Gjithnjë e më shumë, stinët nuk ndryshojnë nga njëra-tjetra. Nganjëherë të duket se jetojmë vetëm një kohë dhe ajo që na shoqëron, gjithmonë, është pafuqia jonë për ta përballuar atë. Nëse është shumë vapë, do të ankohemi për diellin dhe do të fajësojmë ngrohjen globale, nëse qëllon që të përmbytemi, do të fajësojmë gjithmonë diçka tjetër jashtë nesh dhe vetëm në një pikë duket se të gjithë jemi në një mendje : kur vjen puna për të vlerësuar jetën që çojmë në hapësirën dhe kohën shqiptare, atëhere, si pa u ndier, do të fajësojmë vendin ku jetojmë, duke nënkuptuar me këtë rast se sistemi që kemi zgjedhur, më shumë po na sjell trishtim sesa begati.
Gushti apo vapa e këtij muaji, ndoshta, nuk kanë lidhje me debatet që shtillen në hapësirën shqiptare, megjithatë, duket sikur lidhen me këtë muaj, sepse, duke u shtjellë në këtë stinë, janë më shumë të ngarkuara me afsh të nxehtë lufte sesa me freskinë që do të duhej të kishte arsyetimi dinjitoz. Në fakt, gjithë kjo retorikë, ashtu si shqetësimi për vapën apo si jargavitja për demokracinë e munguar, projektohen nga shqiptarët jashtë tyre dhe kërkohen të zgjidhen më parë në tekstin e shkruar qysh herët të nacionalromantizmit historik më shumë sesa në tryezën reale të bisedimeve.
Dëshira e Thaçit dhe Vuçiçit që të rishikojnë kufijtë mes Serbisë dhe Kosovës dhe të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për rinjohjen e ndërsjellë, është një çështje shumë e mprehtë, delikate, thelbësore dhe mund të rendisësh në këtë rast të gjithë përcaktorët e mundshëm për ta vlerësuar me seriozitetin sublim këtë ngjarje. Mirëpo kjo nuk mjafton.
Ballkani ka lënë pas një histori tragjike dhe aktualisht nuk është në qendër të vëmendjes totale të botës. Po ashtu, Ballkani, asnjë problem, sado të parëndësishëm, nuk mund ta zgjidhë vetë, sepse, në një farë mënyre, pas asaj tragjedie që u prodhua në vitet ’90 nga Millosheviçi, organizmat euroatlantike, në një mënyrë apo në një tjetër, e kontrollojnë vendimmarrjen këtu dhe askush nuk ka as fuqinë dhe as mundësitë që të prodhojë konflikt. Vendeve të Ballkanit dhe sidomos Kosovës e Serbisë po iu kërkohet që të gjejnë një zgjidhje në mënyrë që Serbia ta pranojë realitetin e ri dhe ta njohë Kosovën si shtet më vete. Ndryshe nga gjithë historia e mëparshme kur fati i Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, vendosej në tryezat europiane dhe shqiptarët masakroheshin dhe serbët e malazezët rrëmbenin territoret shqiptare, aktualisht, europianët dhe amerikanët e kanë përgatitur këtë tryezë në të cilën me dashje apo pa dashjen tonë historike, shqiptarët dhe serbët janë të detyruar të ulen dhe të gjejnë zgjidhje.
Mirëpo në këtë stinë të nxehtë nuk është vetëm vapa që duhet përballuar, më shumë akoma, nëse shfaqet edhe ndonjë problem që provokon ndjenjat folklorike të shqiptarëve, atëhere pamundësisë për të përballuar vapën i shtohet edhe pafuqia jonë e trashëguar për të përballuar demokracinë. Shqiptarët, në të dyja anët e kufirit, por jo vetëm ata, Ballkani në tërësi dhe shumë vende të tjera që janë përfshirë tani vonë në ndërtimin e jetës së tyre me anë të sistemit shumëpartiak dhe zgjedhjeve periodike, kanë krijuar iluzionin se po ndërtojnë apo se po jetojnë në demokraci. Në të gjitha këto vende, diku më shumë e diku më pak, demokracia jo vetëm që është një iluzion, por problemet që ato prodhojnë kanë në çdo rast peshën e së kaluarës.
