Edmond Kulluri rrëfen për herë të parë: Si e zbulova nëndetësen e huaj pranë bregut shqiptar!

Rubrika Amarcord: Sarajet e Toptanasve, çfarë ndodh sot brenda tyre?

Esencë Arkiv, flet për herë të parë në televizion inxhinieri Kudret Çollaku: Si e projektova Bunkart 2 dhe bisedat me Mehmet Shehun!

Rubrika Ditar nga e kaluara, çfarë shënon data 6 mars në historinë e Shqipërisë?

Emisioni Esencë shfaqet çdo të premte, ora 21:00 në ekranin e Report Tv me Eljan Taninin.

Eljan Tanini: - Mirëmbrëma, faleminderit që jeni me ne në Esencë dhe në Report Tv. Sonte udhëtojmë në disa histori që lidhin detin, arkitekturën dhe kujtesën e Shqipërisë. Së pari kemi në studio Edmond Kullurin, ish-ushtarak i flotës detare. Zoti Kulluri, kur nis shërbimi juaj në nëndetëse dhe si ishte jeta në atë kohë?

Edmond Kulluri: - Unë nisa shërbimin më 4 janar 1981 dhe e përfundova më 4 janar 1984. Shërbimi në nëndetëse ishte 36 muaj, më herët kishte qenë edhe katër vite. Unë u caktova si hidroakustik, pra ai që dëgjon sinjalet nën ujë.

Eljan Tanini: - Propaganda e kohës fliste për një ushtri të fortë, por si ishte realiteti i përditshëm?

Edmond Kulluri: - Propaganda nuk tregonte shumë nga hallet e kohës. Ne i bënim të gjitha shërbimet në nëndetëse dhe kishte raste kur lundronim 28 ditë nën ujë pa parë dritën e diellit.

Eljan Tanini: - Ju nuk e dinit gjithmonë destinacionin?

Edmond Kulluri: - Jo. Shpesh nuk dinim nëse po shkonim në ujëra ndërkombëtare apo pranë brigjeve tona.

Eljan Tanini: - Le të ndalemi te momenti më i fortë: zbulimi i një nëndetëseje të dyshimtë.

Edmond Kulluri: - Ishte 13 tetor, mesnatë. Natë e kthjellët me hënë të plotë. Komandanti Anastas Milo na tha se kishte një dyshim për një nëndetëse që kishte hyrë në Gjirin e Dukatit. U organizua kërkimi në sektorët 360 gradë. Në aparaturë mora një sinjal që për mua ishte qartë nëndetëse. Edhe oficeri i artilerisë pa në ujë një siluetë.

Eljan Tanini: - A u kuptua se e cilit shtet ishte?

Edmond Kulluri: - Jo. Nuk mund ta them nëse ishte ruse apo amerikane. Nëse do ta sulmonim, mund të ishte edhe nëndetëse bërthamore.

Eljan Tanini: - Sa persona mund të kishte brenda?

Edmond Kulluri: - Në një nëndetëse mund të jenë edhe mbi 50 vetë. Ajo që kapa unë me vesh ishte nëndetëse, sepse nën ujë zhurmat janë specifike. Për këtë fakt, brenda pak minutave u alarmua edhe qeveria e kohës! Ne dolëm në gatishmëri të plotë.

Eljan Tanini: - Ndalemi edhe në diçka tjetër! Ju keni jetuar edhe në ishullin e Sazanit. Si ishte jeta atje?

Edmond Kulluri: - Sazani kishte jetën e tij. Ishte gjithmonë në gjendje lufte. Kishte vështirësi: depozitat e ujit ndonjëherë mbusheshin edhe me krimba. Por për ne ishte luftë për t’ia dalë.

Rubrika “Amarcord” shkon brenda Sarajeve të Toptanasve

Eljan Tanini: - Tani në rubrikën Amarcord ndalemi në një nga shtëpitë më të veçanta historike të Tiranës: Sarajet e Toptanasve.

Kjo ndërtesë e vitit 1837 është një nga shtëpitë më të bukura të arkitekturës osmane në kryeqytet. Muret e trasha mbajnë freskët edhe në verë, ndërsa hapësira e saj është përshtatur për vite me radhë si bar dhe restorant.

Brenda saj shihen ende elemente karakteristike: dritaret me hekur elegant, tavani i bukur prej druri, vatra orientale dhe hapësira të ndara me ndërhyrje moderne të ditëve tona.

Edhe sot, në disa mure, kanë mbetur gjurmë të kohës kur aty funksiononte një bar-restorant. Disa dritare janë murosur, ndërsa hapësirat e brendshme janë ndarë me gips. Megjithatë, Sarajeve u ka mbetur një nga tavanet më të veçantë prej druri në Tiranë.

Esencë Arkiv, inxhinieri që projektoi Bunkart 2

Eljan Tanini: - Në arkivin e Esencë vjen një dëshmi e rrallë. Për herë të parë në televizion flet inxhinieri Kudret Çollaku, projektues i objektit nëntokësor që sot njihet si Bunkart 2. Si dhe përse u krijua kjo vepër?

Kudret Çollaku: - Jam thirrur nga Ministria e Brendshme për të projektuar zyrat e tyre nëntokësore. Objekti kishte edhe dalje avarie. Në vitin 1977 më dhanë urdhër të shkoja në Kryeministri për një takim të rëndësishëm. Ishte takimi me Mehmet Shehun.

Eljan Tanini: - Si e priti ai projektin?

Kudret Çollaku: - Ai vetë tha se nuk kishte parë askund një projekt të tillë. Në fillim mendoi se ishte shumë i madh për fuqinë e ndërtimit që kishte vendi.

Eljan Tanini: - Dhe në fund?

Kudret Çollaku: - Në fund ra dakord me projektin dhe e mbështeti. Bunkart 2 është ndërtuar me beton të markës 300 dhe betonarme mbi një metër trashësi. Është objekt mbrojtës me specifika të veçanta dhe me disa dalje emergjente. Sisteme të ngjashme ka në bodrumet e Onkologjikut në Tiranë, në Pogradec, në ish-Ministrinë e Mbrojtjes dhe edhe në Kryeministri.