Vrasja e Mark Gjomarkut.
Në kohën kur Shtabi i Përgjithshëm me 9 anëtarë kryesorë të tij, në mesin e të cilëve edhe disa luftëtarë të tjerë, ishin më 13 qershor 1946 në Ujë-Lurth, planifikuan të udhëtonin natën nëpër Prosek për të mbërritur te pylli i Tjegullës (Bojdine). Kjo rrugë më këmbë, në kushtet e natës mbante rreth 4 orë. Në mesin e këtyre luftëtarëve ishte dhe udhëheqësi kryengritës, Mark Gjomarku. Forcat e Ndjekjes, të informuar nga agjentët e tyre, mesa duket ranë në gjurmët e vendndodhjes dhe e këtij plani lëvizjeje të shtabit kryengritës.
Për këtë, përveç forcave të shumta të ndjekjes që operonin intensivisht tashmë në Mirditë, u mobilizuan nga Shkodra e Tirana dy brigada luftarake partizane duke i futur në rrethim anëtarët e shtabit, në mesin e të cilëve edhe Mark Gjomarkun. Natën e 13 qershorit, Marku plagoset rëndë rreth orës 3 të natës. Pasi zbardhi dita e 14 qershorit, forcat e ndjekjes partizane nëpër gjurmët e gjakut të shumtë që kishte humbur prej plagës së rëndë të marrë, vajtën deri tek i plagosuri në fjalë. Kryetari i kryengritësve, Mark Gjomarku, i plagosur rëndë e i gjetur në rrethim prej forcave të shumta komuniste, në pamundësi për të shpëtuar, vrau veten me pistoletë. Veprimtaria dhe sakrifica e trashëgimtarit të derës së Gjomarkajve, “Prijësit” Mark Gjomarku është shembull heroik i luftës për liri.
Vrasja e Mark Gjomarkut ishte një humbje e pazëvendësueshme për luftëtarët e besëlidhur kundër komunizmit, si në Mirditë e zonat përreth saj, por për të gjithë lëvizjen antikomuniste në mbarë Shqipërinë. Që nga ky moment, aktiviteti i Lidhjes Kombëtare të Maleve nuk e ka dinamikën që kishte sa ishte gjallë legjenda e luftës antikomuniste për liri, Mark Gjomarku. Pas tij në krye të Komitetit të Maleve vendoset i vëllai i tij, Llesh Gjomarku.
Pas vrasjes së këtij të fundit e kryeson atë Komitet kushëriri i tyre Ndue Pjetër Gjomarkaj, deri kur u shua rezistenca antikomuniste në verë të vitit 1952.
Gjithsesi lufta dhe rezistenca, ndonëse sporadike vazhdoi në Mirditë e në Kthellë deri më 12 prill të vitit 1950, kur goditja e luftëtarëve të lirisë qe vdekjeprurëse në vendin e quajtur Ujë-Lurth të Kthellës. Në këtë betejë të përgjakshme u vranë shumë nga të dy palët, aty është vrarë dhe Pal Mëlyshi, person i cili ishte eksponent i shërbimit sekret të shtetit komunist, i depërtuar në radhët e të arratisurve për liri.
Ndërsa siç e dimë, më 7 gusht 1949, në vendin e quajtur Qafa e Valmirit ishte vrarë me urdhrin e Komitetit Kombëtar të Maleve, Sekretar Politik i komunistëve në Mirditë. Ky rast u përdor nga gjenerali gjakatar komunist Mehmet Shehu dhe ndihmësit e tij, për të bërë reprezalje kundër burrave të Mirditës.
“Pa kaluar 11 ditë, më 18 gusht 1949, në vendin ku u vra Bardhok Biba, janë ekzekutuar pa gjyq, 14 burra nga më të mirët në Mirditë: Ded Preng Gjomarkaj, Dod Mark Biba, Pjetër Ded Vila, Dod Llesh Paloka, Nikoll Bardhok Bajraktari, Llesh Gjon Mëlyshi, Ndrec Mark Ndoj, Preng Shkurt Nikolli, Bardhok Dod Gjini, Frrok Ndue Mata, Gjergj Kec Beleshi, Gjin Gjon Kaçi, Ndoc Gjet Çupi, u burgosën afro 500 burra, u internuan rreth 500 familje nëpër kampet e përqendrimit: në Lushnjë, në Tepelenë; disa prej tyre nuk u kthyen nga burgimi e internimet e nuk u dihet varri. Ekzekutimet u kryen para popullit të mbledhur forcërisht. Para 2 000 vetave u pa skena makabre e vrasjes të lidhur me zinxhirë dhe varja me litar me betimin e Mehmet Shehut, se nuk ngopej pa vrarë 101 veta”.
