Si sot 2 vite më parë Papa Françesku shenjtëroi Nënë Terezën, mesazhet e rëndësishme të paqes dhe shpresës (FOTO)

Si sot dy vite më parë, në një ceremoni madhështore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Papa Françesku, e shpalli Nënë Terezën “ShënTereza e Kalkutës”. Me këtë rast, Vatikani ka përkujtuar sot në një ceremoni të veçantë përvjetorin e dytë të shenjtërimit të Nënë Terezës.

“Për Nënë Terezën, mëshira ishte "kripë" e cila i dha aromë punës së saj, ishte "drita" që shkëlqente në errësirën e shumë njerëzve që nuk kishin më lot për të derdhur për varfërinë dhe vuajtjen e tyre”, u shpreh Papa Françeskut, gjatë predikimit masiv me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës.  Në ceremoni morën pjesë mijëra pelegrinë, që mbushën sheshin qendror të kësaj selie. Mesha u drejtua nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, i cili tha se Nënë Tereza ishte një grua bujare, e cila ndihmoi të braktisurit dhe të pamundurit.

Pjesë nga fjala e Papa Françeskut në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës

Kudo qoftë një dorë që kërkon ndihmë, aty duhet të jetë prania jonë, dora e Kishës që mbështet dhe dhuron shpresë. Nënë Tereza ka qenë bujare, duke mundësuar pranimin për të gjithë dhe të mbrojtës së jetës njerëzore. Ajo është përkul mbi persona që ishin braktisur nëpër rrugë duke u njohur dinjitetin që u ka dhënë Zoti. Ne deklarojmë dhe e shpallim te bekuarën Tereza të Kalkutës një shenjt dhe e vëmë atë në mesin e shenjtorëve të tjerë të cilët nderohen nga kisha dhe besimtarët katolikë. Nënë Tereza nisur nga sot do të njihet si Shën Tereza e Kalkutës.  Sot i dorëzoj botës këtë figurë emblematike të gruas e shënjtërimit. Le të jetë ajo modeli juaj i Shenjtërisë. Kjo punëtore e palodhur e mëshirës na ndihmon të kuptojmë gjithnjë e më shumë se kriteri i vetëm i veprimit tonë duhet të jetë dashuria e lirë nga çdo ideologji, nga cdo kufi, e ndaj të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race e feje.

Papa  Françesku

Në ceremonë e zhvilluar në Vatikan morën pjesë krerët më të lartë të shtetit shqiptar, por edhe personalitete nga e gjithë bota. Spikati në ceremoni, mbretëresha Sofi e Spanjës, dhe 13 krerë shtetesh. Nuk munguan shqiptarë të shumtë, që valëvisnin mbi shpinë flamurin kombëtar.

Papa Françesku gjatë ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës

120 televizione nga e gjithë bota, 600 gazetarë dhe 125 korrespondentë ndoqën këtë ngjarje e cila shenjon në historinë e Shqipërisë.

4 shtatori, ishte dita kur politika shqiptare u bë bashkë në Vatikan, për të ndjekur ceremonë e shenjtërimit të shqiptares që përhapi shpresën dhe paqen në botë.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja, ish-kryeministri Sali Berisha, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, Ilir Meta, kryetar Kuvendi asokohe, e presidenti Nishani ishin disa nga politikanët shqiptarë të cilët morën pjesë në ceremoni.

Nuk munguan artistët shqiptarë,  që morën pjesë në koncertin në vigjilje të shenjtërimit, më datë 3 shtator 2016, si Rita Ora, Lorik Cana, Shkëlzen Doli, Ermonela Jaho e Inva Mula.

Kush është Nënë Tereza, shqiptarja Agnesë Gonxhe Bojaxhi?

Agnesë Gonxhe Bojaxhi u lind më 1910 dhe u nda nga jeta në vitin 1997, në një familje shqiptare në Shkup. Ajo nisi jetën si murgeshë në moshën 17-vjeçare në vitin 1927. Ajo u largua më 1928 drejt Dublinit në Irlandë. Dy vite më vonë, ajo shkoi drejt Indisë, ku krijoi edhe një urdhër të saj “Misionarët e Bamirësisë”, më vitin 1951, i cili vazhdon të funksionojë edhe sot.

Ajo ishte nënë e kujdestare e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla,  dhe ndihmoi me mjekim 960 000 të sëmurë në 213 dispanseri. Nënë Tereza trajtoi 47 000 viktima të lebrozës në 54 klinika,  dhe u kujdes për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, si dhe birësoi160 fëmije ilegjitim e bonjake.

Në vitin 1979, Nënë Tereza, mori çmimi Nobel për Paqe, ku gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Në çastin kur mori çmimin Nobel, Nënë Tereza mësohet se ka thënë: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Shqipëria komuniste e asaj kohe, nuk e lejoi Nënë Terezës as të vinte në Shqipëri e të takonte të ëmën e saj në Tiranën. Në fillimin e viteve ’90, ajo erdhi për herë të parë në Shqipëri, pasi mori pasaportën e saj.

“E pranoj me kënaqësi, sepse është pasaporta e vendit tim; atje kam Nënën dhe motrën, atje kam miq e të njohur, atje shumë shpejt do të hapim misionin tonë e unë do te jem vetë aty. Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës.”-ka thënë Nënë Tereza. Ajo ndërroi jetë më 5 shtator 1997.

Disa nga shprehjet e Nënë Terezës

Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.

Nganjëherë, ne mendojmë se varfëri do të thotë vetëm të jesh i uritur, i zhveshur e pa shtëpi. Varfëria e të qenit i padëshiruar, i padashur, pa njeri që të kujdeset për ty, kjo është varfëria më e madhe. Ne duhet të fillojmë nga shtëpitë tona për t’i dhënë fund kësaj lloj varfërie.

Të gjithë e provojmë në jetë dhimbjen, vetminë. Duhet të kemi guxim e t’i njohim kur vijnë. Të varfrit mund t’i keni edhe në familjen tuaj. Gjejini. Duajini.

Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.

Të varfrit na japin shumë më tepër nga sa u japim ne atyre. Ata janë kaq të fortë, jetojnë çdo ditë pa ushqim e nuk mallkojnë kurrë, nuk ankohen. S’kemi nevojë të tregojmë mëshirë apo simpati për ta. Kemi kaq shumë për të mësuar prej tyre.

Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.

Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!

Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Çfarë mund të bëni për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duajeni familjen tuaj.

Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba për të sjellë paqe në botë, ne kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri.

Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim