TIRANE - Drejtuesit e Konfederatës së Sindikatave së bashku me një grup punonjës të kompanisë CEZ protestuan paraditen e sotme para godinës së Ministrisë së Brendshme. Ata i kërkuar ministrit Flamur Noka lirimin e menjëhershëm të punonjësve të cilët janë arrestuar në krye të detyrës pak ditë më parë.

Pas rreth një ore qëndrim përpara këtij institucioni, protestuesit i janë drejtuar zyrave të Bashkimit Europian në Tiranë. Edhe aty ata përsëritën të njëjtin apel duke e cilësuar ndalimin e punonjësve të CEZ-it si të paligjshëm.

Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kolë Nikolla në një prononcim për TV A1 Report u shpreh se punonjësit e CEZ janë ndaluar në mënyrë të paligjshme dhe theksoi që faturën e dashurisë së zjarrtë CEZ-qeveri nuk duhet ta faturojnë tek punonjësit që rropaten të punojnë në kushte të vështira dhe me një pagë qesharake.

“Konfederate e Shqipërisë dhe sindikata e industrisë, anëtare e kësaj konfederate proteston sot në shenjë solidarizimi me ndalimet e paligjshme, pasi siç jeni vënë në dijeni janë kryer rreth 30 ndalime të paligjshme të punonjësve të kompanisë CEZ në krye të detyrës së tyre funksionale me një urdhër verbal dhe absurd të ministrit të Brendshëm Noka. Dekuadër duke qenë se ata shkuan 48 orë dhe një pjesë e tyre nuk janë liruar akoma, ndërsa një pjesë tjetër janë larguar me vendim gjykate për të drejtë paraqitje në u detyruam të protestojmë në shenjë solidarizimi dhe të bëjmë me dije qeverisë shqiptare, ministrit Noka dhe çdo personaliteti tjetër qeveritar apo jo qeveritar se me punëtorët askush nuk ka të drejtë të luajë. Punëtorët nuk janë pjesë e konfliktit qeveri-CEZ, as nuk mund të jenë pjesë e zgjidhjes. Punëtorët janë punëmarrës, punojnë në kushte të vështira pune, me një pagë pothuajse qesharake në kushte varfërie siç janë të gjithë shqiptarët dhe askush nuk ka të drejtë që faturën e dashurisë së zjarrtë qeveri-CEZ ta faturojë tek punëtorët fakir të kompanisë”, u shpreh Nikolla.

Pak ditë më parë kompania CEZ Shpërndarje vendosi që të ndërpriste energjinë elektrike për ujësjellësat debitorë në disa prej rretheve kryesore të vendit. Veprim që çoi në ndërhyrjen e policisë dhe prangosjen e disa prej punonjësve të CEZ-it.

(eç/shqiptarja.com)