Si u zbuluan letërkëmbimet e Skënderbeut me sulltanët në arkivat Napolit e Vatikanit

Si u zbuluan letërkëmbimet e Skënderbeut me sulltanët në arkivat Napolit e Vatikanit

Skënderbeu

Në vitin që e kemi quajtur Viti i  Skënderbeut kam përpara një libër të studiuesit Mark Palnikaj, që sapo ka dalë nga shtypshkronja. Titulli është: ”Skënderbeu, letërkëmbimi me sulltanët”. Është libër me dokumente të mirëfillta, të nxjerra drejtpërsëdrejti nga arkivat.

Në faqen djathtas janë faksimilet, në faqen majtas janë transkriptimet dhe përkthimet në gjuhën e sotme shqipe. Lexuesit dhe studiuesit marrin këtu një informim konkret dhe pajisen me njohuri të sakta. Në këtë mënyrë, krejt kjo lëndë arkivore që i ofrohet publikut, bashkë me sqarimet e nevojshëm, bëhet burim i pazëvendësueshëm për të njohur njërin nga aspektet tepër të qenësishëm të asaj epoke të historisë së Kombit tonë.

Po më dalin parasysh në këto orë, tek po e lexoj këtë libër, dhjetëra gazetat tona të përditshme. Sa dhe si po flasin këto gazeta për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në këtë vit që vetë qeveria e Republikës së Shqipërisë e ka shpallur Vit i Gjergj Kastriotit Skënderbeut?!

Do të kish qenë krejt e arsyeshme që secila nga këto gazeta të kishte një rubrikë të veçantë të përditshme ku të shkruhej për Heroin tonë Kombëtar dhe titujt e atyre shkrimeve të viheshin në faqet e para. Fotografitë e monumenteve kudo ku ata gjenden dhe ”biografitë” e tyre, fotografitë dhe përmbajtjet shkurt të libravet që i janë kushtuar Heroit tonë në të gjithë shekujt anembanë botës, fragmente jetëshkrimesh, fragmente poemash, gravurat dhe pikturat kudo që ato gjenden, veprat muzikore, simfonitë, operat, emrat e rrugëvet, stemat me shqiponjën apo me portretin e tij, unazat, vathët dhe stolitë me simbolet skënderbejanë, deri edhe tatuazhet me figurën apo flamurin e Skënderbeut.

Duke vepruar kështu gazetat tona, me siguri nuk do të ndodhte ”bisedat” rreth Gjergj Kastriotit Skënderbeut të reduktoheshin, në mënyrën më të papranueshme, në 5 a 6 ”çështje” aspak serioze: A ish apo nuk ish një luftë patriotike lufta që bëri Skënderbeu?! A e kish Skënderbeu nënën e vet arbëreshë apo sllave?! (Dhe, në e kish sllave, pse e kish sllave?! Dhe, nëse e dinte që nënën e kish sllave, pse të luftonte ai për lirinë e Arbërisë?! Madje, derisa nënën e paska pasur sllave, sado që të atin dhe të gjithë gjyshërit i ka pasur arbër, ai as që mund të quhet Hero Kombëtar i shqiptarëve! Megjithëqë e gjithë kjo mund të jetë një përrallë dhe Vojsava mund të ketë qenë fare mirë një arbëreshe e Pollogut. Nga cila linjë prindërore përcaktohet kombësia e një personi është e përcaktuar mirë, sidomos ndër shqiptarët.) A luftoi Skënderbeu për vete apo për atdheun? A luftoi për fenë e Krishtit apo për lirinë e vendit të vet Gjergj Kastrioti? A ish ushtria e këtij feudali mesjetar një ushtri çlirimtare apo një ushtri plaçkitëse?! A do të kish qenë më mirë për ne sikur Skënderbeu të mos kish bërë luftë kundër Turkut, por t’i kish ”lejuar” sulltanët ta pushtonin krejt Evropën? E deri te budallallëqe të kësaj natyre: Ne jemi popull mysliman. Pse duhet ta kemi Skënderbeun e krishterë Hero Kombëtar?!

