Banka Botërore do të mbështesë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për të reformuar tregun e sigurimeve. Sipas burimeve zyrtare të AMF-së, asistenca për reformën në tregun e sigurimeve vjen në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të programit të vlerësimit të sektorit financiar (FSAP).

Objektivi i projektit të BB-së për asistencë teknike për reformën në tregun e sigurimeve është të ndihmojë AMF-në në përmbushjen e reformave ligjore dhe rregullatore për të forcuar mbikëqyrjen dhe rregullimin e sektorit të sigurimeve dhe për të mundësuar zhvillimin e produkteve të sigurimit nga tërmetet. Projekti përqendrohet në tre komponentë bazë që janë rishikimi i kuadrit rregullator për produktet e sigurimit MTPL mbi teknikat e përllogaritjes së provigjoneve të dëmeve nga produktet e sigurimit MTPL, i kuadrit të përgjithshëm mbikëqyrës për ndërtimin e manualeve tematike të inspektimit, si dhe plotësimin e kuadrit rregullator në funksion të ligjit të ri, i cili parashikon mbikëqyrjen me bazë risku.

Ndërsa risi është dizenjimi dhe zhvillimi i një programi kombëtar për sigurimin nga tërmetet.referuar statistikave zyrtare të AMF-së, sigurimi nga tërmeti nuk zë më shumë se 7-8% të portofolit, që është shumë minimal. Projekti i asistencës ka një shtrirje kohore prej 24 muajsh dhe pritet të përfundojë në vitin 2016. Gjatë kësaj jave grupi i ekspertëve të Bankës Botërore i përbërë nga Eugene Gurenko dhe Alma Qamo shqyrtuan me stafin e AMF-së dhe palë të tjera të interesuara, si shoqëri sigurimesh dhe institucione shtetërore kushtet për të nxitur reformën e tregut të sigurimeve./ATSH/