Të gjitha kompanitë e siguracionit të makinave kanë rritur në bllok çmimin. Kompanitë kanë vendosur që siguracioni i makinave të jetë minimum 18 mijë lekë nga 15.600 që ishte pak ditë më parë. Kjo do të thotë se çdo qytetarë do të paguajë nga 2-4 mijë lekë më shumë për të siguruar makinën.

Në lidhje me rritjen e çmimit ka reaguar edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, ku thekson se tregu i sigurimit të makinave është i liberalizuar.

Sipas AMF-s çdo kompani sigurimi ka të drejtë të përcaktojë vetë çmimin e siguracionit, pa marrë më parë leje nga ndonjë institucion shtetërorë.

Shoqëria e sigurimit përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut. Pra, tarifat e sigurimit të detyrueshëm janë të liberalizuara, duke i dhënë të drejtën shoqërive të sigurimit t’i përcaktojnë vetë ato, sipas kushteve të tregut. Bazuar në kuadrin ligjor e rregullativ, AMF nuk miraton çmimet e sigurimit, por miraton rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm”, - thotë AMF.

Kjo do të thotë se kompanitë për sigurimin e makinave, pas rritjes së bërë pak ditë më parë, mund të vendosin përsëri të rritin çmimin. Ligji nuk përcakton nivelin maksimal të çmimit që duhet të vendosin kompanitë, duke krijuar kushtet që në të ardhmen shqiptarët mund të detyrohen të paguajnë shuma të larta për siguracionin e makinës.

AMF thotë se ka vendosur vetëm çmimin minimal, që është 100 euro.

Ndërkohë është gati sistemi Bonus-Malus, për siguraacionin e makinave, ku çmimi do të përcaktohet në bazë të aksidenteve që bëjnë shoferët.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare thotë se ky sistem është plotësisht funksional dhe është gati tarifimi me bazë rreziku. Për zbatimin e sistemit Bonus-Malus pritet të miratohet edhe një rregullore e re.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)