Kur dëgjon apo lexon broçkulla të këtilla, njeriut vetëvetiu i lind pyetja: A meritojmë ne, shqiptarët e sotëm, të quhemi pasardhës të atij populli që i ndenji në krah Gjergj Kastriotit Skënderbeut?! Mos vallë, duke mos qenë vetë ne heronj, nuk e konceptojmë dot heroizmin e dikujt tjetër?! Mos vallë, duke qenë vetë ne një tufë qyqarësh, po na përshtatet më mirë ta deheroizojmë Skënderbeun?! ”Hë more, se s’ka bërë ndonjë gjë të madhe!” Një njeri që s’është vetë në gjendje të bëjë ndonjë punë të madhe në të mirë të Kombit e Atdheut, vetëkuptohet që s’është në gjendje as t’i kuptojë ata që kanë punuar, luftuar dhe sakrifikuar për popullin dhe për vendin e vet. Një egoist, një meskin i llojit të brejtësve, qoftë edhe pushtetar dhe sidomos pushtetar, i cili shumicën e orëve të ditës i shpenzon duke u kënaqur me ç’ka fituar për vete ose duke u mërzitur që nuk fitoi diç më shumë, nuk mund t’i adhurojë ata që jetën e shkrijnë për të tjerët e jo për vete. Mizat e gjirizeve nuk i kuptojnë dot as jetën, as punën e bletëve. Sorrat dhe laraskat e kanë zili shqiponjën. Nuk e adhurojnë dot.

Mark Palnikaj ka bërë një varg sakrificash deri sa ka arritur ta nxjerrë në dritë këtë libër me dokumente autentikë. E para, ka lënë mbas dore ekonominë e vet familjare, ia ka ngarkuar dikujt tjetër barrën e të kujdesurit për familjen dhe ka marrë rrugën e Romës, Napolit apo Venecies, për të gjurmuar e gjetur nëpër arkiva dëshmi të asaj epoke. Nuk është e lehtë të depërtosh nëpër arkiva. Vetëm ata që janë marrë me të tilla punë, e dinë sa vështirë është të arrish të fotokopjosh qoftë edhe një dokument të vetëm. Sa vështirë është administrativisht, por edhe financiarisht! ...Po më kujtohet tash rrëfimi i njërit prej kërkuesve dhe gjurmuesve më të zellshëm në arkivat e Vatikanit dhe të Raguzës, të ndjerit Atë Vinçenc Malaj. Ai më pat thënë: ”Arkivat e Propaganda Fides kanë aq shumë dokumente për historinë tonë, sa që bota do të çuditej. Unë kam parë shumë të atillë dokumente, por nuk kam mundur as t’i përmend, sepse do të konsiderohej nxjerrje sekreti dhe do të më ikte koka.” Isha atëherë në Tuz, pikërisht në një arkiv të tijin, për krijimin e të cilit kleriku i nderuar Atë Vinçenci kishte shkrirë gjithë jetën e vet.

Por, ku është mirënjohja?! Është e pamundur të mos vihet re një dukuri sa e çuditshme, aq edhe e neveritshme e shumë njerëzve tanë, të cilët kanë në dorë ta financojnë kërkimin shkencor dhe t’i hapin ashtu rrugë pasurimi e përparimi shkencës sonë. Për një studiues të huaj, i cili mund edhe të mos jetë aq cilësor, madje mund të jetë edhe denigrues në disa aspekte, administrata jonë shtetërore nuk i kursen paratë. Paguan përkthimin e veprave të tyre, paguan botimin, paguan udhëtimet, paguan hotelet dhe ushqimin, të gjithë llojet e dietave dhe, në një llogaritje të fundit, për dhjetë minuta kumtesë që do të lexojë aksh shkencëtar i huaj në një konferencë shkencore në Tiranë, ndodh që shtetit tonë i kushton 10 mijë euro. Pra, 1000 euro për çdo një minutë ligjërimi të një njeriu të huaj.

Ndërkaq, për një dijetar shqiptar, siç kam tash rastin e Mark Palnikajt, por edhe rastin tim, edhe të dhjetëra të tjerëve si ne, as që kujtohet dikush që t’ua lehtësojë sadopak punën dhe sakrificat, vetjake dhe familjare. Le të shtojmë këtu edhe emrin e njërin prej studiuesve tanë më të përkushtuar, Prof. Pëllumb Xhufin, i cili detyrohet, me shpenzimet e vet, të shkojë në Venecie, në Romë e gjetkë, për të bërë të mundur nxjerrjen në dritë kryevepra të tilla si ”Arbërit e Jonit” e të tjera. Pse po ndodh kështu?! Unë kam përshtypjen që kjo e ka burimin te një egoizëm shkatërrues që na karakterizon ne shqiptarëve. Nuk do e nuk lejon ai kryeministri ynë, cilido qoftë dhe i cilësdo kohë qoftë, që të ketë edhe një shqiptar tjetër të ditur ”si ai” dhe të zot ”si ai”. Prite Zot pastaj të jetë më i ditur “se ai”! Ai e ka shumë lehtë ta vlerësojë e madje ta financojë qoftë edhe një gjysmësharlatan apo çereksharlatan të huaj, se sa një shkencëtar apo krijues të çfarëdo fushe tjetër të kombit të vet. Edhe kur vjen puna për të vlerësuar dikë prej vendësve, zgjidhen midis tyre qoftë edhe me pak të dhëna si shkencëtarë, por të dëshmuar si partiakë të devotshëm. Përse?! Sepse partiakun, secilin partiak, e ka kryepartiaku nën vete. Ndërsa një krijues të mirëfilltë, me vertebër të papërthyeshme, afërmendsh që nuk mund ta honepsë.

