Eksluzive, jeta prej emigranti e Dashnor Mehmetit, frika, pasiguria, çuditë e rrugës dhe puna sot si murator. Kjo është edhe historia e shqiptarëve të pas viteve 90të. 

Eljan Tanini: -Nori, çfarë është kjo eksperiencë e jotja si emigrant mes vuajtjesh dhe lumturish njerëzore? Na e trego të lutem edhe për ata të rinj që nuk e kuptojnë ikjen malit për një jetë më të mirë?

Dashnor Mehmeti: -Kam qenë 23 vjeç kur ika për herë të parë në Greqi. Ishte hera e parë, por jo e fundit. Në total kam kaluar kufirin shtatë herë, gjithmonë nga mali. Ikje nate, rrugë pa rrugë, me frikë dhe shpresë bashkë.
Gjithmonë kalonim natën ftohtë dhe malit. Kam parë fëmijë e pleq që merrnin të njëjtën rrugë, të lodhur, por të vendosur. Në mars të vitit 1992 kaluam natën në Gramoz. Ishte terr, ftohtë dhe çdo hap ishte i panjohur. Flinim kudo që na zinte nata. Shpesh nuk kishim as ushqim me vete.
Mali ishte i ftohtë dhe i pamëshirshëm. Era ulërinte mes drurëve dhe çdo zhurmë më dukej si hap njeriu që po vinte të na kapte. Këmbët më rrëshqisnin mbi gurë të lagur, duart më ishin mpirë dhe fryma më dilte si tym. Frika më ngjitej në fyt. Mendoja se një hap i gabuar mjaftonte për të më lënë aty, të shtrirë mes borës, pa emër dhe pa varr.
Kur dëgjoja zëra larg, më pritej fryma. Më dukej se çdo dritë ishte armik, çdo hije ishte fundi im. Isha pa letra, pa mbrojtje, vetëm një trup që po përpiqej të kalonte kufirin si hije. Nëse më kapnin, do të më kthenin mbrapsht, i thyer, më i varfër se kur u nisa.

Gjithmonë bëheshim grup për të ikur. Edhe herën e dytë ishte njësoj. Natën grekët shpesh na ndihmonin, jo pak herë na shpëtonin. Por jeta atje nuk ishte e lehtë. Atje ku u ndala në Lamia më ra shorti i keq të punoja me katër suvaxhinj, por u përshtata shpejt. Jeta ishte e varfër: 300 gram gjalpë e ndanim më dysh, për mëngjes dhe darkë. Nuk e harroj kurrë një burrë të moshuar që më sillte bukë, një gjest që më mbeti në zemër.
Në Greqi nisën të më thërrasin Thanas. Fillova të punoj, të ndërtoj mure prej guri. Policia më ka kapur tri herë. Kapeshin shumë emigrantë, autobusi mbushej plot dhe na kthenin në Shqipëri. Herën e tretë na kapën ushtarë të kthyer në policë.

Një natë rashë në një pus, shumë thellë. Po të mos ishin shokët që më gjetën më pas, nuk e di si do të kisha  përfunduar. U detyrova të ikja rrugës për në Lamia me një këmbë të dëmtuar. Rruga zgjaste 8 deri në 10 ditë. Komunikimi ishte baza e gjithçkaje, arma jonë e vetme për të mbijetuar.
Si shqiptarë nuk na donin, por si punëtorë po. Grekët na ndihmonin: na fshihnin nga policia, na çonin në spital, na mbanin afër, si njerëz të vetët.
Kemi bërë shumë sakrifica për jetën. Më iku jeta andej, nëpër male, nëpër rrugë, nëpër frikë. Një profesor grek donte të bëhej kumbar i vajzës sime. I thashë jo se jam bektashi. Ai buzëqeshi. Ishte një nga ato momente që të bëjnë të besosh se, edhe në emigrim, njerëzia nuk humbet kurrë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:27
Nëndetësja 105, historia e frikshme e bishës së detit! Ku është ajo sot? Esencë Report Tv

Në pjesën e dytë të emisionit Esencë ku shpaloset Rubrika Amarcord, Eljan Tanini lëvizi për në bazën e mrekullueshme të Pashalimanit në Vlorë për të njohur më tej historinë dhe fatin tragjik të asaj që është pagëzuar nga Ismail Kadare si Nëndetësja 105. Takimi në bazë me Ish Komandantin e Nëndetëseve ishte thuajse historik por edhe tragjik! Komandant Et’hem Hamzaraj

Eljan Tanini: -Përse ka kaq shumë tragjizëm shqiptar me këto hekura deti që i kanë mbijetuar kohës si fate të së shkuarës?

Et’hem Hamzaraj: - Për 19 vite me radhë, jeta ime ishte deti. Pashalimani nuk ishte thjesht vend pune, ishte shtëpi, ishte përgjegjësi, ishte heshtje dhe rrezik. Në vitin 1958 u krijua baza e Pashalimanit, dhe pak më herët kishin mbërritur edhe katër nëndetëset e para. Për herë të parë, Shqipëria preku teknologjinë e thellësive.

Ishim njerëz që jetonim nën ujë. Njëra nga nëndetëset që komandoja qëndroi 21 ditë pa dalë asnjëherë në sipërfaqe. 21 ditë errësirë, presioni, disiplinë dhe besim absolut te njëri-tjetri. Mund të zhytej deri në 200 metra thellësi. Çdo metër poshtë ishte një sfidë me jetën.

