Siguria ushqimore e prodhimeve ‘Made in Albania’ është kushti sfidues për  Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit. Për këtë çështje, Këshilli Kombëtar të Integrimit, diskutoi me grupet e interesit dhe adresoi rekomandimet e raportit të Komisionit Europian.

“Do të jenë mbi 200 ligjet që do duhet të shqyrtojmë ndoshta brenda këtij sesioni deri në korrik ose brenda këtij viti”, tha Taulant Balla, kryetar i Këshillit të Integrimit.

Grupet e interesit dhe shoqatat e konsumatorit kërkojnë garanci ushqimore, por edhe mbrojtjen e fermerit.

“Duhet të gjetur zgjidhe për heqjen e qumështit në rrugë, si do t’u merret qumështi këtyre fermerëve që nuk janë të mëdhenj, por shesin për mënyrë jetese”, tha Granit Sokolaj nga qendra ALERT.

“Asnjë lloj kompromisi me sigurinë ushqimore. Unë i ofroj ministrit projekte pilot në të gjitha fshatrat të krijohen pika grumbullimi nga vetë fabrikat e prodhimit. Këto pika të mbledhin qumështin duke nxitur edhe standardin e cilësisë”, tha kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka.

“Laboratorë të fuqizuar në të 12 rajonet. Jo vetëm ISUV”, tha Ersida Teltiti nga qendra e Konsumatorit Shqiptar.

“Duhet të futim me forcë punën përmes kontratave. Nëse nuk lidhim kontratë me fermerin nuk do t’ia dalim kurrë me sigurinë ushqimore”, tha kreu i shoqatës Agro-Biznesit Agim Rrapaj.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla tha se janë 20 milionë dollarë në dispozicion për të ngritjen e 7 pikave të inspektimit kufitar, një element i rëndësishëm në procesin e kontrollit të import-eksporteve dhe integrimit në BE.

“Do kemi raport të detajuar për çdo produkt. 320 mijë ton produkte në eksport të kontrolluara, janë numër shumë i vogël i ngarkesave me probleme. Kjo do të thotë se prodhojmë me cilësi”, tha Salla.

Referuar bllokimit të fondeve IPARD, ministri Salla tha se për të marrë përgjigje do të udhëtojë drejt Brukselit në 9 mars.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:48
Ministri Salla në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian: 20 mln dollarë për ndërtimin e pikave të inspektimit kufitar! Siguria ushqimore kusht për në BE

 

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian prioritetet dhe angazhimet e institucionit që ai drejton në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe shëndetit të bimëve. Gjatë fjalës së tij, Salla theksoi se adresimi i rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian 2025 në këto fusha përbën një komponent thelbësor të ecurisë së negociatave.

Ministri vuri në dukje se siguria ushqimore lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e njeriut, besimin e konsumatorit dhe aftësinë e produkteve shqiptare për të hyrë dhe konkurruar në tregun evropian. Në këtë kuadër, ai theksoi se gjatë periudhës së fundit është punuar intensivisht për përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e kontrollit zyrtar në të gjithë zinxhirin “nga ferma në tavolinë”, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e infrastrukturës mbështetëse, si laboratorët dhe pikat e kontrollit kufitar.

Në fjalën e tij, Ministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së Bashkimit Europian dhe të qeverisë gjermane përmes projektit EU for Food Safety, i cili synon përgatitjen e Programit Kombëtar për përmirësimin e standardeve të operatorëve të biznesit ushqimor dhe përmirësimin e cilësisë së qumështit të papërpunuar. Salla theksoi se përveç hartimit të akteve nënligjore, fokusi do të jetë edhe te forcimi i kontrolleve zyrtare të bazuara në risk, për produktet e importit, eksportit dhe prodhimit vendor, në mënyrë që standardet të zbatohen njësoj në të gjithë territorin.

Në këtë drejtim, Ministri bëri të ditur se parashikohet një investim prej rreth 20 milionë dollarësh për ndërtimin e 7 Pikave të Inspektimit Kufitar, si dhe për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale të AKU-së dhe ISUV-it, të cilat kanë rol kyç në procesin e integrimit europian dhe kontrollin e importeve dhe eksporteve.