Lezha u bë pjesë e aktiviteteve të Javës Kombëtare të Ndërgjegjësimit për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë, ku në shkollën “Karl Gega” në Balldren u zhvillua një demonstrim për përballimin e situatave emergjente.

Gjatë aktivitetit u simulua një rast zjarri, ndërsa u treguan mënyrat e ndërhyrjes dhe koordinimit mes strukturave përgjegjëse për menaxhimin e rasteve të tilla.

Në demonstrim morën pjesë shërbimi i urgjencës, Policia, zjarrfikësit dhe Kryqi i Kuq. Ata prezantuan procedurat që ndiqen në rast zjarri, mënyrën e dhënies së ndihmës së parë dhe masat për garantimin e sigurisë së personave të përfshirë.

Aktivitete të tilla synojnë të rrisin ndërgjegjësimin e nxënësve dhe komunitetit për rreziqet që vijnë nga fatkeqësitë natyrore, si edhe t'i njohin qytetarët me veprimet që duhet të ndërmarrin në raste emergjente. Sipas organizatorëve, bashkëpunimi mes institucioneve dhe informimi në kohë mbeten thelbësore për mbrojtjen e jetës dhe uljen e rrezikut.