Si u zbulua kompozitori
rus me emrin Skënderbeu

Si u zbulua kompozitori<br />rus me emrin Skënderbeu
Kush mund ta merrte me mend se emri i Gjergj Kastriot Skënderbeut është trashëguar i plotë nga pasardhësit dhe për më tepër se katër shekuj më vonë. Studiuesi Ramadan Sokoli ka zbuluar se nga dera e heroit tonë kombëtar, njëri nga pasardhësit, i datëlindjes 1820 ka jetuar në Rusi. Megjithëse emrin e parë e ka Vladimir si rusët, pas këtij emri e ndjek një varg i gjatë emrash të stër-stërgjyshit shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, ku përfshihet edhe emri që i vuri Sulltani turk (Skënderbeu).
Pra, Vladimir Gjergj Kastriot Skënderbeu, që nga dokumentet njihet si një nga kompozitorët më të famshëm në botë e ka detyruar studiuesin Ramadan Sokoli në vitet ‘80 të rend në kërkim të gjurmëve të tij.
Po kush është ky kompozitor i madh që mbante emrin dhe mbiemrin e Heroit Kombëtar? Ndoshta kjo është një ndër pikëpyetjet që lind në mendjen e shumë lexuesve, që tërhoqi vëmendjen e studiuesit të njohur.
Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë të pasqyruar nga profesor Ramadani në revistën “Nëntori”, Nr. 12, të vitit 1884. Ai shkruan se emrin dhe famën e këtij kompozitori e ka zbuluar nëpërmjet disa letërkëmbimeve të Vladimirit mes artistëve dhe figurave të shquara të kohës. Një nga këto letërkëmbime që hedh dritë të plotë mbi portretin e këtij kompozitori të madh të Rusisë, por me gjak shqiptari, është ajo me një tjetër kompozitor të shquar I.A.S. Dargomizhski, i cili ndan pothuajse të gjitha shqetësimet me Vladimir Gjergj Kastriot Skënderbeun. “Në këtë letërkëmbim të dorëzuar në shtyp më 1874 dhe të botuar në Petërburg, më 1921-shin, gërshetohen gjithashtu pikëpamjet e tyre për artin, për njerëzit dhe krijimtarinë e tyre, duke pasqyruar njëkohësisht rrethanat apo kushtet përkatëse, me pengesat dhe vështirësitë që hasnin gjatë punës, së toku me disa dukuri negative të kalbëzimit ose shthurjes së shoqërisë cariste”, shkruan studiuesi Ramadan Sokoli.
Prof. Sokoli në studimin e tij shkruan se: “Para 105 vjetësh kur shtypi i kohës i disa vendeve të Europës kumtoi lajmin e vdekjes së Vladimir Gjergj Kastriot –Skënderbeut, vuri në dukje edhe prejardhjen shqiptare të këtij kompozitori. Ja si shkruante gazeta çeke “Zvetozar Obrazovy Dydenit” e datës 28.2.1879: “Pas një sëmundjeje të gjatë vdiq në 25 shkurt në Mogiljev të Dnejpërit, Vladimir Gjergj Kastriot Skënderbeu. Stërgjyshërit e të ndjerit dikur kanë qenë parësi e Shqipërisë; Të ndjekur nga turqit ata u detyruan të braktisin atdheun. Së pari u shpërngulën në Mal të Zi, pastaj së andejmi vajtën në Rusi. Edhe atje filluan të luftojnë trimërisht në ballë të ushtrisë, kundër osmanëve-siç dëshmon korrespodenca e oficerëve madhorë të kohës”.

Vladimir Gjergj Kastriot Skënderbeu

Dihet se pa vdekjes së Skënderbeut shumë shqiptarë lanë vatrat e tyre dhe morën rrugën e mërgimit, për të mos iu nënshtruar zgjedhës. Trimëritë dhe aftësitë ushtarake ishin bërë të njohura në të gjithë Europën. “Prandaj çdo shtet kërkonte t’i joshte në gjirin e ushtrisë së vet”, shkruan Ramadan Sokoli.
Njoftimet që kemi rreth jetës dhe veprimtarisë së Vladimirit “nuk mjaftojnë për një jetëshkrim të plotë”, konstaton më tej ai. Dihet se që në moshë të njomë Vladimir Gjergj Kastriot Skënderbeu kishte marrë mësime rreth artit të tingujve, sepse ishte i dhënë me mish e me shpirt pas Muzikës. Kur u rrit shërbeu në fillim si kalorës i kurtit perandorak të Petërburgut, por më 1842 e braktisi karrierën ushtarake për t’u marrë kryesisht me muzikë. “Në banesën e tij organizonte mbrëmje muzikore ku nganjëherë merrnin pjesë dy nga kompozitorët më të shquar të muzikës klasike ruse Mihail Gjinka dhe Aleksandër Dargomizhski”, shkruan prof. Ramadan Sokoli. Sipas tij burimet historike dëshmojnë se Vladimir Kastriot Skënderbeu ka lënë pas një sërë shkrimesh muzikore, midis të cilave mund të përmendim disa romanca të kompozuara mbi vjershat e poetit M.I. Lermontov si dhe një kantatë dramatike të shoqëruar me Kuartet. Përveç këtyre ka lënë edhe disa kuartete harqesh. “Shtojmë se me kuartetin e parë u përfaqësua në një koncert të organizuar më 12.3.1849 në dobi të familjes së kompozitorit Varlamov; ndërsa me kuartetin e dytë merr pjesë në një konkurs të shpallur më 1868-n dhe vlerësohet me çmim të lartë artistik nga shoqata e muzikantëve rusë. Me sa duket veprimtaria artistike e këtij muzikanti ka qenë mjaft e gjerë”, shkruan prof. Sokoli. Në shkrimet dhe letrat e Vladimir Gjergj Kastriot Skënderbeut dalin në pah që ai krahas krijimtarisë merret edhe me kritikë muzikore dhe jeptë mësime muzike. Nga shkrimet në shtypin e kohës del se vlerësohej si një nga kompozitorët më të shquar. Ka mjaft shkrime në revistën “Ruskaja Starina” të vitit 1875, ku emri i V.GJ.K.S. gjendet në numrat 2,4, 6 dhe 7.

Prof. Sokoli zbardh 14 letrat dërguar V. Gj. K. Skënderbeut

Çfarë del konkretisht nga 14 letrat e kompozitorit rus A.Dargomizhskit dërguar kompozitorit të madh me origjinë shqiptare Vladimir Gjergj Kastriot Skënderbeut. Është e pamundur të renditet të gjitha, por po pasqyrojmë shkurt disa nga konkluzionet më kryesore të këtij letërkëmbimi.
Studiuesi Ramadan Sokoli shkruan se “Në letrën e parë të datës 10.8.1843 A.Dargomizhsgi shprehte kënaqësinë për fillimin e letërkëmbimit tërheqës me një njeri të cilin ai e vlerësonte jo vetëm për karakterin e për virtyte e larta, por edhe për talentin e tij muzikor” Në këtë studim thuhet se një vit më vonë Vladimir Gjergj Kastriot Skënderbeu shkoi në Vjenë. Atje u bë anëtar i një shoqate artistike ku u njoh me shumë kompozitorë dhe artistë vendës dhe qëndroi gjatë. Dargomishski ku kalonte nëpër Vjenë rrinte si mysafir tek V. GJ. K. Skënderbeu, dhe kur ikte në Rusi, nuk harronte t’i shkruante se i kishte takuar nënën dhe kishin biseduar gjerë e gjatë për të. I shkruante se do t’ia kthente një borxh të vogël që kishte marrë, por mes të gjitha këtyre e luste që të mblidhte dorëshkrimet, sipas një bisede që kishin bërë në Vjenë. Madje ai këmbëngulte “Të mbledhësh dorëshkrimet siç kemi biseduar”. Shumica e këtyre letrave ishin këshilla të një miku për njeriun që i dhuronte shkëlqimin rusisë në skenat e Europës, të një miku që edhe vetë mburrej me të, dhe madje në nëntekstin e tyre kuptohej se për koncertet në Europë, do të krenohej gjithë Rusia. 14 letra me siguri janë një shërbim i mirë për biografët, sepse dy kompozitorët janë tashmë si vëllezër dhe flasin për hallet e familjes, gëzimet, dasmat, hidhërimet, etj. Në një letër të datës 30.9.1848 kuptohet se artistët janë përfshirë në një fluks të madh aktivitetesh me vepra që kompozitorit i kërkohen të vihen në skenë. Dargomishski i shkruan edhe për operat e veta që do të vejë në skenë dhe gjatë bisedave profesionale nuk harron t’i theksojë Vladimirit që “ti je i talentuar”. “Letra jote i dashur mik Kastriot më gëzoi shumë. Ajo më tregoi se ti më kujton mua, dhe njëkohësisht më solli lajmin se ti u qëndron besnik Muzave”. Nëpërmjet këtij letërkëmbimi mësojmë njoftime shumë interesante për gjithë jetën dhe aktivitetin profesional të dy kompozitorëve më të talentuar të kohës.
(Shkrimi u botua dje ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Nga Korridori blu, tek pista e garave Formula 1 në Elbasan/ Rama rendit projektet për mandatin e katërt

Nga Korridori blu, tek pista e garave Formula 1 në Elbasan/ Rama rendit projektet për mandatin e katërt