Silva Caka: Ja bilanci i
LSI për këtë vit qeverisës 

Silva Caka: Ja bilanci i<br />LSI për këtë vit qeverisës 
Deputetja e LSI-së, Silva Caka bën bilancin e kontributit politik të LSI-së në këtë vit qeverisës që po mbyllet gjatë një interviste për “Shqiptarja.com”. Teksa pyetet për kontributin e opozitës, Caka thotë se u takon forcave në pushtet që të krijojnë gjithmonë hapësirat e duhura që opozita të jetë pjesë e vendimmarrjeve.

Në mbyllje të këtij viti kalendarik, cili është bilanci politik i LSI-së në angazhimin e saj parlamentar?
Lëvizja Socialistë për Integrim përfaqësohet në Parlament më deputetë që përfaqësojnë pothuaj të gjithë qarqet e vendit. Këta deputetë e përfaqësojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim në çdo komision të përhershëm parlamentar dhe marrin pjesë në mbledhjet e tyre, duke dhënë kontributin e tyre personal dhe duke përçuar qëndrimin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për çdo projektligj që i nënshtrohet shqyrtimit parlamentar. Gjithashtu, deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, përcjellin zërin e kësaj force në çdo projektligj që diskutohet në seancë plenare, duke e bërë angazhimin tonë parlamentar intensiv, të spikatur dhe të përshtatshëm në raport me mandatet tona të përfaqësimit. Ajo që vlen të përmendet nga unë, është gjuha dhe etika e përdorur nga deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në çdo seancë parlamentare. Në vrullin e seancave të ngarkuara me retorika negative, sharje e fyerje personale, duhet që dikush të përcjellë qytetari dhe respekt për ata që na kanë zgjedhur, prandaj jam shumë e nderuar të bëj pjesë në një grup parlamentar që përbëhet nga deputetë që respektojnë rregullat parlamentare dhe që mbi të gjitha respektojnë qytetarët.
 
Çfarë do të rendisnit në tabelën e sukseseve?
Absolutisht rolin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në miratimin me konsensus të Reformës në Drejtësi. Qëndrimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim karshi kësaj çështjeje kanë qenë të qarta, të pakontestueshme dhe të vlerësuara nga faktori ndërkombëtar. Këto qëndrime janë artikuluar dhe manifestuar përgjatë gjithë kohës që punoi Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi, jo vetëm nga anëtarët e Lëvizjes Socialiste për integrim në këtë Komision, por në mënyrë të veçantë nga kryetari i saj dhe nga çdo deputet i saj në Kuvendin e Shqipërisë. Ishte pikërisht këmbëngulja jonë, por edhe kërkesa e vazhdueshme për bashkëpunim dhe konsensus, që sollën një reformë të gjithëpranuar dhe që shton garancinë tek qytetarët për zbatimin me efikasitet të saj dhe për jetëgjatësinë e saj. Është shumë e rëndësishme për ne që të identifikohemi me punë të mira në shërbim të qytetarëve, me projektligje të suksesshme, që sjellin përmirësim dhe për këtë arsye, Lëvizja Socialiste për Integrim, asnjëherë nuk do vërë në diskutim votën e saj pro këtyre projektligjeve, të cilat do të vazhdojnë të renditen si suksese në listën tonë të veprimtarive. Gjithashtu mund të vijoj të rendis të tjera suksese, si konsensusin për miratimin e ligjit të dekriminalizimit, kundërshtimin që Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim i bëri koncesioneve në shëndetësi, përmirësimin që i bëmë me qëndrimin tonë ligjit për masat shtesë të sigurisë publike, uljes së taksës së gazit për makinat, amendimin që i bëmë ligjit për përpunimin e integruar të mbetjeve dhe pezullimin e tij e shumë të tjera, të cilat pa zërin specifik të Lëvizjes Socialiste për Integrim, sot ndoshta nuk do të ishin në formën që janë.
 
Bilancet kanë edhe kolonën e dështimeve apo veprimtarive negative. Keni të tilla?
Lëvizja Socialiste për Integrim, më të gjithë deputetët e saj është përpjekur maksimalisht të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të tyre më të larta. Duke patur këto interesa në bazë të veprimtarisë tonë dhe duke u konsultuar gjithnjë me qytetarët, shoqërinë civile apo grupe të caktuara interesi, mund të them se marzhi i gabimit të saj është shumë i vogël. Gjithashtu, më duhet t’ju kujtoj se ka patur shumë raste, në të cilat Lëvizja Socialiste për Integrim ka patur zërin e saj, jo pak herë kontradiktor, për projektligje, nene të caktuara, vendime të ndryshme, që në gjykimin tonë, nuk kanë qenë në interesin e qytetarëve. Gjithsesi, ne kurrë nuk e kemi imunizuar veten plotësisht nga gabimet, pavarësisht dëshirës së madhe për të korrur suksese. Kush nuk punon, nuk ka shansin të bëjë gabime, por as punë të mira. Sa më shumë të punosh, aq më shumë shtohet probabiliteti për të bërë punë të mira, por edhe gabime, të cilat na ndihmojnë për t’u përmirësuar e për të ecur përpara. E rëndësishme është që këto gabime të mos rëndojnë jetët dhe xhepat e qytetarëve tanë, ose edhe nëse ndodh, atëherë të merren masa të menjëhershme dhe të gjejmë zgjidhjet e duhura në kohën e duhur.
 
