mëdhenj sa tre gomer. Zotëria që i binte gajdes as nuk u shqetësua fare kur qentë u vërsulën për te unë. 

Unë ndërkohë hipa në pemë dhe godisja qentë me thupër nga sipër. Shkoj te vëllai, kthehemi bashkë në Tiranë. Ai e la punën, qëndruam me kursimet tona në Tiranë te Hotel Valbona

Atje nga ai hotel i bëja telegrame Enver Hoxhës për takim, ndërkohë qëndroja në Komitet Qendror për takimin. Atje kam parë dhunë, njerëz të moshave të ndryshme. Në Hotel Valbona kam qëndruar një muaj, në krye të muajt tjetër na u mbaruan lekët. Kur u bëmë gati të dilnim, erdhi telegrami me fjalitë: Paraqitu në Komitetin e Partisë. 

Pasi i kaloj të gjitha ndalesat, vëllai qëndron pas meje, shumë më larg. Futem  në Komitet, atje pashë dhunë. Më lanë te një klasë ku kishte shkumës dhe tabelë të zezë

Vjen një person dhe më thotë:

-Unë jam Xhaxhi Enveri.

-Jo i thashë unë, nuk je! Edhe fëmijët e djepit e dinë se kush është ai. Ishte Hysni Kapo. 

Vjen Ramiz Alia. Unë e dija edhe atë se kush ishte. 

-Sa mirë ia bëre atij që donte të fliste në emrin tim!

-As ti nuk je Xhaxhi Enver. Unë të njoh nga këndi i emulacionit.

Ramiz Alia më mori dhe me çoi diku tjetër. Më dha disa porosi, si: -Të mos tështija para Xhaxhit Enver, futi duart në xhepat e pantallonave. Kontroll  ! Mungonte shamia sipas tij, por e kisha në xhepin e këmishës. Në Dibër ne shamisë i themi mindil!

Shkojmë te Enveri. Trokiti Ramiz Alia, po pinte cigare, kishte veshur një kostum gri.

Më zgjati një Paketë Cigaresh Durrësi. I thashë që nuk e pi. -Shumë mirë më tha, Enveri! Të mos e pish se dëmton shëndetin dhe buxhetin. Nisi të më pyeste në përgjithësi dhe për dëshirën time në jetë.

-Ti më tha Enveri, do të bëhesh mësues shumë i mirë. Më pyeti për shkollën dhe gjimnazin.

Pasi i thashë që desha të shkoj për mësues dhe të  nis shkollën e mesme, ai më tha se: -Marksi ka thënë që shkolla  e mesme e përgjithshme është më e mira për disa arsye.

Asnjë nuk më pyeti se përse kisha ardhur atje, as Ramizi e askush tjetër. Nisi të më pyeste edhe për kooperativat bujqësore.

Në fund më la të isha i lirë. Dola nga dera  dhe ecëm me Ramizin në një korridor të gjatë, ndërkohë isha shumë i mërzitur. Më çuan të firmos disa letra ku Xhaxhi Enver do të më jepte disa para.

Ramiz Alia më çoi prapë te Enveri me idenë se unë nuk po pranoja të merrja paratë. Enveri më pyeti për traditat e shtëpisë, të gjitha ato para që kisha shpenzuar, një pjesë do të më ktheheshin pas, ato para të harxhuara.

Unë nuk desha të merrja paratë, Enveri dha porosi që këto para të rrinin në fondin e komitetit. Ai u gëzua që unë mora paratë pas disa kushtesh dhe kërkesash.

Kur unë kisha qenë në Tiranë, Komiteti i Partisë në Peshkopi kishte nisur letra për mua në shtëpi. I hipa mushkës të nesërmen, më shanë e më fyen kur vajta atje. Se unë kisha shkuar në Tiranë për këto halle. Më thanë se nuk ka vende për ty këtë vit, janë mbushur.

U thashë që do të ikë prapë në Tiranë, aty diçka ndryshoi. Shefin e Arsimit Selim Alliu e kishin pushuar nga puna dhe nisur për në një shkollë tjetër. Po ai person kishte krijuar disa kushte minimale për ne. 

Ndërkohë më thërrasin ushtar, shkollën e mbarova në Burrel, isha edhe ushtar. Prapë më nxorën kleçka. Unë kam qenë ekselent, nxënës i shkëlqyer. Ajo ishte shkollë me vetëm literaturë ushtarake. Edhe atje nuk më besuan që isha me të gjitha 10.

18 vjet kam punuar mësues në Mat e Kukës, natë e ditë për të kapur orarin e punës. Luznia 7 orë larg me Sllovën. Nisesha në 12 të natës, ka pasur raste kur ecja edhe katër orë. Nuk desha të më shënonin në librezë që e kisha lënë punën. Sot kam 3 fëmijë, vajza më ka njohur pas 7-8 vitesh, sepse kam qenë jashtë shtëpie gjatë gjithë kohës.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Scutari: 01/06/2024 17:24

    Rast tipik i të ashtuquajturës luftë e klasave, ku "luftëtar" bëhej çdonjëri që kishte inat një bashkëfshatar të vetin për të cilën mjaftonte një shpifje dhe jeta i kthehej në kalvar....

    Përgjigju
  • HD:: 01/06/2024 07:13

    Bini mor trejma bini

    Përgjigju
  • Lui: 01/06/2024 00:31

    Nuk ka asgje per mos u besuar qe mund te kesh qene agjent edhe pse ne moshen 14 vjecare. Nese e ke pare filmin "Armiku tek porta", aty ka nje personazh djalosh 10-12 vjec qe llustronte kepucet e oficerit gjerman, dhe nderkohe i jepte informacion per levizjet e oficerit gjerman pales sovjetike. Dhe ne fund oficeri gjerman e zbuloi dhe e ekzekutoi edhe pse ishte 10-12 vjec, edhe pse pas shume bisedave djaloshi edhe i kishte hyre ne zemer oficerit gjerman. Keshtu qe ti edhe mund te kesh qene ne ndonje pozicion te tille qe ndoshta pa e ditur cfare po beje dhe pa dashur ke dhene informacione pales armike, qe ne kete rast i bie te kene qene CIA, ose UDB..

    Përgjigju
  • 3D: 31/05/2024 22:45

    Na lodhët ma me këto muhabete demokracia tregoi se burra të mirë aspak nuk keni qenë

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë