Pavarësisht zjarreve, përmbytjeve apo tërmeteve, sigurimi i pronës në Shqipëri përsëri mbetet në ‘plan të dytë’. Zjarri në pallatin në mes të Tiranës, përtej cilësisë së ndërtimit rikthen edhe një herë në qendër të vëmendjes domosdoshmërinë e sigurimit të pronës.
Kjo procedurë në Shqipëri është vullnetare, me përjashtim të rasteve kur banesa/prona blihet me kredi. Të gjithë qytetarët që marrin një kredi për të blerë një pronë duhet të bëjnë një kontratë sigurimi për të mbrojtur pronën nga zjarri dhe dëmtime të tjera. Aktualisht sigurimi i banesave është kryesisht vullnetar dhe me përfshirje shumë të ulët, më pak se 6% e banesave që ka vendi.
Në fund të vitit 2025 numri i kontratave të sigurimit të pronave nga zjarret dhe dëmtimet e tjera ishte 63 mijë, kurse në Shqipëri sipas CENS 2023 janë mbi 1 milion banesa, nga të cilat 63.6% e tyre janë me vjetërsi mbi 30 vjeçare.
Në fakt pritej që sigurimi të merrte një hov tjetër pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, por në fakt, prej asaj kohe numri i pronave të siguruara është rritur me vetëm 15 mijë më shumë.
Po në aspektin e sigurimit, vetë ndërtuesit janë të detyruar të presin një policë sigurimi 10-vjeçare ku përfshihen vetëm dëme të ndërtesës, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, ndërtimi shembet tërësisht ose pjesërisht, pra jo nga zjarret.
Në ligjin ‘Për Planifikimin dhe Zhvillimin E Territorit’, në nenin 42 theksohet se kontrata e sigurimit 10 vjeçar i kalon blerësit.
“Njëkohësisht me lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së punimeve, ndërtuesi duhet t’i dorëzojë blerësit një policë sigurimi me afat dhjetëvjeçar me përfitues blerësin/blerësit dhe me efekt nga data e përfundimit të punimeve, që mbulon dëmet e ndërtesës, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur, për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, ndërtimi shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë”, thuhet në pikën 9 të këtij neni.
Ndërkohë prej më shumë se 6 vitesh po punohet për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Projektligji që ka kaluar procesin e konsultimit publik, tashmë po diskutohet mes institucioneve dhe pritet të ketë një sërë ndryshimesh nga drafti fillestar.
Sigurimi do të jetë i detyrueshëm edhe për përmbytjet, ndërsa primi i sigurimit do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, dhe do të varet nga harta sizmike si dhe zonat me rrezik të lartë përmbytjesh. Pra siguracioni që do të paguajnë qytetarët do të jetë më i lartë aty ku rreziku është më i lartë.
Kontratë sigurimi për mbrojtjen e banesës nga tërmeti duhet të lidhin jo vetëm qytetarët, por edhe subjektet fizike apo juridike, që kanë në pronësi një pasuri të paluajtshme. Sigurimi i detyrueshëm i banesave do të ofrohet nga vetë shteti përmes 'Fondit Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet', që do të funksionojë si një shoqëri aksionere, ku pronar do të jetë shteti.
Komente











