Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi sot nga Nju Jorku se bashkëpunimi rajonal është një domosdoshmëri strategjike për sigurinë, paqen dhe mirëqenien në Ballkanin Perëndimor.
Në kuadër të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Hoxha mori pjesë në një diskutim për forcimin e bashkëpunimit rajonal, të organizuar në kuadër të Kryesisë rumune të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI) dhe Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Gjatë fjalës së tij, ministri tha se, në një kohë kur bota përballet me luftëra, kërcënime hibride, sulme kibernetike dhe presione ekonomike, përgjigjja duhet të jetë më shumë bashkëpunim dhe dialog.
“Për Shqipërinë, bashkëpunimi rajonal mbetet një gur themeli i politikës sonë të jashtme dhe një investim strategjik në paqen, sigurinë, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës në tërësi”, u shpreh Hoxha.
Ai theksoi gjithashtu se bashkëpunimi rajonal dhe procesi i integrimit në Bashkimin Europian ecin paralelisht, duke shtuar se lidhjet më të forta mes vendeve të rajonit ndihmojnë avancimin e perspektivës europiane, ndërsa anëtarësimi në BE nxit bashkëpunimin, reformat dhe lidhshmërinë.







Komente
Komento