Si demi që turfullon para bezes së kuqe, Partia Demokratike iu turr Fatmir Xhafajt, madje sajoi edhe Babalen, për të cilën bëri burg Salianji, për përfshirjen e të vëllait në trafikun e drogës. Ndonëse Xhafaj nuk mbart përgjegjësi ligjore për aktivitetin e paligjshëm të të vëllait, lodrat e SHQUP-it nuk pushuan për dy vite me radhë. Krahas dosjes, Xhafajt i tundnin edhe një fotografi me Enver Hoxhën, në një kohë kur më shumë fotografi me diktatorin kishin vetë Kumbari i SHQUP, Sali Berisha bashkë me Tritan Shehun, ish pionerin kundër kishave dhe xhamive.

Një ditë më parë, mediat italiane raportuan se vëllai i deputetes së Partisë Demokratike Elda Hoti, Markelian Hoti, 27 vjeç, është arrestuar në Romë në zbatim të një urdhër-arresti europian të lëshuar nga autoritetet gjyqësore belge për trafik të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut drejt Europës. Në vitin 2016, Ladi Ndoja, bashkëshorti i deputetes së PD, Elda Hoti, u arrestuar në flagrancë në Venecia të Italisë, pasi e kishte kthyer shtëpinë në bazë droge.

Para zgjedhjeve të 11 majit 2025, bashkëshorti dhe vëllai i deputetes së PD-së u arrestuan për kanosje ndaj votuesve. Ndërkaq, në vitin 2021, Llesh Nikolli iu drejtuar KQZ-së me ankesë, duke akuzuar deputeten Elda Hoti se ka fshehur ndryshimin e emrit të babai të saj nga David në Artan Hoti, për shkak të të shkuarës së tij kriminale.

Në gusht të vitit 2021, Mark Marku dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, të cilin ia besuan qytetarët e Qarkut të Lezhës në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Vetëm disa ditë para se të konstituohej Kuvendi ri, deputeti i PD-së hoqi dorë nga mandati për motive jo edhe aq bindëse. Vendin e tij e zuri pikërisht Elda Hoti. PD mori katër mandate në Lezhë. Elda Hoti renditej e pesta në listë me 2733 vota.

Zonja Hoti kishte qenë më parë kandidate e LSI-së. Mandej kaloi me Partinë Republikane të Fatmir Mediut, ku edhe mori madatin e Mark Markut, duke u zhvendosur përfundimisht tek PD-ja. Ka dyshime të forta dhe zëra që madati i zonjës Hoti është blerë me para produkt i aktivitetit kriminal. Rasti i Elda Hotit tregon se kauza e narkoshtetit të opozitës është thjesht një beze e kuqe në arenën politike dhe se Sali Berisha operon dhe zbaton vetë çdo marifet, për të cilin akuzon kundërshtarin politik.