Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu zhvilloi sot një vizitë në Portin e Durrësit për të inspektuar nga afër masat e marra për menaxhimin e fluksit të lëvizjeve gjatë periudhës së festave të fundvitit. Ministrja u shoqërua nga Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, si dhe Drejtori i Portit të Durrësit, Liburn Aliu.
Gjatë inspektimit, ajo theksoi rëndësinë e Portit të Durrësit, si një nga pikat kryesore hyrëse e dalëse të vendit, veçanërisht në këtë periudhë kur flukset e lëvizjeve janë të shtuara, si për shkak të kthimit të bashkatdhetarëve për festat, ashtu edhe të qytetarëve që udhëtojnë jashtë. Ministrja vuri në dukje se Porti i Durrësit mbetet pika me intensitetin më të madh të lëvizjeve detare dhe se garantimi i sigurisë publike dhe lehtësimi i procedurave janë në fokus të institucioneve. Ajo informoi gjithashtu për gatishmërinë e shtuar të strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat kanë forcuar praninë fizike në pikat kufitare dhe kanë rritur numrin e sporteleve në rast nevoje.
“Situatat janë dinamike dhe ne veprojmë duke konsideruar flukset e lëvizshmërinë. Është koordinim ndërinstitucional, pra është Policia e Shtetit, por edhe Dogana Shqiptare, Autoriteti Portual, janë gjithë strukturat që ndërveprojnë më njëra-tjetrën me qëllim që të lehtësohet i gjithë fluksi dhe shërbimi që merret në sportelet këtu”, nwnvizoi Koçiu.
Në këtë kontekst, ministrja theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke bërë të ditur se gjatë fundjavës ka zhvilluar bisedë me homologun nga Kosova për bashkërendimin e punës në pikat kufitare tokësore. Mirë-koordinimi ndërkufitar përfshin edhe pikat me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe synon përshpejtimin e procedurave në të dy anët e kufirit, në shërbim të qytetarëve.
Duke u ndalur edhe te sfidat e qarkullimit rrugor në qytete si Durrësi dhe Tirana, ministrja siguroi se të gjitha autoritetet janë në gatishmëri të plotë, me synimin që qytetarëve t’u garantohen festa të qeta e të sigurta.
Më tej, Koçiu bëri me dije se Porti i Durrësit dhe i Sarandës do të përfitojnë nga një investim i rëndësishëm që nis në fillim të vitit të ardhshëm, përmes instalimit të portave elektronike hyrëse-dalëse, e-Gate, të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e ndjeshëm të qarkullimit dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
Komente







