TIRANE- Qeveria ka vënë në dispozicion fondin prej  18 milion dollar për pagesat e aftësisë së kufizuar dhe ndihmën ekonomike.
 Të gjithë personat me aftësi të kufizuar dhe dhe ata që përfitojnë ndihmë ekonomike në të gjithë vendin do të marrin pagesën e plotë për muajin dhjetor. Lajmin e mirë për këtë kategori e ka bërë të ditur dje Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, i cili deklaroi se qeveria Shqiptare miratoi një fond prej 1.8 miliard lekësh për këtë kategori. Ai nënvizoi se qeveria ka bërë një përpjekje të madhe për të gjetur fondet, në kushtet kur 96 për qind e fondeve për pagesat e aftësisë së kufizuar dhe ndihmës ekonomike ishin shpenzuar për fushatë elektorale nga qeveria e kaluar.

“Në këtë mënyrë, asnjë nevojtar nuk do të shkojë i pangrënë teksa hyjmë në vitin e ri”,  u shpreh  Veliaj. Ndërkaq, duke filluar nga janari i vitit tjetër do të shlyhen të gjitha pagesat e prapambetura të muajve të fundit. Nga ana tjetër, Ministri Veliaj tha se procesi i denoncimit të të gjitha abuzimeve me skemën e aftësisë së kufizuar dhe ndihmën ekonomike do të vazhdojë edhe në qarqe të tjera dhe se numri i njerëzve që përfitojnë padrejtësisht nga pagesat e aftësisë së kufizuar dhe ndihma ekonomike është disa herë më i lartë se ritmi i njerëzve që aksidentohen në Irak dhe Afganistan. Vetëm në komunën e Paskuqanit janë  denoncuar 623 raste abuzimi. E njejta gjë është bërë edhe në Elbasan dhe në Fier.

Ministri shprehu vendosmërinë për të pastruar këtë skemë të korruptuar e cila ka lënë jashtë saj personat në nevojë në mbarë vendin. Sipas tij, procesi i pastrimit të skemës është shumë i rëndësishëm dhe do të marrë kohën e vet, por njëkohësisht ka nevojë për zgjidhje afatshkurtra në mënyrë që asnjë qytetar shqiptar në nevojë të mbetet pa përkrahje. Deri tani, kur janë zbardhur abuzimet vetëm në disa rrethe, numërohen 842 persona të cilët kanë përfituar pagën për invalidë pa të drejtë, pasi në dosjet e tyre janë gjetur mungesë dokumentacionesh, ose ka rezultuar që kishin nën pronësi prona përtej limit të caktuar për të përfituar këtë ndihmë.

Këto abuzime kanë bërë që fondi për këtë kategori të shpërdorohet dhe të mos shkojë tek personat në nevojë. Ndërsa Ministri i Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur se nga janari ku do shlyhen edhe detyrimet e prapambetura, pagesa do të jepet në mënyrë të rregullt çdo muaj. Në muajin janar hyn në fuqi edhe skema e re e dixhitalizuar që synon të eleminojë rastet abuzive dhe ta çojë ndihmën tek nevojtari.

Shkrimi u publikua sot (15.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)