Inteligjent, fisnik por mbi të gjitha si kampion ( star ) i bukurisë elegancës dhe madhështisë së racës alpine. Këto tipare të mrekullueshme të Lulashit janë përshkruar në mënyrën më të ndjeshme, më elegante, me një adhurim të ngrohtë romantik. Zonja Lane me Lulashin takohet dhe njihet në Kishën e Thethit, ku me rastin e vizitës së saj kishin ardhur shumë malsorë në shtëpinë e At’Marjanit.
“Frati nuk kishte shërbëtor, por të gjithë ishin të gatshëm t’i ndihmonin. Disa na hoqën këpucët, të tjerë vunë ujë për tu nxehur mbi zjarr....Ngrohtësia dhe mikpritja e përzemërt që tregonin na shkriu dhe na kënaqi ne që rrinim si të mpirë. ..Një kryetar i gjatë, i bukur- Lulash ia thoshin emrin pa dyshim ishte burri më i bukur që kisha parë- na solli një qengj si dhuratë. Pranë tij duke pikuar qëndronte një çun i leckosur, këmbëzbathur dhe i zverdhur nga të ftohtit që kishte ardhur nëpër fushë për të më sjellë tri vezë. Një kryetar tjetër arriti me një pulë të majme dhe të tjerë me vezë”.(fq,101-102)
Portreti i Lulashit është skalitur me shumë realizëm, me një mjeshtëri të hollë fine, me ndjesi delikate femërore dhe sinqeritet të dlirë fëminor. Amerikania e Kalifornisë sugjestinohet përpara këtij burri veshur me tirqe nga leshi më i bardhë, që mund të nxirret nga leshi i deles, me jelek nga më të zeztë, ngjyrat e shokës së brezit të thekshme e të hareshme , qostekët e mëdhenj, pipi i duhanit prej qelibari unaza e kabloshore prej argjendi në gisht, koburja me doreza sermi në shokë dhe martina e zbukuruar me filigrame metalike te çmuara. Një specie e veçantë në një oaz të virgjër në një cep Ilirie të cilin e ka përjetësuar në memoristikën tonë përmes një vizatimi plot pasion, hir mirënjohje, aq sa i dedikon gjithë kredon, simpatinë dhe adhurimin vet.
“Lulashi më vështroi, profili i tij malësor u shndërrua në një pamje të plotë të një fytyre të hijshme, të ndjeshme dhe të fuqishme, të mbeshtjellë në të bardhë. Si i dukesha unë vallë? Po vrisja mendjen e strukur në batanijet e hedhura, me një xhemper kafe të mbledhur rreth qafe, me pantallonat e mija të rrudhosur dhe këmbë pa çorape.
Është momenti kur Lulashi i hyn dorëzanë në emër të banorëve të Thethit për Perollin, shoqëruesin e Zonjës Lane, pasi si nëpunës i qeverisë ishte i padëshiruar nga autoritetet serbe. Zonja Lane impresionohet kur mëson jetën dhe dashurinë e madhe për shkrim dhe lexim të kësaj krijese të mrekullueshmë të burgosur në errësirën e analfabetizmit, ku shpreson se më ndihmën e Kryqit të Kuq amerikan, fëmijët e Thethit nuk do të kenë fatin e trishtuar të baballarëve të tyre..
-“Unë jam krye parë i Thethit, kam shtëpi të madhe, bylykë të mëdhenj dhe shumë argjend, Të gjitha do ti jepja po të mund të lexoja...Shpresa jonë janë fëmijët tanë. Ato do të jenë pishtarë të vegjël që na nxjerrin nga errësira. Ju i keni ndezur këta pishtarë dhe unë ju them për Thethin dhe për Shalën dhe për vendin e shqipeve, zemrat tona janë tuajat. Rrofshi!”( fq 104).
Premtimin e Lulashit për të dhënë 500 lisa nga prona e tij për të djegur gëlqeren dhe ngritur shkollën për fëmijët e Thethit e konsideron si një sjellje princërore. Zonja Lane vëren te figura e burrit shqiptar të maleve thjeshtësi hirëplote, jo vetjak antipotin e burrave bashkëkombës të saj; “Ai nuk kishte asnjë shenjë mendjemadhësie vetjake, të cilën e kanë burrështetasit tanë”.
Vizita e zonjës Lane në shtëpinë e Lulashit, bashkëbisedimi i shkopsitur mbi martesën, gratë, lumturinë dhe familjen janë sekuencat më esenciale në rrafshin e mendimit psikologjik, shoqëror dhe etiko- moral të gjithë këtij libri që të rrëmben pa u ndjerë në gjithë labirintet e atyre moteve ( vitin 1922).
