Skema e fajdexhinjve e cila u zbulua nga Prokuroria dhe Policia e Shkodrës ka për denoncues ish-prefektin e Shkodrës, Paulin Radovanin.

Report Tv mëson se denoncimi i Radovanit erdhi pikërisht pasi dy djemtë e tij kishin rënë pjesë e kësaj skeme fajdesh duke marrë para hua nga grupi në të cilin bënin pjesë ish-kancelarë gjykate, policë dhe noterë, dhe ish-drejtori i LSI-së i Patentave në Shkodër. Mësohet se për shkak të borxhit që dy djemtë e  Radovanit kishin marrë pranë këtij grupi, ata i kanë sekuestruar disa prona. Kjo pasi kush nuk paguante borxhin, për 1 javë anëtarët e kësaj organizate kriminale, i merrnin makinat dhe pronat dhe i kalonin në emër të tyre.

Dy djemtë e tij, njëri prej të cilëve anëtar në Këshillin aktual të Bashkisë Shkodër, Elton Radovani, si shkak i vesit të bixhozit dhe varësisë ndaj kazinove, nisën duke marrë hua shuma të mëdha parash te persona të ndryshëm në Shkodër. Aktualisht të dy djemtë e tij janë larguar jashtë vendit, ndërsa vetë Radovani ka marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur.

Në këtë skemë është provuar se janë të përfshirë 22 persona, 12 prej tyre kanë rënë në pranga, katër janë shpallur në kërkim, dhe tre janë pezulluar nga detyra dhe janë me masë detyrim paraqitje, mes të cilëve një polic dhe një notere.

Hetimet për zbulimin e tyre kishin nisur prej 25 janarit të 2019-ës nga Prokuroria e Shkodrës në sajë të referimeve nga policia e këtij qarku. 

Paulin Radovani ka qënë prefekt i Shkodrës i zgjedhur nën siglën e LSI, teksa në Shkodër ai njihet edhe si biznesmen në sektorin fason.