Në panairin e kulinarisë në Lezhë, vizitorët patën mundësi të shijojnë gatime të shumta,  nga ëmbëlsirat e deri tek recetat tradicionale, ku shega ishte përbërësi kryesor. Në aktivitet morën pjesë edhe biznese lokale të gastronomisë dhe produkteve vendase.

Sipas kuzhinierëve pjesëmarrës, shega po përdoret gjithnjë e më shumë në gatim dhe duhet promovuar si një produkt me vlera të mëdha ushqyese, estetike dhe shëndetësore.

“Shega është një nga frutat më të kultivuara prej dekadash në Lezhë dhe se fundmi po perdoret dhe ne rizoto e spageti, jo vetëm në ëmbëlsira”,  u shprehën disa prej shefave të kuzhinës, si Mir Zoti, Ndoc Shtjefni, Mimoza Balla e Gjovalin Zeka.

Eksperti i mjedisit Jak Gjini theksoi se aktivitete të tilla, që ndërthurin kulturën, traditën dhe gastronominë, janë mënyra më e mirë për të promovuar potencialin e rajonit të Lezhës.

Edhe kryetari i bashkisë Pjerin Ndreu vlerësoi se Festa e Shegës është kthyer në një traditë të përvitshme që promovon Lezhën përmes turizmit dhe kulinarisë vendase.

Aktiviteti, që zgjati për disa orë, tërhoqi vëmendjen e qindra qytetarëve e vizitorëve, të cilët shijuan produktet tradicionale dhe u argëtuan me programin artistik të organizuar në sheshin “Gjergj Kastrioti”.