Kryetarja e Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami, është shprehur se siguria ushqimore në Shqipëri sot është në një pikë kritike.

Komentet Bajrami i bëri përmes një deklarate për mediat, ku tha se qytetarët konsumojnë produkte pa garanci cilësie dhe se shteti ka dështuar në krijimin e një sistemi kontrolli.

Po ashtu, në emër të PL-së ajo ka kërkuar ‘miratimin e menjëhershëm të një kuadri ligjor që e bën të detyrueshme analizën laboratorike për ndotësit ushqimorë, investim urgjent në laboratorë modernë dhe të certifikuar, rritje të kontrolleve në pikat doganore dhe në tregun e brendshëm, transparencë të plotë për çdo analizë dhe çdo shkelje, si dhe masa konkrete për mbrojtjen e konsumatorit dhe stabilizimin e çmimeve’.

Deklarata e Bajramit:

Siguria ushqimore në Shqipëri është sot në një pikë kritike. Qytetarët konsumojnë produkte pa garanci të plotë cilësie, ndërkohë që shteti ka dështuar të ndërtojë një sistem serioz kontrolli dhe parandalimi.

Institucioni përgjegjës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, vazhdon të funksionojë me kapacitete të kufizuara, me mungesë laboratorësh të certifikuar dhe me kontrolle të pamjaftueshme në terren dhe në pikat doganore. Në vend që të forcohen mekanizmat e analizës për ndotësit ushqimorë, kemi një sistem që shpesh reagon vetëm pasi shpërthen skandali.

Edhe më shqetësues është fakti që mazhoranca refuzoi të miratojë projektligjin e propozuar nga Partia e Lirise “Për domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratorike për ndotësit ushqimorë”. Ky projektligj synonte ta bënte të detyrueshme analizën e plotë laboratorike për çdo produkt me risk, duke mbyllur hapësirat për abuzim dhe duke garantuar transparencë për konsumatorin. Refuzimi i tij është një mesazh i qartë, shëndeti i qytetarëve nuk është prioritet për këtë qeveri.

Ndërkohë, tregu shqiptar përmbytet nga importe të dyshimta, shpesh me standarde të paqarta, ndërsa prodhuesit vendas që përpiqen të respektojnë rregullat ndëshkohen nga konkurrenca e pandershme. Çmimet rriten, por kontrolli nuk forcohet. Familjet shqiptare paguajnë më shumë për ushqime që nuk kanë siguri të garantuar.

Pasojat janë të rënda, rrezik për shëndetin publik, humbje besimi tek institucionet dhe një treg i deformuar ku mungon transparenca. Nuk ka publikim sistematik të rezultateve të analizave, nuk ka databaza të hapura për ndotësit ushqimorë dhe nuk ka përgjegjësi konkrete për dështimet.

Siguria ushqimore nuk është çështje politike, por çështje jete. Megjithatë, kur refuzohet një nismë që kërkon analiza të detyrueshme laboratorike për ndotësit, kjo bëhet një zgjedhje politike me pasoja direkte për çdo familje shqiptare.

Ne kërkojmë:

Miratimin e menjëhershëm të një kuadri ligjor që e bën të detyrueshme analizën laboratorike për ndotësit ushqimorë.

Investim urgjent në laboratorë modernë dhe të certifikuar.

Rritje të kontrolleve në pikat doganore dhe në tregun e brendshëm.

Transparencë të plotë për çdo analizë dhe çdo shkelje.

Masa konkrete për mbrojtjen e konsumatorit dhe stabilizimin e çmimeve.

Shëndeti i qytetarëve nuk mund të sakrifikohet për interesa të ngushta. Shqipëria ka nevojë për standarde reale dhe për përgjegjësi, jo për heshtje dhe propagandë.