/ATSH-AFP/ - OKB-ja u shpreh "e tmerruar" nga sulmet e regjimit që kanë shkaktuar rreth 100 të vdekur në një treg pranë kryeqytetit sirian, ndërkohë që Këshilli i Sigurimit ka mbështetur dje një plan të ri për paqen në Siri, miratuar për herë të parë në dy vjet nga Rusia dhe 14 anëtarë të tjerë.
Bëhet fjalë për planin e parë politik përsa i përket konfliktit sirian, për të cilin të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit kanë rënë dakord.
Ky plan kërkon t'i jepet fund konfliktit duke nisur nga një proces politik të ndërmarrë nga Siria drejt një tranzicioni që bashkon aspiratat legjitime të popullit sirian.
Iniciativa, që do të nisë në muajin shtator, do të mundësojë krijimin e katër grupeve pune për sigurinë dhe mbrojtjen, kundërterrorizmin, çështjet politike dhe ligjore si dhe rindërtimin.
Tranzicioni përfshin krijimin e një trupi drejtues me pushtete të plota, që do të formohet në bazë të një marrëveshjeje të përbashkët duke siguruar vazhdimësinë e funksionimit të institucioneve qeveritare.