Ministria e Bujqësisë ka ashpërsuar penalitetet për të gjithë ata prodhues të cilët shesin produkte ushqimore të pasigurta nuk do të ndëshkohen vetëm me gjobë, por tashmë do të kenë edhe përgjegjësi penale.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti thotë se personat të cilët shkaktojnë dëme në shëndetin e konsumatorit nuk do të mjaftohen vetëm me një gjobë apo sekuestrim të mallit.

“Të gjithë prodhuesit të cilët identifikohen si përgjegjës për prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimit të pasigurt do të përballen me përgjegjësitë që burojnë nga ligji. Pra jo vetëm me gjobë dhe konfiskime, por në rastet kur keni intoksikime dhe infeksione të karakterit masiv, do të ngarkohen edhe me përgjegjësi penale” ka pohuar Ministri i Bujqësisë.

Nga ana tjetër ministri Panariti thotë se do të forcohet edhe struktura e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit por edhe do të rriten kapacitetet për laboratorët ku bëhet analiza e produkteve ushqimore.

“AKU ndryshe nga shumë institucione të fushës, nuk ka pushime as për periudhën e verës. Për këtë institucion por edhe për inspektorët sezoni i verës është periudhë me një intensitet më të lartë të punës. Kjo pasi ata duhet të jenë në terren për të monitoruar mënyrën e përgatitjes dhe shpërndarjes së ushqimit” nënvizon Panariti.

Ky i fundit thotë se deri tani janë sekuestruar tonelata të shumta ushqimesh të cilat kanë qenë jashtë standardet.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)