Vrasjet dhe gjenocidi komunist në atë kohë me vrasjen dhe varrosjen për së gjalli “Të katërmbëdhjetëve” dhe nuk pati si qëllim hakmarrjen apo ndëshkimin ligjor të autorëve, por fakti që u vranë dhjetëra burra patriotë dhe me emër në krahinë e më gjerë, por që s’kishin lidhje me këtë vrasje, tregonte urrejtjen e shfrenuar të brigadave dhe Njësive Speciale të Ndjekjes, kundër krahinës që kishte jetuar prej shekujsh në liri.
Ernest Koliqi i frymëzuar prej veprës patriotike të Mark Gjomarkut dhe rënies heroike të tij në luftë, krijoi më 1947 poezinë me titull:
“Kapidan Markut”:
“............................
Heu ti Shqipni, ku rritej pika e djalit,
Ku sot mjerohen nipat e Kastriotit,
Mos u dëshpro se shpesh n’vallen e motit,
U ngushtove, u dermishe, u përlinde,
Si një mister gjallsije botën binde,
Se prap ke djelm si Marku i Kapidanit,
Qi dëshmojn me gjak t’vet t’u rrzue shullanit,
Se ndoshta t’vegjël jemi e desim unit,
Por duem lirinë e nderin e Kanunit.
Bri votrave n’Mirditën thepa-thepa,
Shka pëshpërisin nanat përmbi djepa?
Fjalën e fundit që me za të thekun,
La Kapidani para se me dekun:
- Ju shtegtar kushdo qofshi, që kërkoni,
rrugët e botës, Plakut t’em mi thoni,
Për n’ma takofshi kund ndër dhena t’hueja:
“Vulë gjaku u vuna porosive t’ueja,
Dathë ose mbathë e ngran’ pa ngranë un ngjitas,
T’mirën e t’keqen ndava me Mirditas,
Vuejta me ta dhe vdiqa kur erdh dita,
E Derën e Kanunit s’ta korita...”.
Në kohën e pas viteve 90-të kur u shemb Diktatura, institucionet e reja demokratike, nuk kanë arritur akoma të dalin nga bataku i propagandës së thellë e të rafinuar komuniste, për të bërë vlerësimin realist të figurave heroike të kombit shqiptar si ajo e Mark Gjomarkajt etj. Gjithsesi ne shpresojmë se koha punon në favor të shkruajtjes dhe vlerësimit me paanësi dhe me realizëm të historisë së kombit shqiptar dhe protagonistëve të saj.
Mark Gjomarku profili i një intelektual
Mark Gjomarku ishte një nga pinjollët më dinjitozë e më të aftë të derës princore të Mirditës, por njëkohësisht është një hero i vërtetë i cili, pa u lëkundur e fali jetën dhe gjakun e tij për lirinë e popullit dhe të atdheut të vet.
Ishte i biri i Kapedanit të fundit të Mirditës, Gjon Marka Gjonit.
Lindi në mars të vitit 1913 në Orosh të Mirditës.
- Arsimimi i tij fillon në Prizren, në moshën 7-vjeçare.
- Nga viti 1922 deri në vitin 1924, Marku mbaroi studimet në Kolegjin Jezuit në Shkodër.
- Në shtator të këtij viti me interesimin e të atit, Marku fitoi të drejtën e studimeve në Kolegjin Mondragone Fraskati në Romë (1924-1928).
- Ndërsa nga viti 1929 deri në vitin 1933 mbaroi studimet e larta në Universitetin e Romës, në fushën e Jurisprudencës.