Ai u ngrit në lartësinë e tij prej dy metrash, i shkëlqyer në rroba të bardha leshi dhe me brez mëndafshi me qostek të derdhur në gurë të çmuar që cigeronin në gjoks dhe hodhi prap pushkën në sup, “ Tash ika në shtëpi”, tha ai –Sikur zonjusha amerikane do të vinte me mua për të pi kafe në oxhakun tim, udha që do të shkelin këmbët e saj do të ishte gjithmonë pranverore për sytë e mi”.
Sërisht amerikania befasohet përpara frazeologjisë metaforike të kavalierit hirëplotë të maleve, që nga formulimi dhe mirësjellja nuk u linte asgjë mangut fisnikëve të rangjeve më të larta aristokratike. Ishte një ftesë, që jo vetëm nuk mund të refuzohej, por surprizuese dhe shumë e mirëpritur.
“Në këso rastesh ka gjithmonë diçka ngjitëse ndaj i thashë përkthyesit: I thuaj se këmbët e mia do të jenë të lumtura me ardhë. “Të lumtë goja!”, tha Lulashi. “Të lumshin për jetë ato këmbë të vogla që të sollën në Theth!”
Tek Lulashi, njeriu i maleve, autorja zbërthen dhe përfytyron psikologjinë e kombit shqiptar . Dialogu për martesën ishte në ballafaqim i dy botëve diametralisht të ndryshme Për Lulashin martesa ishte çështje familjare. Njeriu martohet ngaqë njeriu e mbush moshën dhe kështu ka qenë familja shqiptare brez pas brezi.
Ekskursionistja e largët i rrëfen Lulashit se martesa në Amerikë nuk ka të bëjë shumë me familjen. Të rinjtë rriten duke menduar për vetveten dhe kur janë mjaft të pjekur nëse kanë para dhe nëse takojnë dikë që puqen martohen.
-“Më piku në kokë kur po vëreja befasinë gjithnjë e më të madhe në sytë e Lulashit se sa i rastësishëm dhe vetjak në të vërtetë sa i cekët është sistemi ynë. Ne martohemi ngaqë duam një qenie tjetër njerëzore , ngaqë në fund të fundit duam të shfrytëzojmë atë qenje njerëzore për të bërë veten tonë të lumtur
Ç’është lumturia? pyet autorja bashkëbiseduesin e saj të adhuruar:
-Lumturia,- përgjigjet Lulashi, nuk vjen nga martesa, por nga qielli, vjen nga dielli, nga drita dhe hijet e maleve, nga gjethet e njoma të pranverës. Lumturia buron edhe nga një prehje kur të jesh i lodhur, nga ushqimi kur të kesh uri, nga zjarri kur të kesh të ftohtë. Ajo vjen kur këndojmë se bashku, kur jemi në rrugë të vështira dhe jemi më të fortë se guri. Për herë të parë e pashë Lulashin me vëmendje.
Deri atëherë, s’kishte qenë pos një kafshë mrekullisht e bukur, një burrë si do të kenë qenë burrat para se të lindnin qytetet dhe makinat.
Tani po kuptoja se ai ishe një njeri i vërtetë.
Unë e adhuroja atë burrë!
Në sekuencat e rrëfimnajave të zonjës Lane për raportin e saj me starin e maleve, Lulashin e Thethit, duket qartë një dyzim mes adhurimit dhe dashurisë platonike, një afeksion i ndërsjelltë tundues, që e flakëroi Lulashin t’i kërkonte dorën për martesë, amerikanes, e cila kishte koncept krejt tjetër për martesën dhe dashurinë.
- Po më tha Perolli, “Lulashi dëshiron të marrë për grua një amerikane. Nuk them se më tha kaq shtruar. Në të vërtetë as që më tha. Por unë e di se ai mund të japë 20 mijë korona për ty dhe ti mund të rrish këtu dhe ta kalosh jetën në Shalë nëse do.”... Nganjëherë kjo kërkesë është nderë që fatbardhësisht apo fatkeqësisht, do ta bënte çdo grua krenare. Për veten time nuk do ta harroj kurrë si një ndër përvojat e mija më te shtrenjta këtë ofertë të Kryeparit perçelëshuar të Shalës.
Nuk kishte kurrfarë këmbëngulsie në të, as kërkesë vetjake rrëmbyese personale, për lumturinë e vet.... Ai ishte i bindur se kjo martesë do të ndihmonte në punën e tij për bajrakun e vet..... Këtu nderimi i gruas nuk mësohet si mirësjellje oborrtare, por është aq e natyrshme sa dhe frymëmarrja, aq e natyrshme sa kurrë nuk zihet në gojë a në mendje dhe ku martesa nuk përqendrohet në egoizma të vegjël, por në idenë e madhe të familjes dhe të ardhmërisë .... Mendja ime mund ta adhurojë këtë koncept të huaj të jetës, por druaj se diç tjetër mund ta detyrojë një grua perëndimore të martohet për të mirën e dikujt tjetër, post vetes. (fq 158-160 )...
Shkrimi u botu sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.05.2.013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)