Flakët e zjarrit që ranë të martën pasdite në pallatin 12 katësh, në kompleksin “Arlis” në Tiranë, pranë QSUT-së, përpinë thuajse gjysmën e pallatit në të gjithë gjatësinë e tij. Zjarri është shuar, por edhe në orët e hershme të mëngjesit të kësaj të mërkure, tymi u pa ende në katet e larta
Zjarri la pas dramën e humbjes së investimit të një jete. Të paktën 30 apartamente të shkrumbuar. Një grua në lot sheh se si gjithçka kishte iku në pak sekonda.
Dikush tjetër e kaloi natën jashtë. Në pamundësi për të gjetur familjarë të tjerë në Tiranë, ky zotëri me origjinë nga Dibra, u kthye të shihte dëmet kolosale në apartamentin që e bleu qindra euro,
“Më është djegur shtëpia. Kat i katërt, shtëpia 150 mijë euro, e kam blerë para 2 vjetësh. Është bërë shkrumb e nuk më lë njeri të shoh shtëpinë time”, thotë ai.
Policia nuk e la të hynte brenda. E gjitha konsiderohet një skenë krimi, në të cilën po kërkohet cdo provë e mundshme për të gjetur shkakun.
Një tjetër banor, shtëpia e të cilit shpëtoi mrekullisht nga flakët, fajtorin e gjen te materiali i fasadës, sipas të cilit, është arsyeja pse në këtë pallat ka rënë zjarr edhe më herët.
“Ky material ikën si pishë, po të vazhdonte nja një orë, ishte djegur e tëra. Ky pallat, kur ishte duke u ndërtuar dhe punonin ata me saldatriçe, mori njëherë flakë. Material i dobët, kjo është”, tregon ai.
Zjarri ishte i përmasave të mëdha, e që pavarësisht angazhimit të dhjetëra forcave zjarrfikëse nga Tirana, Kamza dhe Vora, përfshirë edhe elitën e RENEA-s dhe 2 helikopterë, nuk u shua për 5-6 orë. Atë që pa me sy, kjo grua, fqinje pranë pallatit të djegur, e përshkruan kështu:
“Momenti ishte shumë tragjik, jam habitur. Thashë ç’është kjo, po qaja në shtëpinë time. Ajo ishte si një karton, inertet që digjeshin, një tmerr i paparë”, thotë gruaja.
Zjarrfikëset u kthyen sërish këtë të mërkurë bashkë me ekspertë kriminalistë të policisë, për të përcaktuar shkakun e zjarrit.
Hetimi paraprak i agjentëve të Komisariatit nr. 4 zbuloi se zjarri nisi në krah të këtij marketi, në disa mbeturina kartoni po të këtij biznesi.
Pronari i kompleksit Armand Lilo dhe personi i kontraktuar për ndërtimin e pallatit, do të hetohen në gjendje të lirë.
Në gjendje të lirë nisi hetimi për 2 punonjëse në market të cilat dyshohet se mund të kenë lënë mbeturinat jashtë.
E paqartë mbetet shkëndija e parë. Policia ka monitoruar kamerat e sigurisë, dhe në momentin që flakët shpërthejnë, pranë kartonëve, që shihen si burimi i parë i zjarrit, nuk ka njeri. Pak më herët, në zonë shihen fëmijë që luajnë, të cilët mund të kenë hedhur diçka në karton që ka shkaktuar flakët, por nuk përjashtohet edhe mundësia e hedhjes së ndonjë cigareje të pa fikur nga katet e sipërme të pallatit. Hetimi vijon, e pritet që shkaku të qartësohet.
Vetë kompania Arlis, në një reagim publik, tha se objekti është ndërtuar duke respektuar standardet e sigurisë, i certifikuar nga organet kompetente që prej vitit 2021. Sa i përket fasadës, Arlis ia faturon përgjegjësinë kompanisë kontraktore e cila është zotuar sipas tyre për standardet e materialit
11 persona u lënduan nga flakët e zjarrit dhe asfiskia nga tymi, banorë dhe forca zjarrfikëse.
Komente









A ka ndonjë njeri që e nxjerr me foto se çfarë materiali është ai që ndizet që ta dimë për të mos blerë pallate të tillë?!!
Përgjigju