Mbërritja e mbretërve në Vatikan
Mbretërorët britanikë Charles dhe Kamila mbërritën paraditen e kësaj të enjteje në Vatikan. Karvani i tyre hyri nga Via della Conciliazione, kaloi në Sheshin e Shën Pjetrit, nën Harkun e Kambanave, dhe mbërriti në Oborrin e Shën Damasit, ku u pritën me nderime ushtarake përpara se të hynin në Pallatin Apostolik për takimin me Papa Leonin e 14.
Tituj nderi dhe shkëmbim simbolik mes dy kishave
Gjatë ceremonisë së pasdites, Mbreti Charles do të shpallet “Vëlla i Nderuar Mbretëror” (Royal Confrater) i Abacisë dhe Bazilikës së Shën Palit jashtë mureve.
Në këmbim, me aprovimin e mbretit, Dekani dhe Kanonikët e Kolegjit të Shën Gjergjit të Uindsorit i kanë ofruar Papa Leonit të 14 titullin “Vëlla i Nderuar Papnor” (Papal Confrater) të Kapelës së Shën Gjergjit, që ndodhet në Kështjellën e Uindsorit. Papa e ka pranuar këtë nderim.
Ky shkëmbim simbolik titujsh përfaqëson një akt bashkimi shpirtëror dhe një njohje të rrugëtimit të përbashkët që Kisha e Anglisë (ku Mbreti Charles është Guvernator Suprem) dhe Kisha Katolike Romake kanë përshkuar gjatë pesë shekujve të fundit.
Shkëmbimi i dekoratave
Në këtë ceremoni historike do të ketë gjithashtu një shkëmbim dekoratash të larta nderi:
- Mbreti Karl do t’i dhurojë Papës titullin “Kalorës i Madh Kryq i Urdhrit të Bathit” (Knight Grand Cross of the Order of the Bath), një urdhër që tradicionalisht u jepet krerëve të shteteve.
- Papa Leoni XIV do t’i akordojë Mbretit titullin “Kalorës i Madh Kryq me Jakë të Urdhrit të Piusit IX” (Knight Grand Cross with Collar of the Order of Pope Pius IX).
- Mbretëresha Kamila do të marrë dekoratën “Zonjë e Madhe Kryq” të po të njëjtit Urdhër.
Masa të rrepta sigurie në Romë
Për shkak të kësaj ngjarjeje të nivelit të lartë, në Romë dhe në Vatikan janë vendosur masa të përforcuara sigurie. Shumë hyrje drejt Sheshit të Shën Pjetrit janë mbyllur, përfshirë edhe Via della Conciliazione, rruga kryesore që lidh qytetin me Vatikanin.
Megjithatë, pelegrinazhet drejt Portës së Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit po vazhdojnë, duke ndjekur itinerare të posaçme për besimtarët. Kjo vizitë konsiderohet një moment historik i pajtimit dhe bashkëpunimit shpirtëror midis Kishës Anglikane dhe asaj Katolike, pas një ndarjeje që daton që nga koha e Mbretit Henri VIII.
//ANSA
Komente








