Nga Gjiri Persik po del një mesazh i qartë: Irani nuk është tërhequr dhe po zbaton planin që kishte paralajmëruar prej kohësh. Teherani ka zgjedhur një luftë të gjatë konsumimi, me synimin të krijojë presion mbi Shtëpinë e Bardhë, tregjet dhe votuesit amerikanë.

Para nisjes së operacionit “Epic Fury”, udhëheqja iraniane kishte paralajmëruar se si do të përgjigjej në rast sulmi. Në skenar ishin goditjet ndaj bazave amerikane në rajon, presioni mbi trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit dhe veprime hakmarrëse në disa fronte. Pikërisht kjo po ndodh tani, ndërsa nga Uashingtoni kanë dalë edhe zëra që pranojnë se rreziku mund të jetë nënvlerësuar.

Mesazhi i Iranit ishte i drejtpërdrejtë: presidenti Donald Trump nuk duhet të presë një konflikt të kufizuar ku SHBA mund të tërhiqet duke shpallur fitoren. Sipas Teheranit, përplasja do të jetë më e gjerë dhe më e gjatë, ndërsa fundi i saj nuk do të vendoset nga kundërshtarët.

Ideja është të mbahet gjallë një konflikt i vazhdueshëm që krijon presion politik dhe ekonomik te kundërshtari. Në këtë logjikë, Irani nuk ka nevojë të fitojë në mënyrë klasike. Mjafton të mos mposhtet.

Megjithatë kjo strategji ka edhe koston e vet. Irani po pëson dëme të mëdha dhe ekonomia e vendit ishte në vështirësi edhe para luftës. Inflacioni i lartë, kriza e ujit, protestat në qytete dhe sanksionet ndërkombëtare e kanë bërë situatën të brishtë. Pavarësisht kësaj, Teherani po përpiqet ta zgjerojë përplasjen duke përfshirë sa më shumë vende në rajon. Për këtë arsye janë parë sulme me dronë dhe raketa drejt monarkive sunite, Azerbajxhanit, Turqisë dhe deri në Qipro.

Strategjia iraniane është ndërtuar mbi përvojën e viteve. Vendi ka dy struktura ushtarake paralele: Gardën Revolucionare dhe ushtrinë e rregullt. Sistemi i sigurisë nuk ka arritur gjithmonë të ndalë infiltrimin e kundërshtarëve, por nga ana tjetër reagimi ndaj kundërshtimit të brendshëm mbetet i ashpër.

Në terren, arma kryesore janë raketat dhe dronët kamikazë, relativisht të lirë për t’u prodhuar. Përplasja 12-ditore e qershorit ka shërbyer si provë për të ndryshuar taktikat. Sulmet janë drejtuar edhe ndaj aeroportëve dhe rafinerive për të krijuar ndikim në sektorin civil dhe për të përhapur pasiguri në rajon.

Sipas disa vlerësimeve janë goditur të paktën 17 instalime ushtarake amerikane. Në disa prej tyre janë dëmtuar radarë të rëndësishëm të mbrojtjes kundërraketore dhe qendra komunikimi, çka mund të ngadalësojë sistemet e paralajmërimit të hershëm.

Sulmet e vazhdueshme kanë detyruar SHBA-në, Izraelin dhe aleatët të përdorin një numër të madh raketash interceptuese. Burime të cituara nga New York Times thonë se janë përdorur nga 100 deri në 250 raketa THAAD, deri në gjysmën e rezervave amerikane, si edhe rreth 80 raketa SM-3. Pentagoni kishte krijuar rezerva, por tani është detyruar të zhvendosë urgjentisht sisteme dhe municione nga bazat në Korenë e Jugut drejt Lindjes së Mesme.

Në këtë përballje pritet të përfshihen edhe specialistë ukrainas, të thirrur për të ndihmuar në përballimin e sulmeve me dronë dhe raketa. Disa analistë mendojnë se kapacitetet iraniane kanë rezultuar më të forta nga sa ishte parashikuar.

Edhe pse udhëheqësi suprem Ali Khamenei dhe disa gjeneralë janë vrarë gjatë sulmeve, zinxhiri i komandës në Iran nuk është shembur. Udhëheqja kishte parashikuar shpërndarjen e komandës dhe më shumë autonomi për oficerët në terren për të ruajtur funksionimin e strukturës.

Nga ana tjetër, ofensiva e përbashkët amerikano-izraelite ka goditur rëndë kapacitetet ushtarake iraniane. Fabrikat e raketave, bazat ushtarake dhe një pjesë e madhe e pajisjeve janë dëmtuar ose shkatërruar. Sipas mediave izraelite, rreth 3 mijë anëtarë të Gardës Revolucionare janë vrarë dhe gjysma e lëshuesve të raketave janë nxjerrë jashtë funksioni.

Megjithatë lufta nuk është mbyllur. Një tjetër front i mundshëm mbetet Deti i Kuq, ku rebelët Houthi në Jemen, aleatë të Iranit, mund të rifillojnë sulmet ndaj anijeve tregtare.

Për disa analistë kjo është një kartë që Teherani mund ta përdorë nëse Arabia Saudite vendos të hyjë drejtpërdrejt në konflikt. Edhe veprime të rralla, apo vendosja e disa minave detare, mund të mjaftojnë për të krijuar frikë dhe për të trazuar trafikun në një nga rrugët më të rëndësishme të tregtisë botërore./CorrieredellaSera