Siguria ushqimore në vendin tonë mbetet ende një temë mjaft e diskutuar. Eksperti i bujqësisë Eduart Sharka përmes një lidhje të drejtpërdrejtë në ‘Sot Live në Shqipëri’ tha se përveç pasigurisë ushqimore një problem shqetësues është se produkteve tona iu është prishur imzazhi duke ulur kështu kërkesën në tregun rajonal.

“Është një problem shqetësues, sepse përveç pasigurisë ushqimore te konsumuesit kemi edhe një prishje të imazhit të produkteve tona dhe ka rënie të kërkesës në tregun rajonal. Mendoj se shkaku është mungesa e  një sistemi kontrolli në fermë. Ne si përfaqësues të fermerëve në emër të sindikatës kemi propozuar para disa vitesh sistemin grek, atje çdo fermer nuk mund të kryejë aktivitet bujqësor pa i lidhur me një agronom në mënyrë legale. Pasi fermeri nuk ka ekspertizën e nevojshme për përdorimin e pesticideve”, tha Sharka.

Ndërkohë eksperti tjetër i bujqësisë Ilir Pilku vuri në dukje se Shqipëria është një nga vendet që ka denoncimet më të pakta nga sistemi RASFF i BE në lidhje me eksportet e produkteve bujqësore.

Ndër tjera ai shtoi se fermerët në rajonin tonë nuk kanë një aktivitet të mirëorganizuar në lidhje me produktet bujqësore. Sipas tij nëse një prodhim ecën mirë një vit-ata priren ta shumëfishojnë vitin tjetër.

“Shqipëria është një nga vendet që ka denoncimet më të pakta nga sistemi RASFF i BE në lidhje me eksportet e produkteve bujqësore. Duke iu referuar vitit 2025 ne kemi pasur shumë pak raste, në krahasim me shtetet e tjera që kanë qindra mijëra raste si Turqia, Greqia, Italia, Polonia. Jemi vendi me rendimentet më të ulëta në prodhimtari - në përgjithësi në 80-90% të aktivitetve bujqësore dhe blegtorale. Ne nuk kemi rajone të cilat të jenë të fokusuar në një produkt apo kulturë të caktuar dhe të jenë të mirëstudiuar në bazë të asaj që kërkon tregu ndërkombëtar. Ne bëjmë copy-paste, nëse një aktivitet ecën një vit mirë, ne vitin tjetër e shumëfishojsmë”, tha Pilku.

Ai shton se zhurma dhe alarmi për sigurinë ushqimore është i madh pasi nuk i kemi të konsoliduar instintucionet tona shtetërore që ti përgjigjen çdo lloj sulmi tregtar.

“Zhurma dhe alarmi është i madh sepse nuk i kemi të konsoliduar instintucionet tona shtetërore që t'i përgjigjen çdo lloj sulmi tregtar. Produktet tona ndeshen me sulme tregtare në rajon. Pra të nxjerrësh një analizë për 10 ditë ne kemi humbur një luftë tregtare”, nënvizoi ai.

Edhe Sharka nga ana tjetër fajëson AKU-në për këtë çështje ku sipas tij ata kanë dështuar.

Në fund të intervistës Pliku theksoi se laboratorët janë shumë të rëndësishëm për sigurinë ushqimore.

“Laboratorët janë shumë të rëndësishëm për sigurinë ushqimore, duhen laboratorë në pikat kufitare ku ka një intensitet të madh të eksporteve dhe importeve”, tha ai.