Si u fotografuan 10 çifte
në Dardhën e viteve ‘30

Si u fotografuan 10 çifte<br />në Dardhën e viteve ‘30
(Vijon nga dje)
 
TIRANE - Le të vazhdojmë me foton e Thimi Racit të vitit 1931. Pasi u vendos se do bëhej fotoja, fjala do jetë hapur në fshat, së pari në bisedat familjare, në rrugicat e, natyrisht në tavolinat e barit të “Hotel Dëfrimi” (emër i pahasur kurkund në Shqipërinë e asaj kohe), ku dardharët rrëkëllenin ndonje gotë vere a rakije. Bashkë me lajmin, filluan dhe pandehmat e hamendësimet e shumta, ku përfshiheshin habija, kureshtja e mbase dhe pak zilija (që nuk është fare e huaj për shqiptarët), si…po kjo do jetë ndryshe, të shohim si do dalin, si do vishen etj etj.

Edhe figura e fotografit Raci po ngrihej e po merrte një tis të ri, disi më dinjitoz, se në fund të fundit, ata që do fotografoheshin, kishin ardhur nga Amerika dhe kishin parë dhe studio moderne të qyteteve të tij të mëdha. Më ndryshe, me të folmen e shtypit të sotëm, fotografimi i dhjetë çifteve po përbënte ngjarje në fshat. Në foto do përfshiheshin drejtëpërdrejtë pjestarë nga rreth njëzetë familje, që me gjithë farefisin e krushqitë, mund të thuhej se ndoshta i gjithë fshati ishte lidhur me të e po priste me kërshëri ta shihte. Fotoja ato ditë ishte kthyer në kryefjalën e shumë bisedave.

Pas “prerjes së ditës”, bashkë me të e vendit dhe orës, mundet që caktimi i veshjes të ketë hapur punë. “Ata të Amerikës”, kështu nisën të quheshin burrat, këmbëngulën se do të mbanin kostume europiane, edhe pse fshati i tyre kishte një veshje të tijën karakteristike për meshkujt, që quhej mandio. Mosmarrëveshjet, mendojmë se do kenë filluar kur ka ardhur fjala te paraqitja e grave.

Ato ishin mësuar që për çdo të kremte të mbanin xibunin, veshjen tradicionale të fshatit (dhe në pajë e mernin nga një të tillë, ndonëse ditën e martesës e nderonin me fustanin e bardhë), që e përdornin në të gjitha rastet e veçanta gëzimi dhe hidhërimi, natyrisht, jo vetëm familjare, që nuk ishin të rralla në Dardhë. Secila mund të kishte dhe rroba të kohës që ja kishin prurë nga mërgimi (këto kanë përbërë mallin kryesor që dhe shumë kohë pas shkrepjes së fotos, shqiptarët sillnin në atdhe), por nën xibun ato, sikur e ndjenin më mirë e më lehtë veten.

Gratë dardhare tëviteve

Xibuni qepej atje, po përdorej ngapak edhe në fshatrat fqinjë si Sinicë dhe Qytezë. Sipas dy dardharëve të vjetër e koleksionistë, (Sotir Laço dhe Sotir Pani), xibuni njihej në fshat qysh prej shekullit XIX. Edhe shumë e njohura në vend, “Vallja Dardhare”, në festivale apo shfaqje të ndryshme, kërcehet gjithmonë nga valltare të veshura me xibun. Me sa dijmë kulti i xibunit, përveç fshatit mbahet disi gjallë edhe në disa vende ku jetojnë të prejardhur nga Dardha. Kështu, para një muaji një qytetar amerikan me prindër dardharë publikoi në rrjetin facebook, një foto të vajzës së tij 7 vjeçe veshur me… një xibun të ri.

Pas diskutimeve të shumta, është pranuar që burrat të vishen si europianë, ndërsa gratë…me xibun. Tani fillonte puna e fotografit, vendosja së bashku, plani i parë, sfondi, kujdes, drita duhet t’u bjerë në fytyra, ndonëse nuk ka diell. Pasi i ka rreshtuar të dhjetë çiftet, dhe ka vendosur aparatin e madh mbi trekëmbshin prej druri, disa metra largë mesit të rreshtit, vertikalisht me të, mjeshtri u ka kërkuar atyre të kthejnë pak kokën djathtas e të shikojnë në drejtim të tij. Pas shpatullave të mjeshtër Thimit, siç ndodh rëndomë në këto raste, njerëzit po shtoheshin, bashkë me ta dhe bisedat që ndoshta e kanë detyruar fotografin t’u kërkoj heshtje ose ulje zeri sa të mbaronin punë.

Më në fund mjeshtri filloi të fotografonte e prej këtij çasti puna mbetej vetëm e tija. Natyrisht, mjeshtri nuk ka bërë vetëm një shkrepje. Kjo mbase dhe e ka munduar, sepse zëvendësimi i pllakave (ende nuk i kishte rënë në dorë aparat me film), në një kohë kur njëzet vetë prisnin në dëborë, nuk ishte fare i lehtë. Ndërkohë kish filluar dhe padurimi për ta shikuar fotografinë dhe ky tashmë ishte i aktorëve, por jo vetëm i tyre, por pothuajse i të gjithë banorëve të Dardhës.

