'Si regjistrohet prona në pallatet që kanë probleme me ndërtuesit'

'Si regjistrohet prona në pallatet që kanë probleme me ndërtuesit'

Ekspertja Algerta Elezi në Report Tv

Emisionit “Këndi i Ekspertit” në Report TV i është shtuar edhe një puntatë tjetër, ajo e ditës së martë kur do të jenë të ftuar specialistë nga Hipotekat ose nga ALUIZNI. Si gjithmonë nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli “Këndi i Ekspertit” ditët e marta do të prekë problematikat e hipotekimeve dhe legalizimeve.

Këtë javë në emision ishte e ftuar ekspertja e hipotekës Algerta Elezi (hartografe), e cila ka sqaruar filimisht disa problematika siç janë mënyra se si bëhet regjistrimi fillestar të pronës apo se si do të veprohet me pallatet që kanë probleme me ndërtuesit, të cilët kanë falimentuar apo janë larguar dhe më pas u është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve.

Vazhdimisht qytetarët ankohen se nuk kryejnë dot punë pranë zyrave të hipotekave të vendit. Nga ana tjetër, ju zyrtarët e këtyre institucioneve përsërisni vazhdimisht se qytetarët që duan të kryejnë veprime për sa u përket pronave, mund të aplikojnë online. A mund ta shpjegojmë më thjesht se si duhet të veprojnë qytetarët?
Qytetarët për të marrë të gjitha shërbimet që ofron Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), duhet të drejtohen te zyrat e hipotekave. Aktualisht, në ZRPP-në e Tiranës, ku edhe unë jam specialiste, janë sportelet e ADISA-s që ndodhen pranë zyrave të hipotekës.

Nëse një qytetar kërkon të bëjë p.sh. një ndarje pasurie, duhet që të depozitojë dokumentacionin, certifikatën e pasurisë, planin e rilevimit, dokumente origjinale që të dyja, dhe do të marrë një numër aplikimi, i cili më pas do të administrohet nga zyra e hipotekës dhe do të shqyrtohet për t’i dhënë qytetarit shërbimin që ai kërkon. Zyrat e hipotekës ndodhen në rrugën “Jordan Misja”, ose pranë burgut, ngjitur me godinën e Tatimeve dhe të aplikojnë te sportelet ku shkruhet “ADISA”.

Si do të veprohet me pallatet që kanë probleme me ndërtuesit, të cilët kanë falimentuar apo janë larguar?
Është gjetur dhe një zgjidhje për këto pallate sepse ka shumë qytetarë në Tiranë, të cilët vijnë dhe ankohen edhe pranë zyrave tona përse nuk mund të pajisen dot me certifikatat e pronësisë. Shpeshherë ata kanë një kontratë porosie me ndërtuesin, i cili më vonë ka falimentuar dhe shpeshherë ankohen se përse këto kontrata porosie nuk mund t’i kthejnë qytetarët në pronarë. Në këto raste është proceduar me legalizimin individual të çdo njësie apo apartamenti në këto ndërtime. Pasi bëhet legalizimi i çdo njësie, atëherë vijnë për regjistrim në ZRPP dhe ne e pajimin qytetarin sipas ligjit me certifikatën e pronësisë.

Qytetarët ankohen se sorollaten edhe për regjistrimin fillestar të pronës. Cilat janë hapat që duhen ndjekur për të kryer këtë proces?
Procesi i regjistrimit fillestar është ndër proceset që nga ZRPP ose specialistëve që punojnë aty u kërkon më shumë kohë dhe përkushtim. Dokumentacioni i cili duhet të përgatitet për këtë regjistrim fillestar ka të bëjë me institucione të tjera, me të cilat ne bashkëpunojmë. Aktualisht, p.sh. për dokumentacionin e regjistrimit të tokës të ndarë me Ligjin 7501, janë njësitë administrative të cilat përgatisin materialin, më pas ky material kalon për konfirmim në Bashkinë e Tiranës dhe më pas vjen për regjistrim në ZRPP. Dokumentacioni përcillet në mënyrë zyrtare dhe qytetari duhet të bëhet me dije, me anë të një shkrese nga institucioni i cili e përcjell këtë dokumentacion, dhe me të njëjtën shkresë paraqitet pranë sporteleve të ZRPP dhe më vonë, ne bëjmë trajtimin e kërkesës së qytetarit.

Cilat janë problemet që hasin më shumë qytetarët pranë zyrave tuaja?
Problematikat janë të shumëllojshme. Por, duke qenë se edhe unë jam e profilizuar, jam hartografe, mund të përmend disa problematika që ka me hartat. Ndoshta ky është procesi ku qytetarët janë më të ndjeshëm sepse kërkojnë të gjithë pronat e tyre, kërkojnë që të zhvillojnë pronat dhe për disa arsye hartat, të cilat nuk janë të azhurnuara ndoshta ashtu siç duhet, nuk i lejojnë qytetarët që të zhvillojnë pronat e tyre. Kjo ka arritur në atë gjendje që qytetarët të irritohen. Gjithsesi mund të them që procesi i azhurnimit të hartave me terrenin dhe bashkëpunimi që kemi ne me zyrat e ALUIZNIT po vazhdon aktualisht. Dhe po përpiqemi që të bëjmë azhurnime, të paktën pjesore, dhe kjo ka filluar tani, të hartave të parcelave, të cilat qytetarët do t’i marrin tani jo vetëm digjitale por edhe sipas gjendjes në terren.

Flas nga Lezha. Kam dy probleme, meqenëse zonja është hartografe. Problemi im lidhet së pari me ALUIZNIN dhe me hipotekën. Kam bërë një ndërtim, shtesë pallati, në vitin 2005, me leje ndërtimi. Mirëpo bashkia nuk ma ka shitur truallin, pra është faji i atyre sepse unë kam ndërtuar në tokë shtetërore. Më kanë dhënë lejen e ndërtimit, kam bërë pagesat përkatëse. Pasi kam ndërtuar, dosja ka bërë disa ecejake për 10 vjet dhe më në fund prona më është regjistruar në kartelë, por nuk më është dhënë certifikata. Jam lidhur me zyrë për pronat te “21 dhjetori” dhe ata më kanë sugjeruar, që në vitin 2012, që ka kaluar afati i blerjes së pronës nëpërmjet komisionit dhe të gjej zgjidhje nëpërmjet legalizimit. Atëherë, unë kam aplikuar në vitin 2013 tek ALUIZNI. Më ka dalë leja e legalizimit dhe kam bërë pagesat përkatëse. Ligjet ndryshojnë herë pas here.

Që nga viti 2013 e deri më sot kam takuar 6-7 drejtues të hipotekës së Lezhës dhe nja 7 të ALUIZNIT, dhe megjithëse unë e kam paguar truallin dhe kam marrë lejen e legalizimit, më thonë që ka mbivendosje. Prona në kartelë është e regjistruar në emrin tim, por certifikatën nuk e marr dot se ka mbivendosje. Kam dhe një problem tjetër, lidhur me Ligjin 7501. Prej 50 vjetësh jam banor i këtij qyteti. Babai im, që ka marrë tokën sipas Ligjit 7501, ka vdekur. Toka nuk është regjistruar. Shkoj ta regjistroj dhe më kërkojnë certifikata të viteve 1945, 1974, 1991 etj. Të gjithë të afërmit e mi që figurojnë në këto certifikata janë martuar dhe janë trajtuar me tokë sipas Ligjit 7501.

Zotëria ka një pronë që dëshiron ta regjistrojë pranë ZRPP. Ai është pajisur me një leje legalizimi dhe në hipotekë i thonë që ka mbivendosje. Atëherë, në raste të tilla, në momentin kur një qytetar është pajisur me një leje legalizimi, dhe vjen pranë ZRPP për ta regjistruar dhe aty e informojnë që ka një pronar tjetër, veprohet me një VKM shpronësimi të pronarit të mëparshëm dhe më pas regjistrohet prona në emër të zotërisë, i cili është i pajisur me leje legalizimi. Kjo është procedura e dy institucioneve dhe e bashkëpunimit ndërmjet tyre.

Ndërsa për sa i përket tokës së marrë nga babai i zotërisë sipas Ligjit 7501, dokumentacioni do të administrohet nga njësia administrative. Duhet certifikata familjare e vitit 1991 sepse në vitin 1991 kjo AMTP ose tapia, siç njihet nga qytetarët, i është dhënë kryefamiljarit të familjes bujqësore, pra babait të zotërisë. Prandaj duhet certifikata familjare e vitit 1991 për ish-kooperativat bujqësore ose certifikata familjare e vitit 1992 për ish-ndërmarrjet bujqësore. Ky është një dokument i rëndësishëm, me anën e të cilit pastaj ZRPP bën regjistrimin dhe pajisjen me certifikatë pronësie.

Flas nga Tirana, nga njësia administrative nr. 7. Kam 11 vjet që kam bërë procedurat e legalizimit dhe tani më thonë që zona nuk është futur në sistem.
Bëhet fjalë për zonën kadastrale nr. 8220. Sapo ka përfunduar procesi i fundit i produktit digjital të kësaj zone, i cili është miratuar nga të gjithë specialistët dhe tashmë jemi në pritje që ai të futet në sistem, në mënyrë që qytetarët të marrin hartat digjitale dhe jo ato manuale. Është vetëm çështje koha sa të futet në sistem. Më pas qytetarët do t’i marrin të gjitha shërbimet për të cilat kanë aplikuar.

Flas nga Selita. E kam marrë certifikatën e shtëpisë, bashkë me 300 metra, por në plan rilevim e kam pasur 400 metra. Pse më janë hequr 100 metra?
Ashtu si zotëria ka edhe disa qytetarë të tjerë që ankohen për zvogëlimin e sipërfaqeve të pronave të tyre. Dua të theksoj që ZRPP vetëm e regjistron pasurinë, d.m.th. dokumentacioni, sidomos për rastin që pyet zotëria, përgatitet nga njësia administrative, e cila këtë dokumentacion e dërgon për regjistrim dhe konfirmon një plan rilevimi, i cili më pas shqyrtohet nga specialistët e ZRPP. Dhe, nëse njësia administrative ka konfirmuar një plan rilevimi për këtë sipërfaqe, atëherë ZRPP është e detyruar ta marrim për bazë, gjithashtu duke iu referuar edhe VKM-ve, edhe ligjeve në fuqi, për regjistrimin e tokës bujqësore.

Flas nga Tirana. Kam blerë një shtëpi këtu në Tiranë, para 30 vitesh. E kam të regjistruar në hipotekë, por akoma nuk e kam marrë certifikatën. Kam aplikuar mbi 20 herë, për rreth 15 vite, paguaj vetëm para për aplikimet dhe kurrë s’kam mbaruar punë. Faktikisht unë banoj jashtë Shqipërisë. Përgjigjen e fundit e kam marrë para 3 ditësh.
Besoj se specialistët e ZRPP i kanë kthyer përgjigje për një dokumentacion të caktuar, i cili është konform udhëzimeve dhe ligjeve që ne kemi në fuqi. Pasi qytetari e plotëson këtë dokumentacion, patjetër që ai do të pajiset me certifikatë.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen