Sonte, në emisionin Esencë që shfaqet çdo të premte në Report Tv me Eljan Taninin, pati të ftuar të larmishëm që rrëfyen jetën e tyre, të barabartë në peshën e nostalgjisë me secilin që e kthen shpeshherë kokën nga e shkuara e afërt.
Të ftuarit e mbrëmjes ishin:
Profesor Gazmend Leka rrëfen krijimin e filmit të animuar shqiptar nga vitet ’70 e deri më sot. Intervistë ekskluzive me doza humori dhe kujtimesh artistike.
Amarcord, bunkeri i Radiotelevizionit i fshehur në malet e Gramshit, ose çfarë ndodhte saktë brenda këtij bunkeri nëse do të niste lufta.
Esencë Arkivë, gazetari Ferdinand Dervishi flet për mashtruesit më të mëdhenj në historinë e Shqipërisë.
9 janari 1976 dhe Abaz Kupi, datë me kujtesë kalendarike në Shqipëri.
Esencë, çdo të premte, ora 21:00, në Report Tv.
Gazmend Leka
Artist, piktor
Eljan Tanini: Profesor Gazi, si lindi dhe si u krijua në ato kushte të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re” animacioni ose filmat me kartona shqiptarë?
Gaz Leka: Filmi i animuar shqiptar është një nga tre gjymtyrët e rëndësishme të ish-Kinostudios. Atje ishin filmi artistik, filmi dokumentar dhe ai i animuar. Ne themi shpeshherë Kinostudio, por ajo është ish-Kinostudio. Janë bërë shumë “ish” deri sot… Ishte pjesë e punës së madhe të popullit shqiptar. Kinostudio ishte një ishull i madh me piktorë, artistë, arkivistë, kinofikim, laboratorë, studio, regjisorë, oficina, aktorë, skenaristë, pra ishte një Shqipëri e vogël me shumë vlera.
Filmit të animuar shqiptar shpeshherë i është thënë film vizatimor, shumë pak i thonin film i animuar dhe dikush tjetër film multiplikativ. Në fakt, ai është tërësisht i animuar. Unë këtë gjë shpeshherë e krahasoj me Pinokun. Në syrin e kamerës kukullat lëvizin. Te filmi vizatimor unë kam shkuar në vitin 1981, në vitin 1982 u bëra udhëheqësi i filmit artistik vizatimor dhe e kam drejtuar atë për 10 vite. 14 filma artistikë i bënte Kinostudio në vit, rreth 40 filma ishin dokumentarë dhe 16 filma ishin vizatimorë. Ky ishte një prodhim gjigant.
50 vite më parë, filmi i parë ishte “Zana dhe Miri” nga Vlash Droboniku dhe Tomi Vaso. Ata shkuan për disa muaj në Rumani, atje e vodhën teknikën.
Mit’hat Fagu më ka thënë që edhe ai ka bërë dikur një film vizatimor, një qelizor.
Në filmin vizatimor nuk ka pasur njerëz të arsimuar si regjisorë, përveç Bujar Kapexhiut, me të cilin pata fatin të punoj. Ne të tjerët mësuam me intuitë nga njëri-tjetri.
Unë në fillim u trondita. Kur vajta te nëndrejtori Bozo, më uroi mirëseardhjen dhe më tha: “Tani shko bëj një film!”. Më pas kam punuar me Bujar Kapexhiun filmin “Vëth në vesh” dhe animacionin. Ajo ishte shkolla për mua. Ne kemi punuar me kamera shumë të mira.
Fabula është kjo: Kinostudio u inaugurua në vitin 1952, gozhda e arkivolit u vu në vitin 1992. Një traditë 40-vjeçare, si i vdekuri ku shpirti i rri 40 ditë.
Ne mblidheshim dhe diskutonim për një film, nuk i gjuanim me gurë kurrë njëri-tjetrit. Ne nga përralla kaluam te filmi vizatimor për të rriturit, sepse filmat e animacionit shqiptar janë me teknika të ndryshme. Filmi i animuar shqiptar nisi të bëhej i shëndetshëm nga disa pika uji.
Vasilova Musta dhe Stavri Pone ishin skenaristët tanë, ata e orientonin fjalën. Fjala te ne ishte një zinxhir i gjatë.
Kur unë kam pikturuar animacionet e Bujar Kapexhiut, si fillim kam punuar figurën e derrit. Jam çuditur shumë kur derri nisi të lëvizte. Nuk e mbajta dot fjalën, do të desha të mos hiqja dorë kurrë nga filmi i animuar shqiptar.
Arkivi i filmit është si albumet e shtëpive tona, por kur nuk i ke ruajtur këto foto, kthehet si një shtëpi pa njerëzit e saj të fotografuar. Shqipëria është një shtëpi me albume fotografish.
Eljan Tanini: Si vazhdon tradita sot?
Gaz Leka: Sot ka prodhime vizatimore, por jo në këtë strukturë. Në Akademinë e Arteve kemi menduar të ndërtojmë shkollën e animacionit shqiptar, të cilën e mori përsipër Ardian Isufi.
