Kërkonte që Ministria e Mbrojtjes t’i ndërtonte një program specifik, ku bashke me të të ishin edhe oficerë shqiptarë, pasi ashtu si përfaqësuesit e tregtisë njihen me sektorët e tyre, dhe ai, si ushtarak, duhej të njihej me sektorin përkatës, pra me ushtrinë. Por me veprimet që bënte, Sigurimit shqiptar i linte përshtypjen e një spiuni, për të cilin kishin vendosur t’a forconin mbikqyrjen në të ardhmen.
Ky ishte thelbi i një relacioni që i dërgonte në vitin 1970, ish-zëvendësministri i Brendshëm, Feçor Shehu, Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH, Hysni Kapo, pas punës që kishin bërë në terren vartësit e tij, ndërsa kqyrnin atasheun ushtarak të njërit prej vendeve të pakta perëndimore që posedonte një paketë të plotë “akreditimi” në ish-Republikën Popullore të Shqipërisë që historia e regjistron si njohësin e parë të qeverisë “Hoxha”.
Ky vend për të cilin edhe vetë ish-diktatori dihet se kishte një dobësi të veçantë, në një moment të caktuar duket se ka dashur të dijë diçka më shumë rreth organizimit të ushtrisë shqiptare, sidomos mbi rolin e komandantëve e me shumë gjasa, më shumë të komisarëve politikë në ushtri.
Por përtej tyre, nga raporti të bën përshtypje edhe hapësira gjeografike në të cilën ka lëvizur ish-atasheu ushtarak francez, ku si pikë me shumë interes ishte dhe Pashalimani, ose baza “e famshme” navale shqiptare, një dekadë pas largimit të sovjetikëve.
Interesant është këmbëngulja e atasheut francez Fransua Landel, i cili kishte kërkuar dhe konsumuar edhe takime me zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes (Popullore) dhe pyetjes se pse i kërkonte këto hollësira, i ishte përgjigjur: “Thjesht për kuriozitet”.
Përtej mënyrës së mbikqyrjes, ndjekjes dhe raportimit të veprimtarisë së tij ( që s’përbën ndonjë çudi tashmë), nga pikëpamja aktuale të bën përshtypje në nëj plan tjetër se cilat mund të kenë qenë qëllimet e ish-atasheut ushtarak francez dhe nëse Franca mund të ketë shërbyer si i vetmi “informant” nga terreni shqiptar për kapacitetet, strukturën, organizimin dhe problemet në ushtrinë shqiptare, për kolegët e vet perëndimorë, në një vit që nga pikëpamja politiko-historike, përbënte një kulm në marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë.
A kishte vërtetë ai porosi nga ish-Shefi i Shtabit të Ushtrisë franceze? Supozimet mbeten pa përgjigje dhe ajo çka dëshmohet nga ky dokument autentik që botohet për herë të parë (A.Q.SH. F. 14 / AP STR V.1970, D. 76, fl. 34-35), zyrtarisht mbetet vetëm “kurioziteti” i atasheut ushtarak dhe dëshira për t’u marrë me diçka, ashtusikurse edhe kolegët e tij të kulturës apo të tregtisë, të cilët me ç’duket kishin shumë më tepër punë se ai.
* * *
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORIA I
SEKRET
Tiranë më 12.10.1970
Lënda: Mbi atasheun ushtarak francez n/kolonelin Fransua Landel.
SEKRETARIT KOMITETIT QENDROR PPSH
SHOKUT HYSNI KAPO
TIRANË
Prej datës 15-22.09.1970, erdhi në vendin tonë atasheu ushtarak i ambasadës franceze, n/koloneli Fransua Landel, nga ndjekja e të cilit rezulton:
Qëllimi kryesor i Fransua Landel ishte që gjatë lëvizjeve në Shqipëri të mblidhte të dhëna sekrete mbi repartet dhe objektet ushtarake. Kështu p.sh. më datë 17.9.1970, duke u paraqitur si turist, tentoi të futej në portin e Durrësit dhe në një repart të marinës luftarake.
Më datë 18.9.1970, Landel bëri një udhëtim në jug. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte që aty të shkonte në Pashaliman. Me gjithë se nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme kjo kërkesë iu refuzua, tentoi të futej në Pashaliman, por u ndalua.
Në të njejtën kohë, gjatë qëndrimit në Vlorë, bëri veprime provokuese për t’i shpëtuar kontrollit tonë. Ra në sy qëndrimi i tij në bregdet nga ku vrojtonte në drejtim të Sazanit dhe Karaburunit. Më datë 20.9.1970, bëri një udhëtim në qytetin e Korçës. Gjatë gjithë rrugës ka ecur me shpejtësi dhe disa herë ka ndaluar në afërsi të reparteve e objekteve ushtarake. Ka dyshime se ai mbante shënime mbi objektet që shihte, sepse në një rast, në afërsi të Qukësit, u pa se shënonte diçka në hartë.
Më datë 21.9.1970, me kërkesën e tij, atasheu ushtarak francez, Fransua Landel, u takua me një kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Midis të tjerave ai u shpreh: “Unë jam një miku juaj, një partizan që kam luftuar kundër fashizmit dhe jam plagosur. Kam ardhur në Shqipëri me qëllime të mira, për të forcuar miqësinë tonë.
Si ushtarak dëshiroja të njihesha me jetën e ushtrisë suaj, jo me planet sekrete, se nuk jam spiun, por një dashamirës dhe mik i Shqipërisë...Për këtë gjë me ka porositur edhe shefi i shtabit të Ushtrisë franceze...Pra do të dëshiroja që Ministria e Mbrojtjes të më ndërtonte një program, ku me mua në makinë, të ishte dhe një oficer shqiptar......Ashtu si përfaqësuesit e tregtisë njihen me sektorët e tyre, dhe unë, si ushtarak, duhet të njihem me sektorin e ushtrisë”.
Gjithashtu Landel kërkoi të dinte mbi organizimin e Ministrisë së Mbrojtjes, si zbatohen tek ne funksionet e komandantit dhe komisarit, si emërohen ata, etj. Në përgjigje të pyetjes pse i kërkonte këto hollësira, Fransua Landel tha: “Dua të di thjesht për kuriozitet”.
Duke marrë parasysh se n/koloneli francez Fransua Landel vjen në Shqipëri me detyra spiunazhi, për të ardhmen do të forcojmë punën për kotrollin e tij.
Zv/Ministri i Punëve të Brendshme
Feçor Shehu
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.02.2013
Redaksi Online
(b.m.shqiptarja.com)