Nga Kampi i Forumit Rinor Socialist në Jalë, drejtuesi i qarkut të Beratit, Blendi Klosi u premtoi të rinjve së do jetë mbështetës i protestës së tyre për mungesën e ambjenteve sportive. Premtimi i tij erdhi pas shqetësimit që ngriti një vajzë e re volejbolliste nga Kuçova e cila nuk ngurroi të thoshte që në qytetin e saj jo vetëm nuk ka kënde sportive, por që ajo dhe shumë të tjerë stërviten në kushte mizerable. 

"Nuk i kushton asgjë kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Skrapar apo Berat, të ngrenë shërbime për të rinjtë", ishte fraza që u tha Klosi të rinjve, por që solli reagimin e menjëhershëm të deputetes së LSI-së për qarkun e Beratit, Silva Caka e cila me anë të një statusi në facebook ku i tërheq vëmendjen Blendi Klosit. 

Një tërheqje vëmendje për Blendi Klosin

Dje, gjatë një takimi, Z. Klosi bazuar në një shqetësim të drejtë, të ngritur nga një volejbolliste e ekipit të qytetit të Kuçovës, është shprehur se "do të organizojnë një lojë proteste në rrugë, ku ai do të jetë pjesë e kësaj loje protestë, me qëllim 'tërheqjen e vëmendjes' dhe rritjen e ndërgjegjësimit, se terrenet sportive për të rinjtë nuk janë kërkesa luksi".

Parimisht, unë jam shumë dakord me Z. Klosi dhe njësoj si ai mendoj që terrenet sportive për të rinjtë jo vetëm që nuk janë kërkesa luksi, madje në qytete të tilla, ku mundësitë e të rinjve për argëtim dhe zhvillim potencialesh janë minimale, duhet një ndërhyrje urgjente nga çdo instancë shtetërore, vendore apo qendrore, për të ndërtuar këto ambjente.

Ndërtimi dhe mirëmbajtja e këtyre terreneve janë kompetencë e bashkive dhe bashkia e Kuçovës deri përpara zgjedhjeve që lamë pas, nuk ka ndërtuar asnjë terren të ri sportiv.

Me të drejtë shumëkush do të pyesë pse?

Të bëj me dije Z. Klosi (edhe pse e di që ti e di), se Bashkia e Kuçovës është një nga bashkitë më të diskriminuara përsa i përket investimeve. Arsyen besoj e dini më mirë se unë!

Çdo vit buxhetor, që prej vitit 2015, në ndarjen e fondeve të tepsisë vendore, deputetët aktualë të këtij qarku, por edhe ju që kishit në plan të kandidonit në këtë qark, u kujdesët maksimalisht që shumica e fondeve t'i shkonte bashkive "tuaja". Bashkia e Kuçovës ishte e "atyre të LSI-së" dhe sigurisht, në gjykimin tuaj nuk meritonte të merrte fonde.

Ju kujtoj, që nga shtatori i vitit 2015 e deri në fundin e vitit 2016, Bashkia e Kuçovës ka dorëzuar 37 projekte për të përfituar investime, në kuadër të të ashtuquajturës "Rilindje Urbane" dhe nga qeveria ka marrë 0 (zero) Lek për investime. Kjo 0 (zero) ka qënë po aq e madhe sa ajo që morrët në Trieste!

Bashkia e Kuçovës, ka investuar për ruajtjen e traditës së mirë sportive të këtij qyteti, por ka investuar nga fondet e veta, rreth 10.000.000 Lek. Këto fonde siguruan:
- ngjitjen në Kategorinë e Parë të Ekipit të Futbollit "Naftëtari";
- shpalljen Kampion Kombëtar të Ekipit të Shahut "Naftëtari; si dhe
- mirëmbajtjen e 2 terreneve sportive në Kuçovë dhe 1 terreni sportiv në njësinë administrative të Kozares.

Shumë më shumë duhet të kishin bërë... nëse deputetët tuaj nuk do t'ia mohonin fondet!

Të vetmet fonde që ka marrë kjo bashki, kanë patur si destinacion investimet minimale dhe jetësore për banorët, pa të cilat vështirë se do të mbijetonte ky qytet. Nuk janë investime as pagat e punonjësve të bashkisë, as rikonstruksionet minimale të rrugëve rurale e as rikonstruksionet e kopshteve, çerdheve, shkollave apo fondet për zjarrfikëset.

Investime janë ato 8 milionë € që çuat në Urë Vajgurore, meqë ishte bashkia "juaj" dhe meqë drejtuesja e bashkisë ishte "shoqja" juaj. Për këto duhet të interesohesh Z. Klosi, ku kanë shkuar gjithë këto para, të cilat janë shumë për një bashki si ajo e Urës Vajgurore, që nuk krahasohet as për nga popullsia, as për nga resurset e as për nga nevojat për investime, me bashkinë e Kuçovës.

Redaksia Online
E.S / shqiptarja.com