Ministri i Financave, Petrit Malaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, zhvilloi një vizitë në Lushnje dhe në Fier, për të ndjekur nga afër zbatimin e skemës së kompensimit të fermerëve në masën 10% të TVSH për shitjet e produkteve të tyre bujqësore. Zbatimi i kësaj skeme ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2026 dhe synon të mbështesë fermerët përmes lehtësimit të procedurave dhe rritjes së përfitimeve financiare.

Gjatë takimeve me fermerët, Malaj u bëri thirrje të aplikojnë për të përfituar nga skema, duke theksuar se ajo synon të rrisë mbështetjen financiare për fermerët, të nxisë formalizimin e sektorit bujqësor dhe zhvillimin e prodhimit vendas.

“Duke filluar nga data 1 korrik, administrata tatimore ka filluar me kompensimin në masën 10% të TVSH-së për të gjitha produktet bujqësore ose blegtorale të cilat shiten kundrejt faturave të rregullta tek pikat e grumbullimit apo tek pikat e përpunimit. Kjo është në linjë edhe me politikat që po ndjek qeveria e Shqipërisë për të mbështetur sektorin e bujqësisë, të cilin ne e konsiderojmë si një sektor prioritar jo vetëm për kontributin që ajo ka në zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe në aspektin e punësimit të fuqisë punëtore”, u shpreh z. Malaj.

Ministri sqaroi se procesi i aplikimit është dixhitalizuar dhe realizohet përmes sistemit elektronik eFiling, me synimin për të shmangur procedurat burokratike dhe për të bërë të mundur që kompensimi të kalojë drejtpërdrejt në llogarinë bankare të fermerëve.

“Është një proçes të cilin ne jemi përpjekur ta dixhitalizojmë maksimalisht, të evitojmë sa më shumë prezencën e fermerëve pranë administratës tatimore në shërbimin ndaj klientit dhe është një proces i cili mund të bëhet lehtësisht nëpërmjet sistemit efiling ku fermerët mund të hyjnë në llogarinë e tyre. Aty janë të gjitha faturat e rregullta tatimore të listuara dhe mjafton me një kërkesë të thjeshtë dhe me numrin e llogarisë bankare të kryejnë aplikimin, i cila pastaj më tej do të ndiqet nga ana e administratës tatimore për të bërë dhe rimbursimin e drejtpërdrejtë në llogarinë bankare”, sqaroi Malaj.

Nga ana tjetër, Ministri Malaj i bëri thirrje të gjitha pikave të grumbullimit dhe të përpunimit që të lëshojnë faturat e tyre për të gjitha produktet që blejnë nga ana e fermerëve apo blegtorëve.

Sipas të dhënave të dhënave Administratës Tatimore interesi për të përfituar nga kjo skemë kompensimi pritet të jetë i lartë. Për periudhën janar–qershor 2026, vlera e shitjeve të produkteve bujqësore ka arritur në rreth 13.5 miliardë lekë, nga 11.5 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i prodhuesve bujqësorë që shesin te subjektet me përgjegjësi për TVSH është rritur në 9,501, ndërsa numri i blerësve me TVSH ka arritur në 616.

Sipas vlerësimeve të Administratës Tatimore, nëse të gjithë fermerët që plotësojnë kriteret do të aplikojnë, vlera e kompensimit për periudhën janar–qershor 2026 pritet të arrijë në rreth 1.35 miliardë lekë, ose afro 13.8 milionë euro.