Marrëdhëniet me opozitën dhe kontributin e kësaj në jetën parlamentare, si do t’i vlerësonit për 2016?

Mendoj se një nga treguesit e demokracisë së një vendi, është edhe mënyra se si pushteti ndërton raportet me opozitën. Nëse pushteti ka mjetet, opozita ka fjalën dhe protestat demokratike. Mirëpo, për shkak të supremacisë politike që ka pushteti, i takon pikërisht këtij të fundit, që të respektojë çdo hapësirë të opozitës dhe të krijojë çdo mundësi, qoftë edhe përtej të mundshmes, që opozita të jetë pjesë e çdo vendimmarrjeje. Dialogu mes palëve dhe bashkëpunimi janë çelësi i reformave të suksesshme dhe integrimit të një shoqërie. Për këtë arsye, Lëvizja Socialiste për Integrim, gjithnjë ka pretenduar prezencën e forcave politike opozitare në vendimmarrjet politike, me qëllimin e vetëm të përftimit të një rezultati konsensual dhe që i ka shteruar gjithë mjetet e mundshme të komunikimit. Vetëm në këtë mënyrë, do të përfaqësohen dhe do të dëgjohen denjësisht të gjitha palët. Për vitin 2016, do të doja të vlerësoja rolin e opozitës për të gjithë procesin e hartimit dhe miratimit të Reformës në Drejtësi dhe njëkohësisht shpresoj të nxiten jo vetëm për pjesëmarrjen, por edhe për të bashkëpunuar për çështje të rëndësishme për vendin, miratimi i të cilave do t’i hapë Shqipërisë rrugën drejt Bashkimit Europian.
 
Në aspektin e organizimit partiak, cilat janë ngjarjet më të rëndësishme të LSI-së për këtë vit?

Lëvizja Socialiste për Integrim po lë pas një vit tepër impenjativ përsa i përket organizimit të brendshëm. Si ngjarjet më të rëndësishme të këtij viti, duke respektuar kronologjinë e ngjarjeve, do përmendja zgjedhjet për Kryetarin e Lëvizjes Rinore për Integrim, të cilat risollën një vajzë në drejtimin e këtij forumi. Këto zgjedhje u pasuan nga zgjedhjet sipas parimit “një anëtar, një votë”, të Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilat rikonfirmuan Z. Meta në drejtim të saj. Brenda të njëjtit proces u mbajtën edhe zgjedhjet në çdo njësi administrative për delegatët që morën pjesë në Konventën Kombëtare Zgjedhore, që u mbajt më 3 dhe 4 dhjetor. Këto zgjedhje nxorën rreth 2200 delegatë nga e gjithë Shqipëria, të cilët miratuan një sërë ndryshimesh në Statutin e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe zgjodhën jo vetëm Komitetin Drejtues Kombëtar, siç ndodhi në Konventën e kaluar, por për herë të parë zgjodhën me votë të drejtpërdrejtë edhe zëvendëskryetarin, 2 nënkryetarët dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Së fundi, sipas parashikimeve të Statutit, në mbledhjen e parë të Komitetit Drejtues Kombëtar, u zgjodh edhe Kryesia e re e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e përbërë nga 33 anëtarë, sipas parimit të barazisë gjinore.
 
Viti i ardhshëm është një vit elektoral. Cilat janë objektivat e LSI-së?
Në aspektin e organizimit të brendshëm, përveç zhvillimeve që përmenda më sipër, viti 2017 do të nisë me zgjedhjen ose riorganizimin e strukturave drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim në çdo qelizë të saj. Ky proces do të nisë me rinovimin e strukturave të Bashkisë së Tiranës, do të shtrihet në qarqet dhe bashkitë më të mëdha të vendit dhe do të përfundojë në çdo njësi administrative. Përfundimi me sukses i këtij procesi, koincidon pikërisht me çeljen zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, për të cilat Lëvizja Socialiste për Integrim, nëpërmjet anëtarit të saj në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore dhe kontributit tonë në këtë reformë, shpreson që të përmbushen standardet më të larta evropiane dhe rekomandimet e vyera të OSBE/ODIHR. Në të njëjtën kohë, sigurisht që po punojmë edhe për rritjen e përfaqësimit tonë të ardhshëm në Parlament, jo vetëm në numër, por edhe në cilësi. Përmbushja e këtyre dy elementëve, do forconin rolin e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe do të justifikonin besimin e qytetarëve, duke na motivuar çdo ditë e më shumë për t’iu shërbyer atyre. 

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?