“Kali i Skënderbeut” dhe “Gjinkalla e Milingona” ishin projektet e mia kur u shkëputa nga Kinostudio.
Të rinjtë tanë janë edukuar duke parë mangat japoneze, duhet të edukoheshin nga filmat tanë. Përrallën shqiptare duhet ta bëjë një artist shqiptar, jo një i huaj. Do të nisë të krijohet shkolla e parë e filmit të animuar shqiptar.
Vetëm fëmijët e hanë përrallën, ata kuptojnë mjaft mirë.
Filmat e animuar janë parë edhe nga të rriturit gjithmonë.
“Njeriu që mbillte pemë” është një mrekulli e madhe, ku ti mund të rikrijosh dhe të luash edhe vetë, atje je ti.
Solla dikur nga jashtë disa kaseta me filma vizatimorë, si pasojë, në datën 1 janar shtriheshim të gjithë në krevat dhe i shihnim të gjitha me radhë, aq sa ishin. E kishim traditë, 12 orë të gjithë filmat me radhë. Unë sot e bëj atë gjë prapë, e kam traditë. Shoh ende “Mullirin e Vjetër”.
E gjitha kjo bëhet me kulturë, inteligjencë, resurse, kështu rritet shkolla e re. Ish-studentët e mi, Artani dhe Genta, kanë bërë filma vizatimorë, Ilir Kaso gjithashtu, Hari Aleksi.
Është hera e parë që flas kaq gjatë për filmin vizatimor që prej vitit 1991.
Amarcord me Osmanin e bunkerit radioteleviziv dhe gramshiotët
Është bunker i çuditshëm. Jam me Osmanin, banor i zonës, ose më saktë jemi pranë hapësirës së Liqenit të Dushkut në Gramsh.
Kamera e Report Tv hyn brenda tij për herë të parë. Është bunker shtetëror, me formë dhe rëndësi të veçantë, po aq sa ka të çuditshme edhe hyrjen. Betoni kubik në hyrje duket si gurë ciklopikë.
Dëmtimi me tritol solli pasoja, njerëzit ishin kureshtarë, kërkonin edhe ar, ishte viti 1997, më tha Osmani, njohës i mirë i këtij terreni malor.
Tuneli i bunkerit duket si i Luftës së Parë Botërore, sikur e kanë ndërtuar italianët dhe jo Enver Hoxha. Brenda është freskët.
Dikur ky bunker në mal ka qenë i ndarë në dhoma, me priza dhe i elektrifikuar, shërbente për aparaturat e TVSH-së, madje kishte edhe ajrim të mirë.
“Mashtruesit më të mëdhenj shqiptarë”, peshkuar nga gazetari Ferdinand Dervishi
Disa histori mashtrimi. Shumë ngjarje të vërteta, të ndodhura në Shqipëri, që vijnë të përmbledhura në librin “Mashtruesit” të gazetarit Ferdinand Dervishi. Personazhe të njohur nga faqet e shtypit, por këtë herë të sjella ndryshe, me një stil rrëfimi që të mban pezull mes habisë dhe buzëqeshjes së hidhur.
Libri hapet me një histori sa absurde, aq edhe reale. Otto Witte, një klloun analfabet gjerman, që në vitin 1913 arriti të mashtrojë shqiptarët duke u shpallur mbret i tyre, Otto i Parë, mbret i Shqipërisë. Mashtrimi zgjati vetëm pesë ditë, derisa nga Stambolli erdhi konfirmimi që e nxori blof, por Witte ia doli të largohej pa u lagur shumë nga kjo aventurë mbretërore.
Më pas, faqet e librit na çojnë te Mimoza Ujka, vajza nga Velipoja që arriti të fusë në lojë gjysmën e prokurorëve të Tiranës. Edhe pse e dënuar dy herë për mashtrim, Mimoza duket se ka një talent të veçantë për të ngritur kurthe dhe për të gjetur gjithmonë viktima të reja.
Ferdinand Dervishi vijon me mashtruesit “Made in Albania”, siç i quan vetë: Klejdi Kote, ende sot në top-listën e mashtruesve, Blendi Pilinçi, Elona Farka. Por libri ndalet edhe te një tjetër kategori, ajo e mashtruesve me petkun e “shpëtimtarëve”, si Gazmend Male, që nën titullin e mjekut popullor u merrte shqiptarëve miliona lekë.
Rrëfimi mbyllet me historinë e avokates Natasha Shehu, e cila pretendon se është vajza e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, një tjetër kapitull ku realiteti duket më i çuditshëm se trillimi.
“Është e vërtetë që i kam pasur për zemër historitë me mashtrues… fatmirësisht pasioni im për to nuk vjen nga fakti se kam qenë vetë objekt i ndonjë mashtrimi spektakolar…”, u shpreh autori.
Komente












Të lumtë i dashur Gazmendkishim art e kulturë.Sof ka art pa subjekt,pa shpirt,atëherë dhe vizatimet qeshnin .
Përgjigju