TIRANË- "Policët në moshën 55 vjeç dhe me 30 vite eksperiencë punë nuk mund të hiqen nga puna me kërkesë të titullarit, por vetëm me kërkesën e tyre në të kundërt do t'i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese". Është ky paralajmërimi i kreut të sindikatës së punonjësve të policisë, Sadetin Fishta lidhur me atë çfarë parashikon projektligji i miratuar nga komisioni i sigurisë që prek 613 efektivë të policisë.

“Fakti që është me kërkesë të punonjësve është krejt normale, pasi është e drejta e tij që para moshës 65 vjeç çdo punonjës policie të bëj një kërkesë dhe të largohet. Fakti i dytë që mbrapa këtij neni thuhet ka të drejtë dhe eprori ose titullari i institucionit të propozojë largimin e këtij punonjësi 55 vjeç, që këtu ne i prekim të drejtat e punonjësve dhe shkelet ligji i policisë së shtetit. Në momentin që parlamenti nuk merr parasysh, se në fund të fundit vendimmarrjen e ka parlamenti këto opsionet tona, vërejtjet tona që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të drejtat e punonjësve të policisë, ne ligjin do ta ankimojmë direkt në gjykatën kushtetuese.”- u shpreh kreu i sindikatës, Sadetin Fishta.

Nga ana tjetër Fishta ndalet edhe tek një tjetër pikë e projektligjit të miratuar që detyron efektivët se pavarësisht se dalin në pension të punojnë me 700 orë në vit shërbim, e cila sipas tij është tërësisht e paligjshme.

“Në momentin kur punonjësi i policisë del në pension të parakohshëm ky ligj e detyron që të punojë 700 orë. Fakti që detyrohet të punojë 700 orë detyrim me ligj është një shkelje flagrante e të drejtës së punonjësit të policisë. Nëse unë ndërpresë kontratën e punës dhe marrëdhënien me drejtorin e përgjithshëm të policisë që në këtë moment nuk ka ligj që detyron një punonjës të punojë.”- u shpreh kreu i sindikatës, Sadetin Fishta.

Tashmë është radha e kuvendit që vendos miratimin e këtij projektligji që më pas do aplikohet për punonjësit e policisë, atyre të gardës dhe SHÇBA që janë në moshën e 55 vjeç dhe që kanë 30 vite eksperiencë.