Mjaft të vështrosh temat e debateve që shtjellohen sot në botë dhe do të shohësh se Ballkani është disi jashtë vëmendjes globale, në kuptimin që bota po përballet me të tjera sfida dhe nëse do të ktheheshim te tryeza e Hashimit më Vuçiçin, do ta kuptonim më mirë se kur partnerët tanë euroatlantikë deklarojnë që ok, bisedoni dhe nëse merreni vesh, kjo është punë për ju, kjo do të thotë se tani dinamika që prodhojnë probklemet e Balkanit është një spirale që mund të monitorohet dhe është një shans që u jepet këtyre vendeve që të mos vendosin në tryezë romanet tragjike të së shkuarës, por të shohin axhendën e së ardhmes. Natyrisht që në tryezën e bisedimeve dhe në një dialog apo në tratativat që bëhen për të zgjidhur një ngërç, të dyja palët futen për të fituar dhe për të humbur sa më pak. Në këtë rast, shqiptarët, sipas mendimit tim, duhet të përgatiten fort që të përballojnë jo vetëm këtë tryezë, por shumë e shumë tryeza që do të ngrihen në të ardhmen dhe në të cilat do të vendoset se si do të projektohet e ardhmja e shqiptarëve.
Ajo që mund të quhet si arritja më e madhe e shqiptarëve në këtë vjetët e fundit është afirmimi i një imazhi të ri për ne. Kosova, si rrallë ndonjëherë më parë, po shndrit me emra këngëtaresh botërore. Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Era Istrefi e kanë transformuar imazhin tonë dhe të Kosovës në tërësi dhe përkundër klisheve homofobe raciste dhe agresive ndaj shqiptarëve në tërësi e shqiptarëve të Kosovës në veçanti, fama dhe performanca e këtyre yjeve me famë botërore, ka bërë që edhe shqiptarët të përfshihen në mitologjitë moderne europiane. Siç e dimë të gjithë, Perëndimi i përparuar ka ndërtuar një mitologji të vetën që mbështetet kryesisht te sporti dhe te arti. Edhe në sport djemtë nga Kosova, por edhe Kombëtarja Shqiptare janë përfshirë në këtë mitologji që sapo përmendëm.
Nëse duam që sfidat tona t’i zgjidhim nesër në tryezat e bisedimeve duhet në radhë të parë që të ndërtojmë edhe ne mitologjinë e rrëfimit që mbështetet mbi sportin, artin dhe kulturën dhe të promovojmë ato vlera që na afrojnë me Perëndimin. Miti i natyrës së bukur që na ka falur Perëndia dhe miti i vendit të pasur nuk qëndron. Sot mitologjia europiane ka në qendër mitin e njeriut europian e perëndimor që ndërton paqen, që vë në qendër njeriun që respekton natyrën, që bëhet tërheqës për ata që duan ta vizitojnë dhe që eksporton paqe dhe mirëkuptim. Po ashtu, emri i Kosovës dhe Shqipërisë duhet të gjendet në të gjitha manifestimet e mëdha europiane e botërore të sportit apo të artit. Mendoni se çfarë do të ndodhte sikur ne shqiptarët të bëhemi të zotë një ditë që historinë tonë ta tregojmë në telenovela pafund dhe t’i përhapim ato sa më shumë jashtë. Jam i sigurtë se shqiptarët do të zënën vendin që meritojnë në familjen europiane kur të mendojnë më shumë për të zgjidhur problemet e tyre në tryeza bisedimesh dhe jo në ligjërime folklorike banale.
P.S. Natyrisht edhe unë i shkrova këto radhë në gusht, pra i ngazëllyer nga vapa e këtij muaji dhe për pak harrova se në Shqipëri, opozita ka premtuar që në shtator do nisë përpasjen e madhe, në Kosovë, partitë politike nuk mblidhen dot në një tryezë në Prishtinë e jo më jashtë saj. Mirëpo në gusht të gjithë flturojmë nga pak…