Njëherë, kinezët vendosën alarmin: po mbyteshim. Ishim mbi 125 metra nën ujë. Alarmet binin, ajri rëndohej, sytë takoheshin në heshtje. Në ato çaste kupton sa e brishtë është jeta dhe sa e fortë duhet të jetë mendja e komandantit. Bateritë akumulatore peshonin rreth 700 kilogramë. Çdo gjë aty poshtë kishte peshë fizike dhe shpirtërore.

Nëndetëset kishin buxhet të madh, kalonin çdo pritshmëri. Ishin krenaria e flotës. Rrinim në bankinë me të gjitha shërbimet, gati për çdo urdhër, për çdo situatë. Por koha ndryshoi gjithçka. Në Demokraci na nxorën në rrugë. Ata që kishin mbrojtur detin, nuk i donte më askush.

Rreth viteve ’80 u bë një qitje me silur. Rezultatet ishin të shkëlqyera. Grupi i sulmit e përmbushi misionin me saktësi. Nëndetësja peshonte 1300 ton nën ujë dhe 1046 ton mbi ujë. Mbante rreth 56 vetë në bord, 56 jetë që vareshin nga profesionalizmi, nga qetësia dhe nga komandimi.

Furnizohej me 117 ton naftë. Edhe numrat e bordit ishin sekret. Çdo detaj ishte sekret. Jeta jonë ishte sekret.

Sot, kur e kujtoj Pashalimanin, nuk më vjen era e naftës apo tingulli i motorëve. Më vjen në mendje heshtja nën ujë, përgjegjësia e madhe dhe ndjenja e hidhur se historia ndonjëherë i harron ata që kanë qëndruar më thellë se të gjithë.

Pak histori bazike me det Vlore:

1. Origjina e nëndetëses – Projekti 613

•           Nëndetësja ishte pjesë e Projektit 613, seria e parë e nëndetëseve të ndërtuara nga Bashkimi Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore.

•           Këto mjete përbënin bazën e fuqisë nënujore sovjetike gjatë fillimit të Luftës së Ftohtë.

2. Vendosja në bazën e Pashalimanit

•           Në fund të viteve 1950, Bashkimi Sovjetik vendosi 12 nëndetëse në bazën detare të Pashalimanit, në Gjirin e Vlorës.

•           Shqipëria dhe BRSS ishin në atë kohë aleatë të ngushtë politikë dhe ushtarakë.

•           Sot ka mbetur vetëm një nga këto nëndetëse.

3. Rëndësia strategjike e bazës

•           Baza e Pashalimanit kishte rëndësi të madhe gjeostrategjike për kontrollin e Mesdheut.

•           Gjatë një vizite në vitin 1959, lideri sovjetik Nikita Hrushovi deklaroi se prej andej mund të kontrollohej Mesdheu deri në Gjibraltar.

•           Hrushovi synonte instalimin e raketave me rreze të gjatë, anijeve luftarake dhe ndërtimin e një aeroporti ushtarak.

4. Prishja e marrëdhënieve Shqipëri–BRSS

•           Diktatori shqiptar Enver Hoxha ndërpreu marrëdhëniet me Moskën, duke e akuzuar për devijime nga marksizmi.

•           Kjo solli tensione të forta politike dhe ushtarake mes dy vendeve.

5. Konfliktet brenda ekuipazheve të përziera

•           Ekuipazhet shqiptaro-sovjetike u përballën me konflikte të shpeshta.

•           Sipas komandantit në pension Jak Gjergji, marinarët nuk komunikonin më me njëri-tjetrin.

•           U shënuan incidente simbolike, si grisja e flamurit sovjetik nga një marinar shqiptar.

6. Tërheqja e nëndetëseve sovjetike (1961)

•           Pas prishjes zyrtare në vitin 1961, Bashkimi Sovjetik tërhoqi tetë nëndetëse nga Pashalimani.

•           Disa nëndetëse mbetën në Shqipëri, por pa funksion të qartë ushtarak.

7. Plaçkitja e bazës në vitin 1997

•           Në vitin 1997, gjatë trazirave pas rënies së skemave piramidale, baza e Pashalimanit u plaçkit.

•           Nëndetëset u zhveshën nga armët, motorët dhe pajisjet e brendshme, përfshirë shtretërit e marinarëve.

8. Çmontimi dhe shitja për skrap (2009)

•           Në vitin 2009, autoritetet shqiptare çmontuan tre nga katër nëndetëset e mbetura.

•           Ato u shitën për metal, duke shkatërruar pjesën më të madhe të trashëgimisë detare.

9. Nëndetësja nr. 105 dhe letërsia

•           Shkrimtari Ismail Kadare, në romanin “Dimri i vetmisë së madhe” (1973), i caktoi nëndetëses numrin 105.

•           Numri u zgjodh rastësisht, por u bë identiteti i saj historik dhe kulturor.

10. Roli i filmit dhe simbolika kulturore

•           Një film i bazuar në roman e përforcoi famën e nëndetëses, filmi është Ballë përballë.

•           Numri 105 u pikturua mbi trupin e saj dhe mbetet i dukshëm edhe sot.

•           Nëndetësja u shndërrua në simbol të periudhës së Luftës së Ftohtë në Shqipëri.

11. Restaurimi dhe mbijetesa

•           Falë disa punimeve të hershme, nëndetësja 76 metra e gjatë ruhet si dëshmi historike ende në ujë! Ajo duhet shpëtuar edhe nga uji.