Shpejtësia mbetet shkelja më e përhapur në rrugët e Shkodrës. Vetëm gjatë dy javëve të fundit, 731 drejtues mjetesh janë gjobitur për tejkalim të normave të lejuara, në kuadër të kontrolleve të shtuara të Policisë Rrugore gjatë sezonit veror.
Bilanci i kontrolleve tregon se janë vendosur gjithsej 1,908 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Pas shpejtësisë, më shumë gjoba janë vendosur për parkim ose qëndrim të gabuar (458), parakalime të gabuara (106), mosvendosje të rripit të sigurimit (97), mosvendosje të kaskës mbrojtëse (81), drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit (33), përdorim të celularit gjatë drejtimit (27) dhe qarkullim me xhama të riveshur (14). Janë ndëshkuar edhe 361 drejtues për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Gjatë kësaj periudhe janë pezulluar 52 leje drejtimi, ndërsa dy persona janë proceduar penalisht pasi u kapën duke drejtuar automjetet pa leje drejtimi.
Kontrollet në rrugët e qarkut po kryhen me dronë, radarë dhe makina inteligjente dhe, sipas Policisë Rrugore, do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim për shkak të fluksit të lartë të automjeteve gjatë sezonit veror.









Komente
Komento