Për javë të tëra në muajt tetor-nëntor edhe Shqipëria përjetoi ethet e armëve kimike të Sirisë, pasi kryeministri Edi Rama ishte nën presionin e ndërkombëtarëve për të pranuar demontimin e armëve kimike në vendin tonë, kurse opinionin publik ishte kundër. Kryeministri Rama e refuzoi kërkesën, por duket se Shqipëria u vu më kot në vështirësi, pasi sulmi i djeshëm në Siri vërtetoi se Asadi nuk i ka dorëzuar të gjitha dhe lëndët kimike ato ende po përdoren në konfliktin e stërgjatur mes qeverisë, grupeve ekstremiste dhe opozitës siriane
Sulmi
Mediat e qeverisë siriane dhe ato të forcave rebele thanë të shtunën se gazi helmues ishte përdorur në një fshat qendror, duke plagosur shumë njerëz, ndërsa kanë fajësuar njëri-tjetrin për sulmin. Grupi kryesor perëndimor i mbështetur nga opozita siriane, i quajtur Koalicioni Kombëtar, tha se sulmi me gaz helmues ndodhi të premten, duke lënduar dhjetra njerëz në fshatin Kfar Zeita, në krahinën qendrore në Hama. Por këto burime nuk thanë se çfarë lloj gazi është përdorur.
Ndërkaq, observatori britanik për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Siri njoftoi se njerëzit kanë vuajtur nga mbytja dhe kanë pasur vështirësi në frymëmarrje pas sulmit që mesa duket është kryer gjatë sulmeve ajrore që lanë tym të rëndë mbi zonë. Nga ana tjetër televizioni shtetëror sirian ka fajësuar anëtarët e Al-Kaedës, e më konkretisht grupin Al-Nusra për përdorimin e gazit të klorit në Kfar Zeita, ku janë vrarë dy persona dhe u plagosën më shumë se 100 të tjerë. Siç raportojnë mediet qeveritare, Al-Nusra po përgatitet për një tjetër sulm kimik në zonën Ëadi Deif në krahinën veriore Idlib, si dhe në një zonë tjetër në Hama.
Në një video amatore të postuar në internet nga aktivistët e opozitës tregohet një dhomë në spital, në Kfar Zeita që ishte mbushur me burra dhe fëmijë, ku disa prej tyre merrnin frymë përmes me maska oksigjeni. Në një shtrat në video tregohen 6 fëmijë në një krevat, ku disa prej tyre kishin shfaqur vështirësi në frymëmarrje, ndërsa të tjerët shfaqeshin duke qarë. Armët kimike janë përdorur më parë në konfliktin 3-vjeçar të Sirisë. Në gusht, një sulm me armë kimike u regjistrua pranë kryeqytetit Damask, ku u vranë qindra njerëz. SHBA dhe aleatët e saj fajësuan qeverinë siriane për këtë sulm, i cili pothuajse shkaktoi sulmet ajrore perëndimore kundër forcave të presidentit Bashar Al Asad.
Damasku i mohoi akuzat dhe fajësoi kryengritësit e organizuar për incidentin. Ndërkaq, numri i të vdekurve nga lufta e ashpër mes grupeve rivale rebele islamike në Sirinë lindore është rritur me të paktën 68 luftëtarë. Observatori britanik për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Siri tha se betejat janë ndezur të premten, për të dytën ditë, rreth qytetit Bukamal në provincën e pasur me naftë Deir Ez Zor pranë kufirit me Irakun. Në përgjithësi, më shumë se 150.000 vetë janë vrarë në 3 vitet e fundit, gjatë konflitit në Siri.
Shkrimi u publikua sot (12.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)