Thimi Raci%u2013Piknik,1926 Arkivi Vangjo Ilo me logo
(Në foto: Thimi Raci–Piknik,1926 Arkivi Vangjo Ilo)

Por mosdurimi për foton, nuk ishte aq i besdisshëm, sepse të gjithë në fshat i njihnin kushtet “laboratorike” të fotografit, një kthinë e vogël e dyqanit dhe pa energji elektrike. Gjithsesi, fotoja përfundoi dhe filloi t’u binte nëpër duar pjesëmarrësve të “njëzetëshes” e, këtu natyrisht mund të kenë lindur diskutime, kënaqësi, por dhe ndopak hidhërim, dikush e ka dashur bardhë e zi, një tjetër në sepje (ato kohra ishte si të thuash, njëngjyrë familjare), por me shumë gjasë, të gjithë e kanë pëlqyer fotografinë dhe e kanë ruajtur gjatë pa ja zbehur vlerën e ditës së parë kur u ngjiz.

Dikush e zmadhoi dhe pasi e rrethoi me kornizë, e vendosi në murin e dhomës më të mirë. E, këtyre fotove të vjetra, dihet tanimë, se u rritet “karati” bashkë me moshën. Duke e shikuar me vëmendjen e duhur foton, vërejmë se pasi e lejmë mënjanë për një çast, pas pak vetvetiu, ajo na detyron ta vendosim rishtas para syve dhe të nisim sërish të lexojmë mbi të.

Në foto ka një farë solemntiteti që shpërfaqet nga qëndrimet e të gjithëve (thuajse gati-tu), por sidomos nga fytyrat e tyre, ku nuk dallojmë gjurmë buzëqeshjeje. Pikasim, me aq sa na lejon pastërtia e fotos, se gratë, përgjithësisht, janë femra të hijëshme, të krehura me kujdes dhe me një tualet të lehtë në fytyrë. Burrat, po si burrat shqiptarë, të vetdijeshëm pak si me tepri për rolin e tyre.

Fotografi mund t’a kish përngrirë pamjen edhe ndryshe, veç burrat, e veç gratë, të bashkuar në mesin e fotos. Ai, zgjodhi këtë, ndoshta për disa arsye. Mbase nuk i pëlqente simetria (jo shumë e këndshme në fotografi) që mund ta thyente dhe me sfondin, por ndoshta më tepër me synimin që çdo “qelizë familjare“, burrë-grua, të paraqitej më vete. Kështu, edhe pse ka një farë simetrie brenda rreshtit ajo “hollohet” mjaft nga ndërtesat e sfondit që janë shfrytëzuar me shumë intuitë nga fotografi ynë.

Po ashtu, zgjedhja e pikës së fotografimit, në mënyrë që vija që formojnë çiftet të mos jetë paralele me horizontin, nuk flet për qetësi a prehje. Koha (moti) gjatë fotografimit ka qënë e vrejtur (diellin e kishin fshehur retë) dhe në foto nuk dallohen fare hije, gjë që flet për ndriçim të butë e të shpërndarë. Gjithsesi, ndriçimin e gjithë të rreshtuarve e ka ndihmuar mjaft edhe reflektimi i bardhësisë së dëborës, që ka ndikuar për të arritur pasqyrimin pastër në letrën fotografike të fytyrave të çifteve.

Kjo fotografi është e veçantë, përveç atyre ndjesive që krijon, edhe për faktin se dhe sot e kësaj dite me gjithë mundësitë dhe lehtësitë e fotografimit, vështirë të gjesh shumë “shkrepje” të tilla, aq më tepër në fshat. Ajo, përveç aftësisë si fotograf të Thimi Racit, tregon edhe shkallën e qytetarisë së mënjanëshme që kishte arritur Dardha, kjo edhe në sajë të lëvizjeve të shumta të banorëve të saj jashtë vendit, sidomos deri në Amerikë.

Me këtë foto, të vendosur në mur apo në albume familjare, lidhen shpirtërisht mjaft pasardhës të atyre njëzetëve, të shpërndarë në mjaft vende, të cilët ndërkohë ndjejnë një krenari të natyrshme. Gjithashtu, kjo “shkrepje” mund të mbajë para saj gjatë dhe shikimet e mjaft njerëzve të tjerë pa asnjëfarë lidhje dhe njohje me të njëzetë fotografuarit dhe fshatin malor.

Nga ana tjetër, fotoja mendojmë se mund të zejë vend edhe në Historinë e Fotografisë Shqiptare. Nga ç’u shkrua më sipër, fotografia e dhjetë çifteve dardhare në dimrin e vitit 1931, përbën si të thuash, një përmendore qytetarije, e mund të shërbejë edhe si një “gur kilometrik” për të treguar rrugën nëpër të cilën ka kaluar një pjesë e shoqërisë shqiptare. Madje, kjo jo në një qytet, por në Dardhë, një fshat malor të cilit njëkohësisht, i takon një vend nderi në Historinë e Fotografisë Shqiptare.
 
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë