Një në tre shqiptarë sot është në pension, dhe burim kryesor të ardhurash ka pagesën mujore, e cila prej vitesh nuk mbulohet vetëm me kontributet që paguhen nga të punësuarit, por financohet edhe nga buxheti i shtetit.
Një raport i Ministrisë së Financave tregon se vetëm në katërmujorin e parë të këtij viti janë dhënë nga buxheti i shtetit rreth 48.9 milionë euro për të mbuluar diferencën midis të ardhurave dhe shpenzimeve të skemës së pensioneve publike.
Referuar të dhënave të Ministrisë së Financave në 4-mujor të ardhurat për kontributet ishin 620 milionë euro, ndërsa shpenzimet për sigurimet shoqërore përllogariteshin në afro 719 milionë euro.
Ndërsa për gjithë vitin 2025, për të mbuluar pagesën e afro 755 mijë pensionistëve, u transferuan nga buxheti i shtetit rreth 10.1 miliardë lekë ose gati 106 milionë euro. Që nga 2014-a kur u hartua skema e pensioneve e bazuar në kontribute dhe vitet e punës, buxhet i shtetit ka harxhuar afro 2.7 miliardë euro për të financuar deficitin e saj.

Shkaqet për vlerën e lartë të transfertave buxhetore për të mbuluar deficitin e skemës së pensioneve sipas ekspertëve janë disa, duke nisur nga niveli i ulët i raportit kontribuues-përfitues, informaliteti në deklarimin real të pagave e deri emigrimi i fuqisë punëtore, që mban në nivel të ulët numrin e të punësuarve.
Gjatë vitit të kaluar sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve janë lidhur 42.905 pensione të reja, ndërsa numri i kontribuuesve u shtua me vetëm 27 mijë persona. Ndërkohë që raporti kontribuues-përfitues mbetet në vendnumëro, për të paguar 100 pensionistë sot kontribuojnë 118 të punësuar.
Shifrat zyrtare të ISSH, tregojnë se pensionet rurale mesatare arritën në 11,878 lekë në fund të 2025-ës, ndërsa pensionet urbane të pleqërisë në 20,123 lekë. Me indeksimin e bërë më 1 korrik të këtij viti me 2.7%, automatikisht janë rritur pensionet urbane të pleqërisë me mesatarisht rreth 543 lekë në muaj, dhe ato rurale me mesatarisht 320 lekë. Po për të shtuar të ardhurat e kësaj shtrese të popullsisë, prej janarit të këtij viti ka nisur dhënia e bonuseve mujore në varësi të kategorisë së pensionit dhe vlerës së tij.

Komente










Ja kompesoni kete diference me te ardhurat nga rivlersimi i pasurise ..pothuaj se e njejta shifer
PërgjigjuKjo ashte pasoja e papuncis rinija shqiptare po punon boten
Përgjigju