Sigurimi i banesave nga tërmetet do të jetë i detyrueshëm. Projektligji i cili e ka përmbyllur fazën e konsultimit pritet të miratohet së shpejti në qeveri dhe do të detyrojë të gjithë pronarët e banesave të lidhin një kontratë sigurimi.
Sigurimi i detyrueshëm i banesave do të ofrohet nga vetë shteti përmes 'Fondit Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet'. Ky fond do të funksionojë si një shoqëri aksionere, ku pronar do të jetë shteti.
Detyrimin për lidhjen e kontratës së sigurimit nga tërmetet do ta kenë të gjithë qytetarët që kanë një banesë në pronës, subjektet e banesave sociale me qira, banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin e sigurimit nga buxheti i tyre.
Ekspertët e ekonomisë thonë në Report TV se sigurimi është i domosdoshëm për shkak se Shqipëria klasifikohet si vend i rrezikuar nga tërmetet.
“Ne jemi ndër vendet më të rrezikuara në Europë dhe ndër më të rrezikuarat në botë. Kështu që është e domosdoshme që të sigurohemi. Pse duhet të sigurohemi? Sepse në momentin kur mund të ndodhi kjo fatkeqësi natyrore, këto dëmtime materiale në bazë të kontratës së sigurimit të na ç’dëmtohen sa më shpejt”, vlerëson eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli.
“Qeveria do të shpërndahet nga njëra anë në një shpërndarje kolektive të riskut dhe nga ana tjetër një formalizim të pasurisë dhe zhvillimit të tregut të pasurive”, thotë eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj.
Qytetarëve dhe bizneseve do tu mohohen disa shërbime nëse nuk bëjnë sigurimin e pronës ndaj tërmeteve nuk marrin shërbime në e-Albania, asnjë shërbim kadastral dhe as shërbime nga QKB.
Një nga arsyet pse qytetarët nuk shkojnë drejt sigurimit të pagesës është aspekti financiar, ekspertët propozojnë pagesë vjetore jo më shumë se 30 euro.
“Natyrisht do ketë një prim minimal që mund të varjojë ndoshta nisur nga përvojat e vendeve fqinje deri në 20 euro, por në qoftë se qeveria ndërmerr një pagesë më të lartë te ky prag, natyrisht që duhet të japi një transparencë shumë më të plotë, një garanci më të madhe dhe një sigurim në aspektin e simulimeve të rasteve që këto mund të përdoren”, thotë Gjokutaj.
“Ka prej kohësh që ky projekt që fle në sirtarët e qeverive tona, dhe flitet në nivelin e 25-30 eurove kështu që kjo është një shifër që mendohet, një shifër e përballueshme”, thotë Çoçoli.
Pak ditë më parë (26 janar 2026), ministri i Financave Petrit Malaj tha se buxheti i shtetit do të financojë primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet për shtresat sociale në nevojë, kurse Bashkitë do të sigurojnë banesat sociale.
“Në fakt ka familje me të ardhura të ulëta apo shtresa që banojnë në zonat rurale të cilat edhe një shpenzim i caktuar u rëndon në atë çfarë ata e konceptojnë si një detyrim, i cili nuk merret detyrimisht mbrapsht”, thotë Gjokutaj.
Ekspertët ndahen tek përfshirja e pensionistëve kryefamiljar në pagimin e sigurimit të banesës.
“Unë do t'i shtoja edhe kategorinë e familjeve me pensionistët që janë si të thuash kryefamiljar. Kur janë kryefamiljarë është mirë që të mos paguajnë”, thotë Çoçoli.
“Nëse pensionistët do i futësh të gjithë si kategori përfituesish, natyrisht që e ç’bën atë bazën e gjerë të sigurimit të detyrueshëm dhe në një farë mënyre krijon edhe precedent për të anashkaluar dhe këto mund të jenë zbatuar pjesërisht në vendet e tjera”, thotë Gjokutaj.
Duke qenë se nisma ende nuk është miratuar në qeveri, ajo që po diskutohet është fakti që primi i sigurimit nuk do jetë i njëjtë. Metodologjia e caktimit të primit të sigurimit, do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, dhe do të varet nga harta sizmike. Pra siguracioni që do të paguajnë qytetarët do të varet nga rreziku sizmik që paraqet qyteti apo zona. Pra nëse një qytet, marrim si shembull Durrësin konsiderohet me rrezik të lartë, edhe primi i sigurimit do të jetë më i lartë.
“Harta kombëtare e rriskut sizmik është ajo që duhet të shërbejë për një diferencim, një fillim diferencimi, por nga ana tjetër me një regjistër real të pronave”, thotë Gjokutaj.
Kriter që duhet të ndikojë në vlerën e siguracionit thotë Çoçoli duhet të jetë edhe sipërfaqja e banesës.
“Kriteri i metrave katror, pra i sasisë së banesës që ti do të sigurosh që diskutohet që duhet të merret parasysh sepse nuk mundet që primi të jetë njësoj për atë që ka një banesë dhe një të vetme me 70 m² apo 100 m² dhe atë që ka disa vila”, shprehet Çoçoli.
Aktualisht sigurimi i banesave është kryesisht vullnetar dhe me përfshirje shumë të ulët më pak se 1% e banesave që ka vendi.
“Çdo qytetar në mënyrë vullnetare e ka. Por sa prej nesh janë siguruar, duhet të dimë që të gjithë që ne jemi të detyruar në thonjëza të sigurohemi kur marrim një kredi banke”, thotë Çoçoli.
Në fund të vitit 2025 numri i kontratave të sigurimit të pronave nga fatkeqësitë natyrore kryesisht nga zjarret ishte 57 mijë.
Ndërsa shifrat e CENS 2023 tregonin se në vend janë mbi 1 milion banesa, nga të cilat 63.6% e tyre janë me vjetërsi mbi 30 vjeçare. Më konkretisht 26.1% janë ndërtuar para vitit 1981.
Shqipëria thotë qeveria është goditur nga tërmete me magnitudë mbi 6 ballë, që nga viti 1900 janë regjistruar 12 tërmete të tilla. Më i fundit dhe më shkatërruesi ishte tërmeti i nëntorit 2019 me magnitudë 6.4 ballë, i cili preku mbi 200,000 njerëz në 11 bashki, përfshirë qytetet kryesore si Tirana dhe Durrësi. Ky tërmet shkaktoi një ndikim të konsiderueshëm ekonomik, me kosto të drejtpërdrejta që përfaqësonin rreth 7.5% të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit.
Komente







