SIRI - Një video e postuar në rrjetet sociale tregon mbetjet e një avioni të rrëzuar në Anjara në perëndim të Aleppos. Në videon amatore mund të shihen qartësisht pjesët e mjetit fluturues i përfshirë nga flakët.

Agjencia e lajmeve Reuters që publikoi pamjet thotë se nuk mundet të verifikojë në mënyrë të pavarur autencitetin por siç dëshmohet nga rebelët avioni i përkiste forcave qeveritare.

Presidenti sirian Bashar al-Assad ka përdorur në javët e fundit forcat ajrore për sulme të koordinuara me artilerinë në ato zona ku dyshohet se strehohen rebelët opozitarë. Luftime janë raportuar në të gjitha pjesët e vendit por lufta strategjike është përqëndruar në perëndim ku edhe jeton shumica e popullsisë.

Së fundi observatori sirian për të drejtat e njeriut deklaroi se avionët luftarakë kanë fluturuar mbi provincën Idlib duke lënë të vdekur 22 rebelë.

(d.m/s.f/Shqiptarja.com)