TIRANË, 21 Gusht / ATSH/.-Është një nga pijet më të preferuara dhe shumë njerëz thonë se pa një kafe në mëngjes nuk e nisin ditën...
"Pa një kafe në mëngjes nuk e filloj ditën. Kafeja 'më hap sytë' e më gjallëron", thotë një 44- vjeçar, teksa rrufit kafen e tij në një nga lokalet e Tiranës.
Eraldi, kamarier në një nga lokalet në qendër të Tiranës, thotë se përgjithësisht njerëzit porosisin kafe, kryesisht në mëngjes, por edhe në orët e drekës e pasdites. "Kafeja është më e konsumuara", thotë ai.
Por, a të mban vertët kafja zgjuar, sikurse shumë pretendojnë? Një studim i shkencëtarëve anglezë tregoi se niveli i nxitjes së ankthit mes konsumuesve të rregullt të kafesë ishte më i ulët, sesa atyre që nuk pinin kafe. Mes personave që e kanë bërë zakon pirjen e kafesë, organizmi krijon një lloj imuniteti a tolerance ndaj kafeinës, duke shmangur çdo efekt të saj, thuhet në këtë studim. Por, kur personat që konsumojnë shumë kafe përpiqen t'a rrallojnë atë, janë të prirur për të provuar dhimbje koke, ndaj marrja rregullisht e kafesë i kthen ata përsëri në gjendjen që u dukej normale.
Nga ana tjetër, shkencëtarët kanë ngritur pyetjen se sa ndikon kafeina në shëndet, duke ndërmarrë mjaft studime. Ndërkohë, një studim në Hollandë tregoi se njerëzit që pijnë shumë kafe ose çaj nuk duhet të shqetësohen, sepse nga ato përfiton zemra e tyre.
Kafeja, mund të jetë e mirë edhe për trurin gjithashtu, tregoi një tjetër studim nga neuroshkencëtarët në Universitetin e Lisbonës, pasi mund të ndihmojë për të parandaluar degjenerimin nervor, shoqëruar me çrregullime të trurit dhe plakja.z.t/