Ilir Xhemalaj, përfaqësues i sindikatave të pavarura të Shqipërisë lajmëroi ditën e nesërme protestë në orën 10:00 përpara ministrisë së Ekonomisë e Financave, duke i bërë thirrje qytetarëve për t’iu bashkuar.

“Sot kam një thirrje për çdo punëtor, pensionist, çdo të ri e qytetar të ndershëm. Në sindikatat shqiptare, nuk e kam për ato që janë lëpirë me shtetin për 36 vjet, e kam për sindikatat e reja të cilat nesër do të mblidhen përpara Ministrisë së Financave për të protestuar. Ju ftoj të jeni me ne.

Nesër proteston Shqipëria që punon, punëtori që zgjohet para lindjes së diellit dhe mezi e mbyll muajin. Pensionisti që pas një jete pune, numëron ato qindarkat përpara farmacisë për të blerë ilaçet. Proteston i riu që punon, por nuk arrin të blejë një shtëpi për familjen e nuk ndërton dot një familje.

Kur punëtori varfërohet nga puna e tij, ka diçka që nuk shkon. Nuk ka ekonomi të fortë dhe qytetarë të varfër. Nuk kërkojmë privilegje, vetëm dinjitet që të punojmë në vendin tonë dhe të rrisim fëmijët në vendin tonë.

Një vend nuk mbahet në këmbë nga lëmosha që këta pushtetarë i japin çdo punëtori. Një vend mbahet në këmbë nga punëtorët. Prandaj sot ftoj qytetarët që të bashkohen me protestën e sindikatave në orën 10:00. Askush nuk del për karrige e politikë, vetëm për dinjitetin tonë”, tha Ilir Xhemalaj.


Lajmi kryesor:

Qytetarët 3 javë në protestë/ Ish-luftëtari i UÇK-së lexon listën me kërkesat: Rama dorëheqje, qeveri teknike e kufizim të ushtrimit të mandatit të kryeministrit! Harrojnë fare Berishën