Edukimi maksimal në fushën e arsimimit, si dhe zgjuarsia natyrore e tij, e bënte Markun një intelektual të spikatur dhe të rrallë në ato kohë.
Për aftësitë që kishte Mark Gjomarkun e thirrën për të qenë pjesë e qeverisjeve pas pushtimit fashist në vitin 1939, duke qenë në fillim zëvendësministër dhe në Qeverinë e Fiqiri Dines i dhanë detyrën e ministrit të Kulturës.
Marku nuk ishte vetëm një njeri me edukatë e kulturë të plotë arsimore, por qe njeri i apasionuar dhe i talentuar në fushën e letërsisë, veçanërisht në poezi. Megjithëse “në Mal” ku i printe asaj lufte për liri, Mark Gjomarku, ky njeri me zemër të madhe, i pushtuar nga dashuria për atdheun dhe racën e tij, por dhe i talentuar, na ka lënë në ditarët e tij edhe disa poezi (1945-1946). Ne po i japim lexuesit shumë pak prej tyre, por mjaftueshëm për të kuptuar talentin, botën dhe pasionin e këtij burri legjendar.
Zogu në vetmi
Atje nalt në nji degë pishe,
Zogu i vogël po pingllan,
Kërkon çerdhen që e ka të prishme,
Prandaj zemra po i derton.
Kjan përmallshëm n’at vetmi,
Diçka don ai shpirt’ i tij,
Dhe mendon përditë ma tepër,
Kohën e shkueme, at’ kohë t’vjetër.
Fryn murlani e bora bien,
gjithçka asht për dit’ ma zi,
Zogu i vogël shkon e vjen,
pa gjetë plang, pa gjetun shpi.
Shkruajti Mark Gjomarku, në malet e Mirditës, mars 1946.
Kanga e atdhetarit
Nëpër male t’Shqiptaris,
Ku rrit shqipja zogjt’ e lirisë,
Larg valës’ kuqe t’Bolshevizmit,
Larg rrymës’ tmerrit t’Pansllavizmit,
Lan’ familje, braktisën shpi,
Shqipen n’zemër, flamurin n’gji.
Pushkën n’krah, besimin n’Zotin,
Do djelm trima po kalojn’ motin.
Këta Shqipninë kan’ mbi çdo gja,
T’gjithë shqiptarëve u lëshojn’ një za:
O shqiptar mos harro fenë,
Duaje nderin, mbroje atdhenë!
Komunizmi don me t’korit,
Ndër sllav’ vendin ta ka shitë,
Besën lidhe mos ndalo turrin!
Duej Shqipninë mos ndalo turrin!
Komunizmi gjakatar,
Q’i ra mohit fisit shqiptar,
Thel felqijtë se asht’ tradhtar.
Jan’ bisha njerzish, farë e mallkue,
Jan’ t’panderë, na kan’ marrue,
Pra shqiptarë çonju n’kambë,
Komunizmin ta shkyejm’ n’dhambë,
Gjakatart’ këtu mos ti lamë.
Këtu fitohet e jon’ liria,
Na bekon nana, gru e fmija,
T’rroj e lumtur atëher’ Shqipnia.
Mark Gjomarku, Mirditë, 1946.
Hymni i luftëtarëve të lirisë
Nëpër kreshtat ku jetojmë,
Dit’ e natë zemra na digjet,
Shqiptaria ka përpiqet,
Me gjetë vendin q’i përket.
Për mbi ta o djelm sokola,
Namë t’ja lini shqiptarisë,
E flamurin e lirisë,
Do ta çojmë po na me gjak.
Sot për sot Shqipnia e mjera,
Po bajton do koh’ ma t’mira,
Don vllazninë e n’zemra t’lira,
Shqiptarinë e don me cak.
T’tan djelmnia n’kambë asht çue,
Pushkën n’dorë e zjarr n’gji,
Për Shqipni po don me u shkri,
Don me derdh’ t’pastri gjak.
Besë sho-shojtë i kemi dhanë,
Komunizmin do t’luftojmë,
Shqipnisë ballin s’ja vrugojmë,
Do ta mbrojmë gjithku, me gjak.
Mark Gjomarku, Mirditë, 1946.
Shkrimi u publikua sot (01.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)