Ja, kjo është tragjedia kulturore e Kombit tonë, e cila heq mbas vetes një varg të gjatë tragjedish të tjera.

Dy qeveritë tona, të paktën këto dy qeveri që thuhet se janë qeveri shqiptare, do të duhej të nxirrnin një ligj të këtillë: E pakta 200 ekzemplarë të çdo botimi sado pak të vlefshëm t’i blinte shteti për bibliotekat publike në dy kryeqytetet, si dhe në qytete të tjerë ku ka biblioteka publike. Kjo ndihmë financiare sigurisht që nuk do ta bënte të pasur kastën e krijuesve, por Kombi do të pasurohej me dije dhe me kulturë gjithnjë e më të efektshme në të gjitha fushat e jetës dhe nuk do të ndodhte që, për shembull, viti 2018 të shpallej vit jubilar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe në fund të vitit fare pak njerëz të dinë kush ka qenë Skënderbeu.

Jo vetëm Gjergj Kastriotit Skënderbeut janë munduar dhe mundohen t’ia ulin vlerat, pikërisht në këtë vit jubilar, por edhe biografin e tij më të shquar, Marin Barletin, janë munduar dhe mundohen ta paraqesin si një ekzagjerues e deri edhe të pasaktë. Por vepra e Mark Palnikajt na e dëshmon me dokumente krejt të kundërtën. Dokumentet që ka zbuluar Mark Palnikaj dhe krahasimet që janë bërë, dëshmojnë që Marin Barleti, kur e ka shkruar veprën e vet, është mbështetur jo në fantazi, por dëshmi të shkruara dhe në të dhëna historikisht të parrezueshme. Fjalitë dhe shtesat e quajtura panegjirike, me të cilat Marin Barleti e ka zbukuruar tekstin e veprës së vet, janë lehtësisht të dallueshme dhe nuk e cenojnë aspak vërtetësinë e asnjërës nga ngjarjet që pasqyrohen në atë libër, i cili pat bërë epokë në Europë e në botë për 500 vjet, pa iu shuar fama asnjëherë, as librit, as protagonistit të atij libri.

Me veprën e Marin Barletit ka ndodhur diçka e krahasueshme me Iliadën dhe Odisenë. Iliada dhe Odiseja, thelbin historiko-etno-social e kanë lehtësisht të dallueshëm prej veshjes artistike konjukturore të atij thelbi, realisht të ndodhur, të cilit, në disa raste i janë ndajshtuar apo ndërfutur pjesë që do t’u pëlqenin prijësve të atëhershëm të Athinës. Pjesë që do t’u pëlqenin doxhëvet të Venedikut ka edhe në veprën e M.Barletit, por kjo nuk do të thotë që ngjarjet e përshkruara në atë libër nuk kanë ndodhur. Për shembull, në veprën e Mark Palnikajt vërtetohet parrëzueshëm që letërkëmbimi midis Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe dy sulltanëve ka ndodhur realisht dhe që M.Barleti i ka lexuar ato letra të përkthyera në gjuhën latine ose italiane. E, kur M.Barleti i ka lexuar letrat që i kanë dërguar njeri-tjetrit palët ndërluftuese, është krejt e pakundërshtueshme që po ai M. Barlet ka pasur njohuri krejt të sakta edhe mbi betejat që janë zhvilluar midis atyre palëve ndërluftuese. Kush lexon, krahas ”Historisë dhe bëmave të Gjergj Kastriotit të mbiquajtur Skanderbeg” edhe ”Rrethimin e Shkodrës” të M.Barletit, e kupton edhe më mirë që ky rilindës i madh i Evropës së atëhershme nuk ka qenë aspak ekzagjerues, as në pasqyrimin e luftërave të etnisë së vet dhe as në përshkrimin e heroizmave të pakundshoq të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, rilindës evropian edhe më i madh se vetë Marin Barleti.

Le të shpresojmë që, në këta pak muaj që kanë mbetur për ta mbyllur këtë vit jubilar, do të shmangen sadopak të metat zhgënjyese që u vunë në dukje këtu dhe kështu ky vit jubilar të mbyllet me dinjitetin e duhur.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Bilanci’ politik i 2024, Valteri: Berisha ka monopolizuar PD! Kulluri: Ndiqet nga militantët! Hoxha: Viti i SPAK

‘Bilanci’ politik i 2024, Valteri: Berisha ka monopolizuar PD! Kulluri: Ndiqet nga militantët! Hoxha: Viti i SPAK