48 shqiptarë humbën jetën vjet në vendin e punës, gati 30% më shumë se në 2024-ën. Inspektorati i Punës thotë se tre sektorët më problematikë, me numrin më të lartë të fataliteteve janë ndërtimi, minierat dhe industria prodhuese. Mbetet ende sfidë lufta ndaj informalitetit kryesisht në nëndeklarimin e pagave dhe të pagesave për orët shtesë.

***

Puna në lartësi, shembjet galerive në miniera, makineritë e prodhimit dhe aksidentet me mjetet e transportit, vijojnë të jenë shkaktarët kryesorë të fataliteteve në vendin e punës në Shqipëri.

“Sektorët me risk më të lartë janë sektori i ndërtimit si në numër aksidentesh, përfshirë dhe ato aksidentet që janë me pasoja më fatale, i ndjekur nga sektori i minierave dhe sektori i prodhimit, por do të veçoja ndërtimi dhe minierat janë sektorët me risk më të lartë përsa i përket sigurisë së shëndetit në punë”, tha Eljo Muçaj kryeinspektori i Inspektoratit të Punës.

Vetëm gjatë vitit të kaluar regjistruar 212 aksidente në vendin e punës nga 177 aksidente në 2024-ën apo 168 në vitin 2023. Bilanci është rënduar, me 48 punonjës të aksidentuar vjet humbën jetën, dhe sektori më problematik mbetet ndërtimi, minierat e prodhimi.

“Ka qenë një numër relativisht i lartë, por rreth 20% e këtyre aksidenteve ë kanë qenë aksidente rrugore të cilat janë regjistruar, pra regjistrohen si aksidente në punë sepse ka ndodhur në kohën e punës. Aksidente fatale pa diskutim që ka edhe në sektorin e minierave është dhe sektori i ndërtimit”.

Ndërsa në tre muajit e parë të këtij viti janë regjistruar 53 të aksidentuar me pasojë 9 humbje jete, kryesisht punonjës të shërbimit të shpërndarjes së mallrave të ndryshëm në shtëpi.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës Eljo Muçaj thotë se siguria në vendin e punës duhet të jetë prioritet i si për punëdhënësin dhe për punëmarrësin.

“Të forcojmë kulturën e sigurisë së shëndetit në punë”, tha ai.

Problematikat e tjera që hasen në tregun e punës kanë të bëjnë me informalitetin në disa aspekte të tij.

“Sektorët që paraqesin nivel më të lartë të informaliteti pra është sektori i turizmit  kjo është pak dhe e lidhur dhe me natyrën që ky sektor ka karakter sezonal, dhe me një numër më të lartë të subjekteve që gjatë sezonit të verës hapen dhe pastaj pezullojnë aktivitetin e tyre në përfundimin e sezonit”, thotë Mucaj.

Nga inspektimet e kryera në 2025-ën janë identifikuar 2,591 punëmarrës informalë, ku 98% e tyre janë formalizuar brenda procesit inspektues.

“Mungesa e një kontrate është element informaliteti. Mospagesa e pagës është element informaliteti, pagesa e pjesshme e pagës në bankë apo nën deklarimi i saj, mospagesa e orëve shtesë, puna në turne të dyta edhe të treta që lidhen me përllogaritën e pagës, të gjitha këto janë elementë të informalitetit”, tha Muçaj.

Nëndeklarimi i pagave mbetet hallka më e vështirë e informalitetit, si për t’u verifikuar ashtu dhe për t’u ndëshkuar mbetet.

“Deklarimi real i pagës, e cila është një nga elementët më të vështirë për t'u vërtetuar është marrëdhënie mes palesh dhe është e vështirë për t'u provuar në momentin që nuk ka evidenca të qarta për ta vërtetuar pagën e dhënë pjesë atë pjesë të pagës e cila është dhënë nën dorë”, thekson ai.

Kryeinspektori sqaron se vjet kanë marrë 1200 ankesa nga qytetarët, nga të cilat afro 70% janë zgjidhur në favor të tyre. Sa i takon masave, për shkeljet e identifikuara si për sigurinë në punë ashtu edhe për informalitetin, janë vënë 268 gjoba me vlerë 64.5 milionë lekë ose 20% më shumë se në 2024-ën.

AKSIDENTET NË VENDIN E PUNËS
                           Të aksidentuar           Humbje jete
Viti 2023              168 punonjës              30 punonjës
Viti 2024             177 punonjës               33 punonjës
Viti 2025             212 punonjës               48 punonjës

 

AKSIDENTE ME VDEKJE SIPAS SEKTORËVE
Ndërtim                 18 punonjës
Miniera                   9 punonjës
Prodhim                  4 punonjës
Tregti                      4 punonjës
Energji                    3 punonjës
Transport                2 punonjës
Sektorë të tjerë       8 punonjës