Si të kujdesemi për fëmijët e vegjël,
këshilla nga më të ndryshmet

Si të kujdesemi për fëmijët e vegjël,<br />këshilla nga më të ndryshmet
Foshnja e porsalindur mbrohet nga infeksionet duke krijuar kushte të përshtatshme në dhomën e tij. Mikrobet që sjellin infeksione ai i merr nga njerëzit që i afrohen dhe i qëndrojnë pranë. Për këtë arsye, përveç prindërve dhe të afërmve që i shërbejnë, nuk duhet t'i afrohet askush tjetër. Jo çdo vizitor duhet të qëndrojë pranë fëmijës. Gjithashtu edhe fëmijët e rritur që kërkojnë të luajnë me foshnjën duhet të shmangen. Kur të afërmit e foshnjës janë të sëmurë, duhet të përdorin maska mbrojtëse.

TË QARËT E FOSHNJËS
I porsalinduri fle i qetë ditën dhe natën. Ai qëndron zgjuar kur ushqehet dhe ndërrohet. I porsalinduri qan kur kërkon të pijë, të ndërrohet ose kur e shtrëngon apo ngacmon ndonjë rrobë e papërshtatshme. Gjithashtu qan kur ka gazra në zorrë dhe kur nuk mbahet rregulli i ushqyerjes. I porsalinduri qan kur mësohet të lëkundet në shtrat ose në krahë. Ai qan edhe kur është i sëmurë. Nëna e vëmendshme konstaton arsyen.

USHQYERJA E TE PORSALINDURIT
Qumështi i gjirit është ushqimi më i përshtatshëm dhe më i domosdoshëm. Ai nuk mund të zëvendësohet plotësisht nga asnjë ushqim tjetër. Kulloshtra, qumështi i ditëve të para ka rëndësi të veçantë për të porsalindurin. Rëndësi të veçantë ka edhe vënia e shpejtë në gji e foshnjës. Thithja e gjirit është alternativa më e mirë për të bërë ardhjen e shpejtë të qumështit. Higjena e gjinjve është e rëndësishme. Nuk duhen lënë papastërti qumështi.

TË DALURAT JASHTË
Të dalurat jashtë te të porsalindurit gjatë ditëve të para të jetës quhen mekonium. Ato ndryshojnë nga faza tjetër e jashtëqitjes pasi foshnja ka marrë ushqim. Mekoniumi formohet në zorrët e fëmijës (fetusit) gjatë jetës së tij në mitrën e nënës. Ai përbëhet nga lëndë të ndryshme që ka gëlltitur fetusi si lëng amniotik, qeliza e lëndë të tjera të zorrëve e të tëmthit. Mekoniumi ka ngjyrë të gjelbërt të mbyllur. Ai nuk ka erë dhe nuk përmban mikrobe. I porsalinduri e nxjerr këtë masë fill pas lindjes dhe në 3-5 ditët në vazhdim. Pas këtyre ditëve të dalurat jashtë marrin pamje tjetër dhe kanë përbërjen e ushqimit që ai merr. Në rastin e ushqyerjes me gji ato janë të buta dhe të ngjashme me të verdhën e vezës. Nxjerrja e mekoniumit ka rëndësi dhe duhet të ndiqet sepse në rast se i porsalinduri nuk e nxjerr ka mundësi të ketë të bllokuar vrimën e daljes së zorrëve. Në këtë rast i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale pasi pasojat janë vdekjeprurëse. Ujët e hollë del gjatë lindjes ose shpejt pas lindjes. Gjatë ditës së parë, i porsalinduri lag 1-4 herë në ditë. Pas ditës së parë 6-10 herë në ditë.

TEMPERATURA E TRUPIT
Temperatura e trupit te foshnjës se porsalindur ka prirje te ulet shpejt pas lindjes dhe arrin 36 grade ose me pak. Pastaj kemi ngritje të lehte të temperatures dhe arrin deri në 37 grade ose pak me lart nga dita e dyte ose e trete. Ne femijet e lindur nen peshe ose premature temperatura e trupit ka tendenca zbritjeje. Gjatë javës së parë të jetës, temperatura e te porsalindurit nuk ka qëndrueshmëri. Duhet bërë kujdes në këtë fazë per temperaturën e ambientit. Ajo duhet te jete normale.

GJENDRAT E GJIRIT
Në disa raste në foshnjat e porsalindura vërehet zmadhim i gjëndrave të gjirit gjatë ditëve të para të jetës. Ky fenomen ndeshet edhe tek femrat edhe tek meshkujt. Kjo ndodh për shkak të qarkullimit të hormoneve. Këto i kalojnë foshnjës nga nëna. Këto gjëndra mund të nxjerrin edhe një lëng të ngjashëm me qumështin. Gjëndra ulet vetë dhe nuk duhen shtrydhur sepse dëmtohen.

VERDHËZA
Verdhëza në moshën e të porsalindurit takohet shpesh. Ajo mund të jetë e lehtë ose e rëndë. Disa herë ngjyra e verdhë e lëkurës së të porsalindurit është aq e zbehtë sa nuk bie në sy, herë të tjera me e theksuar. Ngjyra e bardhemës së syrit nuk ndryshon. edhe urina mbetet e pastër. Gjendja e përgjithshme e fëmijës mbetet e mirë. Verdhëza e zakonshme fillon të duket nga dita e 2-të e deri në ditën e 4-t dhe zhduket vetë nga fundi i javës së parë ose fillimi i javës së dytë të jetës. Verdhëza e zakonshme nuk ka nevojë për mjekim. Fëmija është mirë të marrë qumësht gjiri mjaftueshëm.

USHQYERJA E FËMIJËS

Prindërit duhet të zotërojnë njohuri të sakta mbi këtë problem. Ata duhet te dinë lëndët kryesore që përmbajnë ushqimet. Nëse ushqimit i mungojnë këto lende atëherë ai është i pamjaftueshëm për fëmijën. Ushqimi kryesor është gjiri. Në rast se mungon gjatë gjashtë muajve të parë të jetës duhet zëvendësuar me qumësht lope të përpunuar e të plotësuar. Lëndët e domosdoshme që duhet të përmbajnë ushqimet janë; proteinat, yndyrat, karbohidratet ose sheqernat, kripërat minerale, vitaminat, uji.

PROTEINAT
Janë lëndë të rëndësishme e të domosdoshme ushqyese për zhvillimin e organizmit, ndërtimin dhe ripërtëritjen e indeve, për formimin e fermenteve dhe hormoneve. Proteinat shërbejnë edhe si burim energjie. Një gram proteine jep rreth 4 kalori. Proteinat përbëhen nga aminoacide të ndryshme. Ato kanë prejardhje bimore dhe shtazore. Proteinat me prejardhje shtazore gjenden në mish, peshk, djathë, qumësht, vezë, gjizë, tru, mëlçi. Proteinat me prejardhje bimore gjenden në drithërat, në miellin e drithërave, në bukë, në oriz, në bizele, në thjerrëza. Ushqimi i fëmijës duhet të përmbaje me tepër proteina shtazore se sa bimore. Sasia e proteinave që kërkon organizmi i fëmijës për çdo kilogram peshe, në përpjesëtim me peshën është më e madhe se ajo që kërkon organizmi i të rriturit. Organizmit të të rriturit i mjafton 1 gram proteinë për çdo kilogram peshë, ndërsa fëmija i vogël ka nevojë për 2.5 deri në 3 gram proteina për çdo kilogram peshë.

Shkrimi u botua në Suplementin Shëndeti në gazetën Shqiptarja.com

(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi